Deputeti i PD-së, njëkohësisht edhe nënkryetar i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi i ka dhënë një përgjigje sot, ambasadorit amerikan Donald Lu dhe kryeministri Edi Rama, në lidhje me takimin që kishin ditën e diel me zv/sekretaren e Shtetit, Viktoria Nuland.

Me një shënim në profilin e tij në Facebook, Bylykbashi thotë se në atë takim, PD-së nuk i është kërkuar vetëm një “Po ose Jo”, por i është kërkuar një propozim për reformën, që sipas tij, është dorëzuar të martën në mbrëmje.

Ja çfarë shkruan Oerd Bylykbashi në Facebook:

Kam ndjekur me vëmendje se si Rama ka mbjellë me tamtamet e tij mediatikë apo edhe të tjerë tamtame në politike apo analitikë, genjeshtrën se zj. Nuland ka kërkuar vetëm një Po ose një Jo nga z. Basha.

Duke qenë se unë kam qene aty dhe s’luaj me fjalët, më vjen të qesh me këtë tentativë mjerane për të luajtur me gënjeshtra për gjera kaq serioze. O e meritojnë një sqarim shqiptarët që keqinformojnë këta.

Në atë takim zj. Nuland paraqiti atë që ajo e cilësoi si propozimin hibrid të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin bazuar mbi qëndrimet e palëve, pa marrë autorësi. Ajo shprehu kundërshtimin  për rolin e Gjykatës Kushtetuese si organi që do të bënte vetting-un e kandidatëve që do të bëjnë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Z. Basha shprehu qëndrimin e opozitës që roli i vëzhguesve ndërkombëtarë të jetë plotësisht në përputhje me rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias sepse roli i propozuar kishte kompetenca vendimmarrëse.

Z. Basha pranoi të rishikohej roli i Gjykatës Kushtetuese për të eliminuar konfliktin e interesit. Sigurisht, Opozita nuk ka asnjë tagër t’i mohojë kompetencën e shqyrtimit të shkeljes së të drejtave të njeriut kësaj Gjykate.

Zj. Nuland, pasi nënvizoi se ndërkombëtarët nuk mund të kenë rol ekzekutiv, i kërkoi z. Basha që të bënte propozime për rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë në përputhje me rekomandimin 88. Z. Basha premtoi që brenda ditës së martë, PD do të ofronte zgjedhjen e saj bazuar mbi propozimin hibrid të ambasadoreve. Dhe kështu bëmë, ditën e martë në mbrëmje, PD dërgoi propozimin e saj.

Kujt i duket kjo si Po ose Jo, le të kthehet në klase të parë ose të bëjë një ekzaminim të koshiencës.