Analisti Fatos Lubonja ka trajtuar sot në të përditshmen “Panorama” çështjen e reformës në Drejtësi, rolin e ambasadorëve të huaj dhe skandaleve të qeverisë që po mbulohen me zhurmën e reformës.
Ai merr në shqyrtim tre skandalet më të bujshme të dy javëve të fundit:
– Lajmin se kryebashkiaku i Kavajës ishte i dënuar për përdhunim në grup në Itali, dorëheqjen e tij dhe dorëheqjen nga dorëheqja;
– Plantacionet e mbjella me kanabis, sipas Guardia di Finanzia janë trefishuar në Shqipëri nga viti 2013 deri në vitin 2015;
– Pezullimin e drejtorit të policisë, Haki Çako dhe provat e Prokurorisë se pajisja e përgjimit është futur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.
Lubonja shkruan se ka një paradoks të madh ndërmjet këtyre lajmeve me qëndrimin e Qeverisë mbi reformën në Drejtësi.
Nga njëra anë:
Kemi një qeveri që ka futur në pushtetet lokale njerëz të inkriminuar, ndër të cilët edhe të akuzuar për trafiqe droge, një qeveri që me keqqeverisjen e saj dhe, pa dyshim, edhe si rezultat i promovimit dhe bashkëpunimit me trafikantët, ka rritur tri herë plantacionet e kanabisit, d.m.th. kriminalitetin; një qeveri që kryen veprime të paligjshme deri në futjen paligjshmërisht të aparateve të përgjimit dhe përgjimin e paligjshëm të qytetarëve”.
Nga ana tjetër, Lubonja shtron pyetjen:
Si ka mundësi që kjo qeveri bërtet kaq fort për reformën në Drejtësi në emër të një Drejtësie të pavarur nga politika, kur vetëm bazuar në tre rastet që përmenda, një Drejtësi e tillë do ta kryqësonte Qeverinë?”
Sipas Lubonjës, guximi i Ramës nuk mund të shpjegohet vetëm me një ‘bllof’ përballë një kundërshtari të dobët si Basha.
Ai duhet kërkuar te metoda e qeverisjes së Ramës që ka qenë dhe mbetet mbulimi i asaj çka në realitet bën keq, me gjethen e fikut të një imazhi që me ngulm punon ta ndërtojë nëpërmjet propagandës, ku përpiqet të përfshijë veçanërisht ndërkombëtarët.
Sipas Lubonjës, Rama u ka mbushur mendjen ambasadorëve se për të rrëzuar Berishën dhe Metën, atij i është dashur të bëjë kompromis me të keqen, por me të miratuar reformën në Drejtësi, ai do ta ‘fshijë’ këtë të keqe që e ka sjellë në pushtet.
Për Lubonjën ky është një mashtrim i pastër.
Reforma në Drejtësi përkthehet në mundësinë që Rama të përforcojë edhe më shumë pushtetin me kriminelë; të rrisë plantacionet e drogës që, nëpërmjet parasë së krimit, të krijojë edhe më shumë mundësi kontrolli dhe propagande; të fusë buldozerët e të shembë e ndërtojë ku të dojë e si të dojë pa ligj, në emër të këtij krimi; të ketë mundësi të përgjojë gjithnjë e më shumë kundërshtarët, pa i hyrë gjemb në këmbë. ”
Po cila është arsyeja që ambasadorët po e mbështetin kaq shumë Ramën? Lubonja thotë se kjo bëhet për interesa që nuk kanë të bëjnë me kërkesat e shqiptarëve.
A nuk e shohin ambasadorët këtë rrezik apo bëjnë gjethen e fikut të qeverisë për interesa që s’kanë të bëjnë me kërkesat e shqiptarëve për më shumë drejtësi, liri dhe demokraci?”, pyet Lubonja.
