Kategori
Uncategorized

SHBA: Nuk ka më të paprekshëm, “Al Kapone” do dalë para drejtësisë.

“U kërkoj atyre të bien dakord për modelin antikorrupsion që diskutova sot, një institucion të mbështetur nga FBI amerikane: i pavarur dhe llogaridhënës para popullit shqiptar. U kërkoj atyre që të dallojnë se ky institucion duhet të krijohet në të njëjtën kohë me Reformën në Drejtësi”. “Një agjent i FBI-së do të caktohet në Tiranë për të mbështetur krijimin e kësaj organizate dhe të gjithë policët e BKH-së do të kalojnë përmes testeve të dallimit të gënjeshtrave, njohur ndryshe si testi i poligrafit”.
Të sigurohemi që Shqipëria të miratojë ligjin e duhur për një njësi antikorrupsion të pavarur dhe të paepur

Nuk ka më të paprekshëm

Donald LU

Partneriteti për qeverisjen e hapur ka lidhje me bërjen e qeverisjes më përgjegjëse dhe më transparente përmes hedhjes dritë mbi korrupsionin, mashtrimin dhe paaftësinë. Kur ju në këtë sallë e dini se këto përpjekje të rëndësishme do të ishin boshe pa policë hetimorë të pavarur që nuk kanë frikë të ndjekin çunat e këqinj.
Kur ishin në universitet Hollywood nxori filmin e titulluar “The untouchables” ose në gjuhën shqipe “Të paprekshmit”. Aktori i famshëm shqiptaro-amerikan Robert de Niro luante rolin e gangsterit Al Capone. Historia zhvillohej mbi njësinë elitare hetimore të quajtur “Të paprekshmit”. Ata nuk ishin quajtur të tillë për shkak se qenë mbi ligjin, por sepse ishin të imunizuar prej korrupsionit dhe frikësimit. Në një kohë kur Chicago ishte e mirënjohur për korrupsionin në nivele të larta dhe kontrollin e mafias të ngulitur thellë kjo njësi e pakorruptueshme e pavarur qe në gjendje të arrestonte Al Capone-n e famshëm. Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri. Një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë.
Ka një propozim që kjo do të jetë pjesë e funksioneve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ose BKH-së, e bërë sipas modelit të FBI-së amerikane. Po pse duhet të besojnë shqiptarët e zakonshëm se këta policë të posaçëm do të jenë përtej ndikimeve dhe korrupsionit? Për shkak se SHBA do të investojnë që ajo të jetë e tillë. Ne kemi vënë mënjanë miliona dollarë për të paguar pajisjet dhe trajnimet e këtyre policëve, trajnimi i tyre do të zhvillohet në akademinë e FBI-së.
Një agjent i FBI-së do të caktohet në Tiranë për të mbështetur krijimin e kësaj organizate dhe të gjithë policët e BKH-së do të kalojnë përmes testeve të dallimit të gënjeshtrave, njohur ndryshe si testi i poligrafit. Llogaritë e tyre bankare do të mbikëqyren për t’u siguruar që ata nuk po marrin ryshfet ose që nuk po punojnë për krimin e organizuar.
Në shënimin 13 në fund të faqes të opinionit përfundimtar Komisioni i Venecias mirëpret funksionet antikorrupsion të BKH-së që do të vendoset nga një prokuror i posaçëm të pavarur nga të dy, si nga prokurori i Përgjithshëm ashtu dhe nga Policia e Shtetit shqiptar. Hetuesit e BKH-së do të përbëhen nga policë të gjyqësuar. Drejtori i saj për antikorrupsionin do të jetë një oficer i Policisë Gjyqësore, i cili do t’i raportojë një prokurori të posaçëm të pavarur. Ky prokuror do të japë llogari përpara popullit shqiptar.
Udhëheqësit politikë po përpiqen ta përdorin debatin për BKH-në për arsye politike. Të gjithë ata bien dakord se korrupsioni dhe ndikimet politike pengojnë bërjen e drejtësisë në Shqipëri. U kërkoj atyre në të djathtë dhe në të majtë që të bien dakord se BKH është një institucion jetik për antikorrupsionin në Shqipëri. U kërkoj atyre të bien dakord për modelin antikorrupsion që diskutova sot, një institucion të mbështetur nga FBI amerikane: i pavarur dhe llogaridhënës para popullit shqiptar. U kërkoj atyre që të dallojnë se ky institucion duhet të krijohet në të njëjtën kohë me Reformën në Drejtësi. Në fund të fundit Reforma në Drejtësi do të krijojë zyrën e prokurorit të posaçëm së paku që do të drejtojnë përpjekjet antikorrupsion të BKH-së.
Më lejoni ta përfundoj me një citim nga filmi “Të paprekshmit”. Njëri prej policëve elitarë i luajtur nga aktori i famshëm Sean Connery e pyet prokurorin që është kreu i “Të paprekshmëve”: Ju më thatë se doni të kapni Capone-n, a doni ta kapni atë me të vërtetë? A e kuptoni se ajo që po them është, çfarë jeni të përgatitur të bëni?” dhe prokurori i përgjigjet: “Gjithçka brenda ligjit”.
Të sigurohemi që Shqipëria të miratojë ligjin e duhur për një njësi antikorrupsion të pavarur dhe të paepur.

Ambasadori amerikan sqaron se si do të funksionojë Byroja

Ambasadori amerikan në Shqipëri, Donad Lu deklaroi dje se forcat politike në vend duhet të bien dakord se Byroja Kombëtare e Hetimit është një institucion jetik për të luftuar korrupsionin. Ai shpjegoi mënyrën se si do të funksionojë kjo Byro, e pavarur nga prokurori i Përgjithshëm dhe nga policia, duke saktësuar se në përbërjen e saj do të jenë persona, të cilët do të duhet të kalojnë më parë testimet dhe kualifikimet që do të kryhen pranë FBI-së amerikane. Po dje, Komisioni i posaçëm i Reformës në Drejtësi ra dakord parimisht që Byroja të jetë nën varësinë e Prokurorisë speciale antikorrupsion. Ambasadori amerikan në Tiranë davariti dje mjegullën që prej shumë muajsh kishte mbështjellë krijimin dhe funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, një institucion i cili do të mbështetet mbi modelin e FBI-së amerikane e ndaj të cilit shqiptarët sipas tij duhet të kenë besim “për shkak se SHBA do të investojnë, që ajo të jetë e tillë dhe kemi vënë mënjanë miliona dollarë për të paguar pajisjet dhe trajnimet e këtyre policëve. Trajnimi i tyre do të bëhet në akademinë e FBI-së, në SHBA. Një agjent i FBI-së do të caktohet në Tiranë për të mbështetur krijimin e kësaj organizate dhe të gjithë policët e BKH-së do të kalojnë përmes testit të së vërtetës apo testit të poligrafit dhe llogaritë e tyre bankare do të mbikëqyren për t’u siguruar se ata nuk po marrin ryshfet apo nuk po punojnë për krimin e organizuar”. Duke iu referuar dhe opinionit të Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi, ambasadori amerikan shpjegoi dhe skemën e funksionimit të Byrosë, e cila siç tha ai do të vendoset nën një prokuror të posaçëm të pavarur, si nga prokurori i Përgjithshëm ashtu dhe nga Policia e Shtetit: “Hetuesit e BKH-së do të përbëhen nga policë gjyqësorë. Drejtori i saj për antikorrupsionin do të jetë një oficer i Policisë Gjyqësore, i cili do t’i raportojë një prokurori të posaçëm të pavarur. Ky prokuror do të japë llogari para popullit shqiptar”. Debati për Byronë Kombëtare të Hetimit u rizgjua me publikimin e opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Opozita pati kërkesa këmbëngulëse për miratimin e saj sa më shpejt, duke e konsideruar këtë si provë që shumica duhet të jepte për Reformën në Drejtësi. Kjo çështje ishte dje pjesë e debatit të nisur në Komisionin e posaçëm të Reformës, i mbledhur me dyer të mbyllura për të diskutuar rreth 10 pikave për të cilat opozita ka kundërshtime lidhur me projektin e ndryshimeve kushtetuese.

Tërhiqet Rama, Byroja e Hetimit nën varësinë e Prokurorisë

Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë nën varësinë e Prokurorisë Speciale. Pas luftës kundër futjes së të inkriminuarve, opozita fiton një tjetër betejë të rëndësishme, më kryesoren në luftën kundër korrupsionit të niveleve më të larta. Pas zvarritjes për muaj me radhë dhe bllokimit të ngritjes së Byrosë së Hetimit, pasi kërkonte një byro hetimi nën varësinë e tij, Rama është dorëzuar dje përballë presionit të opozitës dhe ndërkombëtarëve. Byroja Kombëtare Hetimore do të jetë në varësinë e Prokurorisë Speciale, e cila nuk do ketë asnjë varësi nga Prokuroria e Përgjithshme. Komisioni për Reformën në Drejtësi u mblodh dje dy herë brenda ditës ku palët diskutuan dhe ranë dakord për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ndërkohë që komisioni pritet të mblidhet edhe gjatë ditës së sotme për të diskutuar mbi detajet e fundit. Komisioni për Reformën u mblodh për të gjetur zgjidhje ligjore në draft në bazë të opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, por duket se këto elementë janë shmangur, pasi PD-ja kërkon që të diskutohet për Byronë dhe jo për gjetjet e bëra në draft nga Komisioni i Venecias dhe më pas të shkruara në opinionin përfundimtar. Sipas PD-së, Komisioni i Venecias ka rekomanduar që Byroja të jetë në varësi në Prokurorisë. Opozita i rikthehet sërish çështjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke kërkuar që ky institucion të jetë në varësi të Prokurorisë. Sipas opozitës, Byroja Kombëtare e Hetimit nuk mund të qëndrojë nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Pas kësaj kërkese të opozitës, palët kanë rënë dakort, që Byroja Kombëtare Hetimore të kalojë nën varësinë e Prokurorisë Speciale. Ky institucion nuk do ketë asnjë varësi nga Prokuroria e Përgjithshme. Por, kjo strukturë do të vendoset nën varësinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. “Diskutimet ishin të mira, pra pati diskutime racionale nga të gjitha palët. Në dy tre pikat e para që u diskutuan, pati dakordësi në një pjesë të tyre dhe për disa çështje të tjera që u cilësuan si teknike do t’i kalojmë ekspertëve për t’u zgjidhur”, tha Halimi. Pas ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve, palët ranë dakord të ulen e të gjejnë mirëkuptim për çështjet e mbetura hapur në Opinionin Përfundimtar të Komisionit të Venecias për paketën e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese. Më pas, pikat e mbetura pezull parashikohet t’i shtrohen për zgjidhje ekspertëve të misioneve ndërkombëtare të drejtësisë, EURALIUS dhe OPDAT. Thelbi i mosmarrëveshjeve, sipas opozitës, lidhet me Këshillin e Emërimeve, ku ajo kundërshton procesin e emërimit të funksionarëve në sistemin e drejtësisë, që nuk garanton pavarësi. Reforma në drejtësi hyri në ngërç pas mosdakortësive në zbatimin e rekomandimeve të draft opinionit të Venecias. Por, me miratimin përfundimtar nga Komisioni më 11 mars, paketa e ndryshimeve kushtetuese i kaloi Kuvendit të Shqipërisë për miratim, i cili pritet ta kalojë brenda këtij muaji reformën më të rëndësishme për politikën shqiptare, që ështe dhe kushti kryesor për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

Lini një koment