Ndryshe nga bashkia, nga Amerika shohin dhunë te protesta pro mjedisit në Tiranë.
Bashkia e Tiranës i konsideroi qytetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile që protestuan sot, si një pakicë vandalësh të udhëhequr nga Partia Demokratike.
Por nuk ndan të njëtin mendim Zeri i Amerikës.
Në lajmin e përcjellë sot nga televizioni amerikan në shqip thuhet se “Forca të shumta policore arrestuan sot drejtuesit e protestës pro mjedisit në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës”.
Dhe ajo protestuesit, nuk i quan vandalë, ndryshe nga bashkia e Tiranës, por thotë se “Veprimtarët e mjedisit po protestonin kundër ndërtimeve të bashkisë në parkun e Liqenit Artificial. Ata rrëzuan rrethimin e kantierit, ku po nis ndërtimi i bashkisë në mes të parkut.
Veprimtarët e mjedisit po përpiqen të pengojnë një ndërtim të bashkisë në park. Bashkia thotë se po ndërton një park lojërash për fëmijë, por veprimtarët dyshojnë se aty po ndërtohen lokale dhe restorante”.
Theksohet se “Midis protestuesve të arrestuar është edhe Eljan Tanini, themelues i organizatës ‘Mbill Pemën Tënde’ dhe veprimtar i ‘Lëvizjes pro Parkut’. Gjatë arrestimit të veprimtarëve shpërtheu edhe dhuna e policisë ndaj qytetarëve të pambrojtur. Shumë të rinj u arrestuan ndërsa një polic u evidentua qartë nga gazetarët për dhunën ndaj një zonje protestuese, duke e goditur fort në fytyrë”.
“Veprimtarët e kanë kthyer Parkun e Liqenit Artificial në një zonë të protestave të vazhdueshme për ta mbrojtur atë.
Prej disa muajsh ata po protestojnë kundër ndërtimit të disa pallateve shumëkatëshe nën digën e Liqenit Artificial, ja tani edhe mbi digë po protesotjnë kundër betonizimit të hapësirave mes parkut në emër të një këndi lojërash për fëmijët.
Janë po këta protestues, pjestarë të Lëvizjes “Mbill Pemën Tënde”, që kanë mbjellë prej afro dy vjetësh në mënyrë vullnetare disa mijëra rrënjë fidanë në parkun e liqenit artificial dhe në fushën e plehrave në Sharrë.
Ata po përpiqen të mbrojnë mjedisin dhe zonat e pakta që kanë mbetur pa u prekur nga ndërtimet shumëkatëshe të firmave ndërtimore, të cilët, pasi u grabitën fëmijëve të Tiranës oborret dhe këndet lojërave brenda lagjeve, tani po u ngrejnë fëmijëve kënd lojërash në mes të parkut të liqenit, i vetmi, që ka mbetur ende pa u prekur,” shkruan Zëri i Amerikës.