Le Iene në Itali: Tutori më i zi i Milanos është sot deputet i Ramës.

– Rrëfimi i tutorit:
Një politikan i majtë në rrjetin e prostitucionit dhe vjedhjes së banesave.
– Një rrëfim ekskluziv i mekanizmit të prostituimit të vajzave nga tutorët shqiptarë
Na pret në një lokal në bregdetin e Shëngjinit. Në fillim prezantohet ftohtë dhe shfaqet dyshues. Sokoli (një emër ky i sajuar), është një 40–vjeçar që ka bërë për shumë vite të paligjshmin në Itali, ndërsa prej disa vitesh ka vendosur të tërhiqet për të bërë një jetë të qetë e pa probleme.
Në realitet ai që na shfaqet përpara, jep idenë e një personi disa vite më të ri, jo shumë i gjatë, i veshur firmato, por pa shije, ndërkohë që na shikon nga lart-poshtë disa herë, duke shfaqur haptazi një lloj mosbesimi të momentit.
Për më shumë se një dekadë Sokoli ka shfrytëzuar një numër të madh vajzash në trotuaret e Italisë, por këtë ai e quan thjesht një punë, bashkëpunim me interes dypalësh. Pranon të intervistohet në një tjetër ambient aty pranë duke vënë si kusht bazë fshehjen e identitetit, e kuptueshme për një person që ka krijuar një familje dhe për më tepër ende mund të ketë problem me ligjin. Në intervistë flet gjithë kohën për djem dhe për vajza që në fjalorin e tij përkthehen në tutorë dhe prostituta. Në një moment madje ndërpret intervistën duke na kërcënuar të mos vazhdojmë më tej nëse do të vazhdojnë të përdoren këto dy fjalë.
– Sokol, ti, je një tutor i penduar?
Nuk jam as tutor e as i penduar. Jam një person që asokohe kisha 25 vite moshë dhe si shumë të rinj doja një jetë më të mirë. Shfrytëzova momentin dhe nisa të bëj një punë jo aq të bukur, por gjithmonë me dëshirën e vajzave dhe me bashkëpunimin e tyre për të dalë në rrugë. Asnjëherë me dhunë apo me mashtrime.
– Si nisi kjo histori?
Kisha një të dashur këtu në Shqipëri e duke parë problemet ekonomike si të miat edhe të saj, vendosëm të iknim në Itali. Flitet për 15 vite më parë dhe normalisht u nisëm si klandestinë me gomone nga Vlora. Mbërritëm në Bari ku më kanë pritur dy miq të mi, të cilët prej disa vitesh merreshin me këtë punë.
– Prostitucion?
Le të themi se kishin vajza në punë në zonën e Padovas. Pikërisht në këtë qytet mbërritëm një ditë më pas. Qëndruam tek ata vetëm tre ditë dhe më pas u stabilizuam në një shtëpi krejt për ne të dy. Ishte një shtëpi e vogël, por komode në “Via Annelli” të Padovas. Një zonë problematike në të cilën ndodhte çdo gjë, drogë, grabitje, përdhunime, përplasje mes grupesh. Përveç shqiptarëve aty kishte marokenë, tunizianë, egjiptianë, të cilët merreshin me “pisllëqe” nga më të ndryshmet. Gjatë atyre tri ditëve të para, vajzat e tjera e mësuan të dashurën time sesi duhej të punonte dhe të sillej me klientët në rrugë. Kjo pjesë ishte shumë e rëndësishme pasi klienti duhet të “dashurohet” pas vajzës për t’u kthyer sërish tek ajo ditën tjetër e prapë ditën tjetër.
– E dashura jote e dinte që në nisje që po shkonte në Itali për të bërë prostitutën?
Po. Patjetër. Madje ka qenë ajo që më shprehej se nuk kishte asgjë të keqe që për disa vite të bënte atë punë derisa të kishte një shtëpi të bukur, makinë, veshje të shtrenjta. Kështu pas rreth një jave ajo nisi të punonte bashkë me vajzat e tjera. Ato dilnin në rrugë pak përpara se të errësohej dhe ktheheshin në shtëpi në të gdhirë të ditës tjetër. Për të zënë një vend të mirë në rrugë menduan miqtë e mi dhe nuk pata nevojë të konfliktohem me asnjë person tjetër, pasi gjithmonë ndodhnin përplasje kur vinte një person i panjohur për të sistemuar vajzën e tij aty.
– Ku ishte ky vend kaq i lakmuar? Në cilën zonë?
Ishte një rrugë e gjatë në zonën e quajtur “Limenella”, një rrugë afër daljes së autostradës. Në gjithë gjatësinë e saj, kjo rrugë ishte plot me vajza.
– Si ishte dita e parë? Të kujtohet?
Ishte fundjavë dhe në këto ditë (e premte dhe e shtunë) punohej disi më vonë, deri në 6.00 të mëngjesit. Kur kjo (e dashura) mbaroi punën, më hodhi në prehër 750 mijë lireta (diçka më shumë se 300 euro). Si herë e parë ishin vërtet shumë.
– Sa klientë për atë shumë?
Më shumë se 10 klientë. Duhet të sqarojmë se mënyrat dhe çmimet ishin të ndryshme. Po ashtu edhe lodhja e vajzës shumë herë jo aq e madhe. Për shembull. Për një herë në shtëpi çmimi shkonte 100 mijë lireta. Për një herë në makinë 50 mijë lireta. Për orale 30-40 mijë. Megjithatë nuk është se u befasova aq shumë pasi djemtë aty më kishin treguar më parë sesa mund të bëhet në ditë.
– Më pas si shkoi?
Për rreth gjashtë muaj puna na shkoi shumë mirë. Pa probleme me vendin apo me klientët. I vetmi problem ishin “vizitat” e shpeshta të policisë. Pothuajse çdo të enjte në “Limenella”, policia merrte vajzat nga rruga dhe i dërgonte në kazermë. I mbanin atje gjithë ditën, por për ne ishte një ditë pa punë. Mbaj mend një police që për ne ishte kthyer në problem të madh. Quhej Antonella dhe ishte e tmerrshme. Shkonte aty dhe i merrte vajzat me forcë. Kur ajo ishte në xhiro përgjatë rrugës, asnjë vajzë nuk dilte. Të gjitha rrinin në shtëpi atë ditë.
– Çfarë ndodhte me vajzat në polici? Kishin probleme?
Asnjë gjë serioze. I mbanin një ditë, shenja gishtash, disa pyetje dhe i linin të lira. Ndonjëherë rrallë ndodhte që i kthenin në vendet nga kishin ardhur: Shqipëri, Moldavi, Rumani etj. Por pas disa ditësh, vajzat futeshin sërish në Itali dhe gjendeshin si përherë në vendin e punës. Ne kishim lidhjet e duhura në Vlorë dhe gjithçka ishte e lehtë. Vajza shkonte në Vlorë tek personi i kontaktit tonë, skafisti na e sillte në Bari, lekët skafistit dhe gjithçka OK. Një zinxhir shumë mirë i organizuar.
– Pak më parë the se nuk kishit probleme për territoret, por në realitet të gjithë e dinë “luftën” që bëhet për territoret në zonat e prostitucionit…
Në fillim nuk është se kishte të tilla probleme. Problemet e shumta nisën me hyrjen në masë të rumunëve në Itali. Ata sillnin shumë vajza. Me qindra. Dhe normalisht donin t’i sistemonin sa më mirë e në vendet më të frekuentuara.
– Si gjithmonë të këqinjtë janë të tjerët e jo shqiptarët… Këtë radhë rumunët.
Nuk e thashë këtë. Shumë nga ata janë djem të mirë e të besës. Madje janë shumë guximtarë. Unë kam bashkëpunuar me ta dhe i vlerësoj shumë më tepër se disa shqiptarë. Nuk janë të gjithë hajdutë e keqbërës si i nxjerrin gazetat. Unë thashë se kjo dyndje femrash që sollën rumunët, shkaktoi përplasje të pashmangshme për territore. Gjithsesi për t’u kthyer tek pyetja. Zona që kontrollonim së bashku me dy shokë, ishte rreth 1,5 km. Asnjë vajzë tjetër nuk do të mund të punonte aty përveç vajzave tona. Kush guxonte, ishin vajzat që ia tregonin vendin dhe nëse do të ndërhynte ndonjë mashkull atëherë do e zgjidhnim ne. Kjo ka funksionuar për 13 vite që unë isha aty dhe siç i themi në anët tona: ka dasht Zoti që nuk na kanë provoku se do të ndodhte më e keqja. Gjithsesi nuk të gënjej kur them që ndonjë armë në kokë, disa grushte e shkelma, ndonjëri edhe i ka marrë prej nesh.
– Kur thua se mund të ndodhte më e keqja, nënkupton se dikush mund të vritej? Gjëra që në fakt kanë ndodhur.
Nuk do të kishte asnjë garanci si për ta si për ne. Gjithsesi ju siguroj se tek ne nuk ka ndodhur asnjë gjë e tillë. Mund të verifikoni çfarë ka ndodhur në zonë gjatë atyre viteve për të vërtetuar fjalë e mia. Edhe kanë ndodhur, e vërtetë, por duhet të pranojmë se ka dhe shumë histori të sajuara bukur nga policia apo edhe nga ato shoqatat e Caritasit që angazhoheshin gjoja në shpëtimin e vajzave të rrugës. Ky që bënim ne ishte një biznes fitimprurës dhe normalisht që do të kishte edhe ngjarje nga pas. Por siç ta thashë shumë gjëra janë të shpikura. Maniakë dhe budallenj që mbysin femra ka kudo, por kjo nuk do të thotë se të gjithë ne që bënim këtë punë ishim të dhunshëm. Duhet të dini diçka. Ishte kohë që një permesso di soggiorno vlente shumë atëherë dhe vajzat çfarë nuk bënin për të pasur një të tillë. Gjatë marrjes në pyetje policët dhe këto shoqatat i premtonin dokumentet vetëm që vajzat të dëshmonin kundër të dashurit të tyre. Kur vajzat nisnin të shpreheshin, dilte gjithçka në shesh. Kishin ndodhur në realitet apo jo. Flitej për dhunë, për barbari nga më të ndryshmet, për përdhunime në grup. Më kujtohet një rast konkret me një murator nga një fshat afër Durrësit. Ai kishte shoqëri me njërin nga djemtë dhe herë pas here shkonte në shtëpinë e këtij djalit e flinte atje. Në një rast i arrestuan në shtëpi të gjithë sa ishin dhe vajza që kishte bërë denoncimin, dëshmoi edhe kundër tij. Policia deklaroi se kishte asgjësuar një grup shumë të rrezikshëm, ndërsa ky i shkreti bëri gjashtë muaj burg derisa doli i pafajshëm.
– Gjithsesi faktin që vajza të gënjyera që shfrytëzohen nga tutorët si prostituta nuk mund ta mohojë askush.
E thashë më sipër. Njerëz të dhunshëm, maniakë dhe vrasës ka kudo, edhe aty ku s’e mendon. Kjo nuk mund të fusë në një kallëp të gjithë ata që kanë bërë këtë punë. Do të duhej ta kishit bërë këtë punë për të kuptuar sesi është realiteti. Unë kam njohur persona që kanë rrahur barbarisht vajzat, që kanë marrë gjoja për fejesë edhe komshiet, kanë nxjerrë në rrugë nënën e fëmijës së tyre apo edhe më keq kushërirën e parë. Këta nuk mundem t’i fus në kategorinë e njerëzve. Dhe diçka tjetër. Nëse do që të vazhdojmë normalisht këtë intervistë, nuk dua të dëgjoj as tutor e as prostitutë sepse më ofendon shumë. Ky është kusht nga ana ime.
– Po thua se ke njohur të tillë persona. Sot pas shumë vitesh a ruan kontakte me ndonjërin prej tyre?
Nuk dua të bëj moralistin, por këta tipa i kemi mbajtur larg dhe i kemi përçmuar. Këta edhe hajdutët ordinerë që bënin njëherësh edhe punën tonë me vajzat, por edhe vidhnin apo grabisnin nëpër apartamente e vila.
Unë shkoja shpesh në Milano. Kisha miq të mi atje dhe i frekuentoja. Në një tavolinë kam njohur një tip të tillë që bashkë me vëllezër e kushërinj kishin disa vajza në punë. Aty më treguan se ky grup ishin të specializuar për vjedhje vilash në periferitë e Milanos. Mbaj mend që kemi drekuar me ta në zonën e Pioltellos afër Milanos. Nuk jam i sigurt nëse jetonin aty apo kishin shkuar atë ditë. Para pak vitesh kam fërkuar sytë disa herë kur këtë tipin e pashë në zgjedhje përkrah Edi Ramës.
– Dhe ky sot është në Parlament?
Politikan. Kaq mjafton. Është apo jo në Parlament nuk ka rëndësi se pastaj më mirë ju them emrin. Di të them të saktë se kam qenë në tavolinë me të kështu siç jemi sot bashkë. Hajdut ordiner banesash që kacavirrej nëpër tuba e nëpër ballkone.
– E takon sot?
E kam parë, por s’e kam takuar. Unë s’e kisha shok dhe është humbje kohe të merremi me të tillë persona. (vijon me pjesën e dytë…nesër)
Pamfleti.com
*(Taulant Kopliku është gazetar në emisionin investigativ “Le Iene” në Italia 1. Së bashku me iena Luigi Pelazza kanë realizuar disa tema të aktualitetit si terrorizmi, trafiqet, prostitucioni, korrupsioni etj.)