Në mbledhjen e fundit të vitit të kaluar, teksa miratoi nga 2 mijë Lekë shpërblime për pensionistët, qeveria e republikës së Shqipërisë ka miratuar një shpërblim edhe më të majmë për një kompani private. Bëhet fjalë për kompaninë tashmë të mirënjohur për publikun shqiptar, Omnia Strategy që zotërohet nga Cherie Blair, bashkëshortja e ish-Kryeministrit britanik Tony Blair. 

Qeveria ka vendosur t’i japë 150 mijë Euro të tjera shtesë kompanisë së Cherie Bler, bashkëshortes së ish-Kryeministrit britanik Tony Blair për ndërmjetësimin e konfliktit me kompaninë Rapiscan. Vendimi është marrë në datën 28 dhjetor të vitit të kaluar, por qeveria nuk e ka publikuar atë në faqen e saj zyrtare.

Përmes këtij vendimi, Këshilli i Ministrave i akordon një shtesë fondi prej 150 mijë Eurosh Ministrisë së Financave me qëllim që të paguajë kompaninë Omnia, për konsuluencën në ndërmjetësimin e konfliktit mes koncesionarit Rapiscan dhe Republikës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për koncesionin e shumëpërfolur të skanimit në dogana. Gjatë kohës që ishte në opozitë e majta, paralajmëroi anullimin e këtij konçesioni si korruptiv. Me ardhjen në pushtet, qeveria e Edi Ramës përzgjodhi kompaninë Omnia Strategy nën pronësi të Cherie Blair për të përgatitur arbitrazhin.

Për këtë qëllim me një vendim të posaçëm në mars të vitit të kaluar, qeveria akordoi fillimisht 495 mijë Euro si pagesë për këtë kompani. Por edhe pse u kontraktua për të përgatitur arbitrazhin, më vonë ‘Omnia Strategy’, e këshilloi qeverinë që të mos shkonte në arbitrazh, por ta zgjidhte çështjen me mirëkuptim. Si rrjedhojë marrëveshja konçesionare e skanimit në dogana u rinegociua.

Tarifa e pajustifikuar

Por edhe pse nuk shkoi në arbitrazh, qeveria ka vendosur t’i japë shpërblim shtesë kompanisë dhe nga 495 mijë Euro, pagesa për këtë kompani bëhet 645 mijë Euro. Shtesa duket e habitshme, pasi i gjithë shërbimi i kompanisë së zonjës Blair në çështjen Rapiscan ka qenë ai i këshillimit të qeverisë që të tërhiqet nga arbitrazhi dhe të rinegociojë kontratën. Vetëm për këtë shërbim kompania është paguar 645 mijë Euro nga paratë e taksapaguesve të varfër shqiptarë. Ish-Kryeministri britanik Tony Blair i paraqitur si këshilltar i qeverisë së Edi Ramës ka përfituar një sërë kontratash të majme nga buxheti i shtetit në Shqipëri, jo vetëm vetë por edhe përmes bashkëshortes së tij.

blair vendimi (1)vendimi blair 2 (1)