Kategori
Uncategorized

Torturat çnjerëzore të Mugoshës mbi djalin nga Devolli.

 

Trakti me numrin 4 që Xhelal Staravecka shpërndau menjëherë pas dezertimit të tij nga rradhët e Ushtrisë Nacional Çlirimtare, sërish lidhet me torturat çnjerëzore dhe vrasjet që kryheshin me urdhër të Dushan Mugoshës. Ndërsa rrëfen ngjarjen e 13 të ekzekutuarve në fshatin Fravesh, ai ndalet në torturat e tmerrshme që janë ushtruar mbi një djalë rretht ë 30-ve nga Devolli, ku në tortura kishte marrë pjesë vetë Dushan Mugosha. Staravecka tregon me detaje torturat që i janë bërë të riut nga Devolli, sidomos torturat tipike që bënte Mugosha me duart e tij.

Staravecka tregon se e ka ndjekur të gjithë skenën e torturave i ulur në një gur aty pranë, ndërsa partizanët e tjerë me drunj në duar e kanë goditur deri në frymën e fundit viktimën. Në fund, edhe pse viktima e kishte dhënë frymën e fundit Mugosha i kishte qëlluar me armë mbi trupin e pajetë. Pasi ka treguar fundin e tmerrshëm të djaloshit 30 vjeçar, Staravecka tregon se viktima e radhës, i kishte shpëtuar torturave çnjerëzore, vetëm se Mugosha ishte lodhur dhe ishte i uritur. E meqë do të shkonte për të ngrënë, për viktimën e radhës kishte dhënë urdhër ta vrisnin pa e torturuar.

Ajo ç’ka është tragjike sipas Staraveckës, është fakti se torturat nuk bëheshin për të krijuar rrethana shtrënguese, për të marrë informacione të caktuara nga viktima. Torturat sipas tij ishin thjeshtë pasioni për gjak i Mugoshës. “…U kthyem në çadër duke hecur. Dushanit i shkova krahun dhe e pyeta: “po ç’kishte bërë ky maskara?”. “Besa kurgjë, po këtyre Devollinjvet duhet t’ja u bësh të gjithëve kështu, pse qenë me neve dhe u kthyen me Ballin”, shkruan Staravecka, duke zbuluar në fund të traktit të tij arsyen e gjithë asaj dhune e terrori që ishte ushtruar mbi viktimën.

Më poshtë e sjellim të plotë traktinme numër 4 të Xhelal Staraveckës.

Trakt’ i IV.
Po ribotojmë ma poshtë traktin e katërt të Xhelal Staraveckës. Ku jemi, ku vemi kështu? Në ç’duer kemi ranë, o vëllazën? Oh mblidhuni të shpëtojmë djemtë t’onë të mjerë!
Një tufan, një mjergull dhe një natë e errët të kishte mbuluar në të gjitha anët nga Partija e terrorit, Ti, i shembur e i Venitur nga fati i zi qi të jeshë urë e këmbëve të huaja, që të jesh shesh përfytjesh, lëmë-fatkeqësish të përfundimeve nga invazorët që herë pas here ke pasur.

I lodhur e i raskapitur i dënuar e i venitur, kërkonje nji farë mbështjetje në një udhë të drejtë në vijën politike, që të tregonje dhe ti eksistencën t’ënde, sa do popull i vogël por kreshnik.
Ishe i urishëm, ishe i hovshëm e i pa frenuar e ke dhënë e s’mungon kurrë t’a japish provën që as një sakrificë nuk të trëmbte për qëllimin e lartë të luftës së pa prerë kundra atij që të kishte grabitur lirinë e shenjtë. S’ke dashur rixha të hyshë në luftë kundra armikut, nga që ishe i bindur se vetëm me armë, në luftë kundra okupatorit, do të ishe pjestar në paqën e nesërme, duke krijuar kështu në përpjekjet e tua Epopera të vërteta në faqet e historisë t’ënde, të kësaj epoke kaq fatale për njerzimin mbarë.

Ah, sa fat i zi në këto çaste kaq historike e vendimtare, që hyre në luftë kundra armikut, në vënd që të udhëheqeshe prej vet-vehtes u drejtove nga dorë e huaj, e cila dalë nga dalë zbatoi planet e shëmtuara që ishe e ngarkuar. Planet i zbatoi në Shqipërinë e jugut kuje për derë, lotët si çurgë rrjedhin nga faqet e shqiptarkave të shkreta, se njerzit e tyre që vaditin tokën Arbënore me gjak s’dinë përse. Ah, sa zëmra të coptuara, ah sa mjerime në Toskëri.

Ti o dorë barbare pse na rrënove vendin t’onë? Pse po mbushim vatrat dhe pragjet e penxhereve me lot? Ç’faj e gjyna paskemi bër? Ç’furtunë e keqe na futi në këtë det të rrezikshëm? Vehtja e jonë! U futëm në barkën e Dushanit e të Milajdinit dhe me gjithë forcën e musklave të krahëve po i lëvizin lopatat për të shkuar akoma më thellë në detin e mjerimit.
U lumtë, gjetët shesh e bët përshesh.

Ndodhime akoma në katundin Fravesh, atje ku jehona e ulurimave, bërtimave e anktheve dhe e ngashrimeve i kanë bërë veshët dhe zëmrën t’ime-sakat. Ti o Fravesh, u çkallmofsh nga një tërmet a rebesh.
Nga të 13 të ekzekutuarit vetëm në dy më muarnë të asistoja n’ato tortura e terrore. Marim një djalë të gjatë, i shëndoshë, drejt 30 vjeçëve, ishte nga Devolli, emrin jo vetëm unë nuk ja di, por edhe Dushani vet që e torturoi gjer në vdekje nuk ja dinte.

Këtë e kishin kapur jashtë Tiranës, që kishte dalë për shëtitje si të dyshimtë e kishin arrestuar dhe s’andejmi e shoqëronin në brigatën e parë. Neve Partizanë zebanitë e xhenemit, si pas urdhërit të jezitit çalo Dushanit, e shpumë në prua. Atje mbasi e çveshëm e lamë vetëm në brekët, se kishim nevojë për rrobat e tija që të vishnim ndonjë djalë të jezitit.

Rreth kësaj viktime qëndrojnë 10-12 partizanë, në krye të të cilëve qëndron Dushani duke fërkuar duart, dukesh i gëzuar nga sytë që i ndrinin për gjakun që kishte ndër këmbë. Unë qëndronja pak lark atij rrethi i ulur në një gur, afër meje dhe Tahir Kadareja. Partizanët, sipas urdhërit të Dushanit, u armatosën me një herë me nga një dru të shtrëmbët prej vërrie më të trashë se qafa e dorës.

Filloi tortura, të 10 kopaçet uleshin e ngriheshin me një ritëm të çregullt mbi trupin e viktimës së mjerë, pa marë parasyshë se ku binin. Oh sa djalë i shëndoshë e i fortë, po e vrasin si gjarpëri me kopaçe. Pas një kohe të disa minutave, Dushani jep urdhër të ndalohen goditjet. Kujtova se do t’i bënte ndonjë pyetje, që natyrisht me anën e torturës të nxirte diçka: “ç’kërkoni nga unë t’u them?”. “Kurgjë”, përgjigjet Dushani, tashti po t’a … të t’ëmën vet! shton Dushani.

Oh, ç’nervozitet! Nënat Shqiptare të shahen nga Dushan sërbiani. Dushani mer një kopaçe në dorë dhe mbasi e ka regulluar viktimën që ishte shtrirë në tokë, mbajtur prej partizanëve dhe mbasi ja vë këmbën e djathtë në një boshllëk i bije me atë kopaçen në qafën e këmbës dhe ja thyen.

Ç’farë torture e ç’far ulurime e bërtime me të ngjeth mishtë. Dushani këmbën e thyer ja rregullon prap n’at mënyrë: e me një të goditur tjetër nja njëzetë centimetro më lart në kërci ja thyen prapë. Nuk mjafton i heq edhe brekët, me një spango të shëndoshë e lith për k… dhe me një purtek të shëndoshë fillon e godit aq sa ato bëhen si ftonj të mbëdhenj. Viktimës shpirti nuk i del; atëherë mer një thikë dhe duke ja çarë kërcin e mëngjër fillon me majën e thikës t’a kruaj kockën lart e poshtë me një ritëm të regullt deri sa maja e thikës del n’anën e poshtme.

Ç’thua ti o shoqe Ender Myrteveliu? Gënjej unë? Ç’thua ti o shok Sulo Gozelli s’janë të vërteta këto? Ç’thua ti e Tahir Kadareja që ndërsa viktima ulurinte e bërtiste ti kërdiseshe nga të qeshurit duke thënë: “bjeri, bjeri”.

Viktima akoma qëndron e gjallë dhe e fortë. Dushani jep urdhër t’i sjellin një litar me një cop dru të shkurtër e të trashë sa llëra. Litarin ja vë në kokë duke kaluar përmes ballit mbi veshët e prapa kokës rreth e përqark; pastaj kombinon drutë me litar dhe këtë e bije rrotull. Druri vinte rrotull litari shtrëngohesh, misht dhe lëkura ju pre. Kocka po i ndrydhesh. Qëpallat e syve të viktimës hapeshin me gishta dhe cingari i ndezur vihesh në dritën e syve, në thonjët e gishtrave të dorës tija hynin gjylpërat dhe dilin nga reza e gishtit.

Ç’më thua ti o Vangjel Argjiri? O kasapi besnik i Dushanit në brigatë. Ç’më thua ti o partizan Ibrahim Hoxha nga Korça që duke bërë torturat me aq etje, kujtonje se Dushani do të bënte Timoshenko? A gënjej unë? A po i bëj të pa bëra këto. Viktima është akoma e gjallë. Fol, o Tahir Kadareja, fol që s’je Razi që këtë çik frymën e fundit të kësaj viktime t’a heqish duke i dhënë një plumb kokës: por akoma insiston për t’ja marë me kopaçe?

Zebhanitë e Xhehnemit rrëmbejnë prapë kopaçen dhe fillojnë goditjet. Eshtra të thyera, eshtra të çara sytë të përzhëlitur, gishtrinjtë të shpuar, trupi i gjakosur nga çurgat e gjakut, pret akoma drunj.
Erdhi koha e fundit, viktima s’lëviste më, jo se i kishte rënë (të fikët) vilani po pse kish dhënë jetën. Dushani heq koburen e tij dhe i jep dy plumba të ngrohtë në kufomën e ftohtë të viktimës që kishte vdekur nga torturat.

Të tërë ishin në gas, për trimërinë që kishin kryer. Dushani në krye më dukesh sikur e kishte qetsuar urin e tij gjakatare nga që sytë e tij të përgjakshëm hidhnin xixa gëzimi. Në këtë kohë vjen dhe një zebani tjetër xhenemi: “këtu e kemi dhe tjetrin”. Mbas katër orë punë të terrorit në torturë Dushanin e kishte marë urija. Ai thotë: “s’kemi nge, do të shkojmë të hamë bukë”. “Po këtë të arestuar që kemi këtu?, thosh një nga partizanët. “Këputi një plumb”, thotë Dushani. Ej, sa fat lumtur ti o viktimë e dytë që u pushkatove pa torturuar, vetëm e vetëm se s’pati kohë Dushani.

U kthyem në çadëre duke hecur. Dushanit i shkova krahun dhe e pyeta: “po ç’kishte bërë ky maskara?”. “Besa kurgjë, po këtyre Devollinjvet duhet t’ja u bësh të gjithëve kështu, pse qenë me neve dhe u kthyen me Ballin”. Ç’thua ti Dushan?, o Sal-a ynë i dashur, nuk janë të vërteta këto? Ç’mendove ti? Se me anën e terrorit do të hidhje Shqiptarët në grushtin t’ënd? Jo jo, vetëm në një gjë pate sukses: në çeljen e vlla vrasjes.

POPULL!
Dushani po të ketë kohë i bën të gjitha torturat që nuk i magjinion mëndja e njeriut, por edhe kur s’ka kohë, plumbin ballit të jep. Hajde, hajde ç’barbarizëm e ç’tmerr!!!
E ju o Partizanë, hiqeni frikën nga terrori i Dushanit, dezertoni nga radhët e shëmtuara të tija dhe ejani në gjirin e Shqipërisë e të Shqiptarëve, të qajmë hallet që na kanë rënë. Mos ki frikë o popull, zëri këta partizanët që kam shënuar këtu, nëmos mundç të zëç Dushanin, thirmëni dhe mua që të kuptosh të vërtetën në se ka nga ndonjë të tepërt nga këto që kam thënë këtu. Në ekzekutimet e torturat e tjera të asaj dite të 13 viktimave nuk shkova të asistoj.

E di o popull që ti do të ngopesh me kaq e do të kuptosh të vërtetën me kaq, por unë do të të kallxoj të gjitha fajet e gjynahet që janë bërë kur kam qënë dhe unë pjestar i barbarizmave. Nesër në traktin e ri akoma kallxime të reja të punrave të vjetra e të shëmtuara që kemi bërë.

POSH TERRORI
RROFTË BASHKIMI
Shqipëri e Lirë 26 Nanduer 1943.

Mblidhuni o Shqiptarë, mblidhuni nji orë e ma parë, të lidhemi me besa-besë.
Mblidhuni që të çfarosim Barbarin!
Mblidhuni që të shpëtojmë djemt t’anë fatkeqë!
Mblidhuni që të mos qajnë ma Nanat Shqyptare.
Mblidhuni që të rrojë Shqipnija!
Xhelal Staravecka

Lini një koment