
Arben SHAHINI
Krimi i organizuar shqiptar është favorizuar dhe fuqizuar si kurrë më parë në dy vitet e fundit, kur vendi ka rënë nën sundimin e koalicionit të majtë të udhëhequr nga Edi Rama dhe Ilir Meta.
Një raport i detajuar mbi portofolin e organizatave kriminale në Europë, evidenton mafian shqiptare si nga më të fuqishmet dhe të rrezikshmet.
Transcrime, (Qendra e Hulumtimit mbi Krimin Ndërkombëtar) ka publikuar më 16 Mars të këtij viti , një raport të detajuar mbi veprimtarinë e organizatave kriminale në Europë, ku Shqipëria zë një pjesë të mirë të gjetjeve përsa i përket aktivitetit të lartë kriminal vitet e fundit. Raporti është kryer, bazuar në projektin e financuar nga Komisioni Europian, OCP (Portofoli i Krimit të Organizuar). Raporti i hartuar nga një grup i gjerë ekspertësh dhe financuar nga KE përqendrohet në natyrën dhe shtrirjen e organizatave kriminale, të ardhurat nga aktivitetet kriminale dhe investimi i tyre në ekonomi, si edhe konfiskimet që kanë bërë autoritetet në Europë.
Prania e vrasësve, trafikantëve të dënuar dhe drogaxhinjve në qeveri, Parlament, çdo nivel të administratës dhe më e rënda në radhët e Policisë së Shtetit ka krijuar një terren tepër të favorshëm për lulëzimin e aktiviteteve të rënda kriminale, si prodhimi dhe trafikimi i drogave, trafikimi i armëve dhe qenieve njerëzore.
Sips raportit, grupet kriminale shqiptare evidentohen me një prani të lartë në Itali, Francë, Greqi, Gjermani, Zvicër, ndërsa në Holandë, Britani të Madhe, Spanjë janë evidentuar si një nga grupet kriminale që po rritin prezencën e tyre në shumë prej aktiviteteve kriminale.
Partneriteti i hapur i Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, qeveritarëve, parlamentarëve, kryebashkiakëve dhe drejtuesve të niveleve të ndryshme të policisë me krimin e organizuar është evidentuar me fakte dhe prova të pakundërshtueshme, si nga media, zyrtarë të policisë dhe raportet zyrtare të qeverisë amerikane, Komisionit Europian dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese europiane dhe ndërkombëtare. Ky partneritet qeveri-krim është provuar përmes situatës në territorin shqiptar, ku mbjellja, prodhimi dhe trafikimi i kanabisit është bërë pothuajse një biznes i ligjshëm, laboratorët e heroinës dhe kokainës konkurrojnë laboratorët e qendrave shëndetësore, pakot dhe ngarkesat me drogë dhe armë janë bërë si dërgesat e kartolinave të vitit të ri dikur. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është kapur në flagarancë duke i ofruar kushërinjve makinën e tij personale për trafikimin e drogave drejt Greqisë, është përgjuar duke dhënë llogari para mafiozëve për veprimet e tij, është evidentuar kryekontrollori i të gjitha trafiqeve kriminale në Shqipëri. Nga ana tjetër Kryeministri Rama është shfaqur publikisht si kapobanda e krimit të organizuar shqiptar, jo vetëm duke mbrojtur Tahirin dhe ushtrimin e lirë të aktiviteteve kriminale dhe kriminelëve nëpër rrugët dhe kufirin shqiptar, por duke vënë veton në ligjin për dekriminalizimin i kërkuar me forcë në Partia Demokratike dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shqiptarët kontrollojnë tregun e heroinës
Organizatat kriminale shqiptare dhe turke kanë kontrollin e shitjes dhe të shpërndarjes së heroinës në Europë, nga e cila llogaritet se përfitohet deri në 10 miliardë euro në vit. Heroina e prodhuar në Afganistan kalon nëpër Turqi për të përfunduar në Europë përmes tri rrugëve ballkanike, si më të shkurtrat dhe më të preferuarat për trafikantët. Nëpër Shqipëri kalojnë dy prej tri rrugëve kryesore që trafikantët e heroinës përdorin për të furnizuar tregun europian. Rruga jugore kalon nga Greqia në Shqipëri për të përfunduar në Itali. Ndërsa rruga perëndimore përfshin sërish Shqipërinë, së bashku me vendet e tjera të rajonit tonë.
Ekspertët vlerësojnë katër arsye kryesore pse organizatat kriminale shqiptare kanë lidershipin në trafikun e heroinës. E para ka të bëjë me pozicionin e tyre shoqëror të mirëfavorizuar nga kriminalizimi i qeverisjes dhe varfëria e madhe. E dyta, prania e lartë e emigrantëve shqiptarë në Europë. E treta, bizneset kriminale që operojnë në bazë të lidhjeve të forta familjare, ku policia e ka vështirë të futet dhe të hetojë. E katërta, pozicioni kyç në rrugët e trafikut të heroinës nga Afganistani drejt Europës.
Shqiptarët kontrollojnë shpërndarjen e heroinës në Francë, Gjermani, Itali, Zvicër, Holandë dhe Britani të Madhe, Belgjikë dhe Luksemburg.
Shqiptarët në bashkëpunim me organizatat kriminale kolumbiane dhe italiane janë tepër aktivë në shumë prej vendeve të Europës për tregtimin e kokainës. Laboratorët e shumtë në Shqipëri për përpunimin e kokainës, afërsia me tregjet e Europës, bashkëpunimi me policinë dhe autoritetet e larta qeverisëse i ka favorizuar organizatat kriminale shqiptare, krahasuar me ato rajonale.
Shqipëria është një prej pesë furnizuesve më të mëdhenj të Europës me kanabis. Tregjet italiane, greke, hungareze dhe sllovene janë të mbytura me prodhimin shqiptar, kryesisht vaj hashashi, ku trafikantët shqiptarë bëjnë transportin dhe kontrollojnë shpërndarjen me shumicë dhe pakicë.
Europoli ka evidentuar se grupet kriminale shqiptare vlerësohen si një prej grupeve kriminale më të dhunshme që operojnë në trafikun e qenieve njerëzore me qëllim prostitucioni dhe shfrytëzim të fëmijëve për të lypur në vendet e Europës, kryesisht në Itali, Belgjikë, Francë, Britaninë e Madhe, Irlandë, Gjermani, Izrael dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Edhe në trafikun e armëve, organizatat kriminale kanë një prezencë të dukshme. Në Greqi, Itali, Bullgari dhe Rumani, kriminelët i drejtohen shqiptarëve për të plotësuar nevojat e tyre për armë. Grupet kriminale në Itali furnizohen sistematikisht me armë dhe municione kryesisht nga shqiptarët, ndërsa portet italiane përdoren për të shpërndarë sasi të tjera drejt Holandës, vendeve të Amerikës dhe Afrikës së Veriut.
Grupet kriminale shqiptare në Francë, Bullgari, Çeki, Sllovaki, Greqi janë nga më aktivet në krimet e grabitjes, zhvatjes dhe shantazhit me gjoba, kryesisht brenda komunitetit të emigrantëve shqiptarë në këto vende. Ndërkaq në Itali, Francë, Gjermani, Britani të Madhe, Finlandë, Suedi dhe Holandë ata janë të përfshirë aktivisht në biznesin e paligjshëm të fajdeve, të grabitjes së shtëpive, grabitjes së makinave dhe grabitjes së konteinerëve me mallra, gjatë kohës që janë të ankoruara në porte, si edhe kur janë duke u transportuar nëpër Europë.
Grupet kriminale shqiptare, por edhe ato turke dhe europiane kanë gjetur në Shqipëri një treg miqësor për investimet e tyre. Mbështetja që sigurojnë përmes korrupsionit nga zyrtarët e ulët deri tek Kryeministri ka krijuar një parajsë për investimet e tyre kryesisht në fushën e shërbimeve, tregtisë, ndërtimit, minierave, karburanteve, hotelerisë dhe kazinove.
Fitimet, mbi 5 miliardë euro në vit
Studimi ka llogaritur se çdo vit në Europë, organizatat kriminale arrijnë të fitojnë afërisht 110 miliardë euro. Nisur nga portofoli i zgjeruar i aktiviteteve kriminale, ku veç tregtisë së drogave merren në konsideratë përfitimet që sjell trafiku i armëve, prostitucioni, grabitjet, fajdet, fiksimi i rezultateve të ndeshjeve, bixhozi, kjo shifër përbën afërsisht 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm të Bashkimit Europian.
Studimi është rajonal dhe nuk jep detaje të hollësishme për organizatat kriminale dhe portofolin e secilës prej tyre, por shifrat e narkotrafikut janë të frikshme.
Grupet kriminale shqiptare me qendër në Shqipëri dhe ato me të cilat koordinohen në Europë kanë pjesën e luanit në trafikun e heroinës. Bashkë me turqit, shqiptarët kontrollojnë një treg që shkon në 10 miliardë euro në vit. Të ardhurat totale të organizatave kriminale europiane në trafikimin e kokainës shkojnë në 7.5 miliardë euro në vit. Ndërkaq, për trafikun e hashashit kemi të bëjmë me një treg që gjeneron afërsisht 7 miliardë euro në vit përfitime.
Nisur nga prezenca e konsoliduar e organizatave kriminale shqiptare në Itali, Francë, Gjermani, Zvicër, Belgjikë, por edhe prania gjithnjë e më e shtuar e tyre në Spanjë, Holandë dhe Britani të Madhe dhe vende të tjera europiane, mund të deduktojmë se përfitimet e mafias shqiptare shkojnë në mbi 5 miliardë euro në vit. Sigurisht se kjo është një pjesë që duhet ndarë edhe me kontigjentet kriminale shqiptare që operojnë në rajon, por është tepër e lartë për të mos parë ndikimin që ka në realitetin shqiptar. Një vend ku kriminelët bredhin me makinën e ministrit të Brendshëm, ku kriminelët drekojnë me Kryeministrin dhe policët e devotshëm burgosen, ku i vihet flaka laboratorit të kriminalistikës dhe digjen provat që kryqëzojnë partnerët e pushtetarëve të lartë, ku Kryeministri terrorizon prokurorë dhe gjykatës që guxojnë të zbatojnë ligjin, është tashmë një shqetësim europian dhe ndërkombëtar. Oligarkët e krimit bëjnë ligjin në këtë vend dhe miliardat e tyre veçse shtohen nën këtë qeverisje.