Kategori
Uncategorized

Rama tre “Benz”-a me nga 700 mijë euro secili .

Ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje në ‘Parlament një tjetër skandal sipas të cilit qeveria ka porositur 3 “Benz”-a të blinduar me vlerë më shumë se 2 mln euro, përkatësisht rreth 700 mijë euro secila. “Përveç “jaguarizimit” të qeverisë, tani na dalin dhe tre “Benz”-a që kushton secili të paktën 700 mijë euro. Gjatë qeverisjes sime, e vetmja veturë e blerë për delegacionet e huaja, ishte një “Benz” i blinduar, bashkë me “Benz”-in e blinduar që kisha trashëguar nga paraardhësi im dhe që na ka lënë mes rrugës ndonjëherë po punë e madhe, përveç atij nuk kishte makinë tjetër të blinduar kryeministri. Atë “Benz” të blinduar nuk e ka përdorur në asnjë rast, në asnjë rrethanë asnjë personalitet shqiptar, as Presidenti, as Kryeministri, as Kryetari i Kuvendit”, u shpreh Berisha. Ish-Kryeministri e cilësoi të paprecedent porositjen e të tillave makinave luksoze, vendimi për të cilat jo vetëm është marrë në mënyrë të fshehtë, por njëkohësisht vjen në një kohë, kur vendi është përfshirë nga kriza e rëndë ekonomike, varfëria dhe papunësia. “Atë “Benz” të blinduar që kushtonte mbi 600 mijë euro, sapo erdhi në pushtet Edi Rama e transferoi për veten e tij. Kjo është e vërteta, e kam denoncuar që në atë kohë. Tani na porositen tre “Benz”-a të tjerë të blinduar. Ky është një akt i shëmtuar. Unë jam shumë dakort që të porositet edhe një, megjithëse besoj se gjatë dy viteve nuk pati asnjë rast, nuk mbeti asnjë i huaj që kishte mbrojtje me makina të tilla, të mbetej pa të, sepse e kishte zënë një tjetër. Por ta zëmë se veprimtaritë mund të vijnë, duke u shtuar, edhe një tjetër them se duhet të merret, por të blesh tre, do të thotë të jesh një makut, të jesh njeri i pashpirt, të jesh një njeri që je verbuar, të ka verbuar luksi, të ka verbuar frika, të kanë verbuar shumë faktorë. Po si mund të marrësh edhe tre makina të tjera të blinduara? A nuk jeni ju që ngritët zërin në qiell pse unë mora një makinë për delegacionet. Nuk e mora për vete, se kam parë me sy një herë. Dhe duhet ajo, dhe po të doni duhet dhe një tjetër, po jo për Edi Ramën. Edi Rama e ka atë që kam trashëguar unë nga paraardhësi im, atë e ka aty. Të ketë tre makina që rrinë aty për t’i shijuar Edi Rama sa herë t’i teket, ky është krim, është mëkat.”, tha Berisha.

Rama shpalli Top Sekret për 10 vjet blerjen e Jaguarëve

Berisha demonstroi dje para deputetëve dokumentin, i cili mban datën 1 tetor 2015 në të cilin Ministria e Brendshme ka porositur blerjen e makinave luksoze tip Jaguar me një afat ruajtjeje për 10 vjet. “Qeveria është verbuar! Këtu kam dokumentat e tenderit të makinave, sekretit të madh. Sekret me afat ruajtjeje 10 vjet . Po cili është sekreti? Veturat qeveritare. A e kuptoni apo jo, vjedhja është sekreti. Këta kanë sekretuar vjedhjen. Qeveria në këtë vendim sekret të datës 01/10/2015, më saktë Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës, porosit ….Termin “sekret” e keni vendosur ju në vendim jo unë. Ju lutem zoti kryesues i seancës fotokopjojeni vendimin dhe jepjuani të gjithë deputetëve. Se ka hackers që i nxjerrin ajo është punë tjetër pastaj, ata janë miqtë e mi. Janë 42 vetura” tha Berisha.

1.2 milionë euro çdo vit do paguajmë për Jaguarët

1.2 milionë euro është kostoja që do të paguajmë çdo vit për qeranë e jaguarëve të porositur nga Rama. “A e dini ju çpo ndodh tjetër? Sa është qeraja në vit e makinave të këtij vendimi sekret? 1 milion e 2 mijë euro në vit është qeraja e tyre” denoncoi dje Berisha në Parlament. Përmes një tenderi të fshehtë, qeveria do të blejë 44 makina me qira financiare përmes një procedure prokurimi sekrete të organizuar nga Garda e Republikës. Një vendim i qeverisë i cili nuk u publikua asnjëherë në faqen e qeverisë “kryeministria.al” në atë kohë, urdhëron të gjitha institucionet shtetërore të dorëzojnë te Garda e Republikës fondet që kanë në dispozicion për makinat e titullarëve, si dhe ngarkon Gardën të kryejë procedurat e prokurimit të mjeteve të reja. Makinat që do të blihen janë të markës “Jaguar” dhe se kushtojnë 95 mijë USD copa. Vendimi i qeverisë thotë se Garda do të blejë gjithsej 44 automjete, nga të cilat, 8 për Kryeministrin, 14 për Këshillin e Ministrave, 4 për kryetarin e Kuvendit, 2 për Presidentin dhe nga një për 16 ministri të tjera të linjës. Vendimi i qeverisë i jep gjithashtu të drejtë Gardës së Republikës që të mos ndjekë procedurat normale të prokurimit me garë duke argumentuar se çështja është sekret shtetëror për arsye sigurie. Përveç tetë makinave që do të blihen për “titullarin e institucionit” të Kryeministrisë, vendimi i qeverisë i kërkon Gardës të blejë edhe 14 makina të tjera për “aparatin e institucionit”. Kryeministria është i vetmi institucion që do të blejë makina jo vetëm për titullarin, por edhe për aparatin. Ministritë e tjera do të blejnë nga vetëm një makinë secila. I gjithë ky shpenzim luksoz i Ramës do tu kushtojë qytetarëve plot 1.2 milionë euro çdo vit.

Në dy vite Rama mori 2.4 miliardë euro borxh

2.4 miliardë euro është shuma stratosferike që Rama ka marrë borxh në vetëm dy vite të qeverisjes së tij. Gjatë seancës së djeshme plenare, ish-Kryeministri Berisha deklaroi se asnjë nga këto para të marra borxh nuk është shpenzuar për shërbime ndaj qytetarëve apo investime publike. “A po i bëni ju rrush e kumbulla paratë e taksapaguesve. KLSH ka gjetur 399 tendera me abuzime, në një total prej 720 milionë euro. Për qytetarin që e ka të vështirë ta imagjinojë, unë i them të shtrojë një pyetje. Këta zotërinj në dy vjet kanë marrë 2.4 miliardë euro borxh. Këta zotërinj në dy vjet në mënyrë absolute s’kanë përfunduar një kilometër rrugë të plotë, nga ato që u kam lënë unë në përfundim e sipër, qeveria e mëparshme. Po çfarë ndodh me paratë? Paratë vidhen. Se po ja u more 30%-shin kompanisë, kompania thotë ku të kam parë pastaj, bën si do vetë dhe s’të bën as punime, i shtyn punimet, i bën të këqija dhe s’të bën asgjë. Unë para shumë shumë vitesh një deputet që është këtu në sallë do vinte të më thonte në zyrë, se kjo po ndodh, këtë po na bëjnë. Dhe kjo po ndodh edhe tani prandaj spo bëhet asnjë punë. Këtu është problem shumë se s’ke me kë të flasësh. Del lista, 80 tatimorë me nga 7 mijë euro në xhep i emëron një deputet, 18 arsimtarë një tjetër. Jeni lëshuar si lukuni për të vjedhur. Pra, po vidhet masivisht dhe produkti është pothuajse zero. Përveç ndonjë shatërvani, përveç pllakave e sheshi të ndonjë qyteti, nuk ka asnjë punim tjetër”, tha ish-Kryeministri Berisha. Ish-Kryeministri theksoi se janë me qindra milionë para që shpenzohen për luksin qeveritar.

Emërimet skandaloze në arsim, 7 mijë euro për emërimin si mësues

Në një replikë me deputetin Erion Braçe në lidhje me listën skandaloze të emërimeve në arsim, ish-Kryeministri Berisha deklaroi se vendet e punës në arsim janë shndërruar në një pazar ordiner, ku për emërimin e një mësuesi merren deri në 7 mijë euro ryshfet. “Unë nuk jam kundër që çdokush të flasë dhe të replikojë me mua. Sepse edhe kryetari juaj më thotë Kryeministër. Pasi më thotë 3 herë Kryeministër, më drejtohet si ish-Kryeministër. Për mua është vlerësim kjo. Por po rrini në kohën time. Për mua… rrini sa të doni në kohën time. Nga i pari tek i fundit prej jush, jetoni në kohën e Sali Berishës. Ky nuk është faji im. Është dështimi juaj apo suksesi juaj, punë tjetër. Në këtë kontekst parafolësi i akuzave të mia konkrete me dokumente, me fakte iu përgjigj me shpifje dhe trillime pa hedhur poshtë asnjë prej tyre. Unë fola për tendera të shpallura ‘sekret’ për prapanicat e qeveritarëve dhe ministrave. Po çfarë sekreti përbën vetura e ministrit? Kjo është çmenduri, kjo është oruelliane, kjo është fyerje dhe turp për një vend. Unë prisja reagim tjetër jo reagime të tilla. Ju jetoni në kohën time, vazhdoni. Unë fola këtu për ndrikullën Nushi, e cila sot është më e fuqishme se ç’ishte klani saj në kohën e Enver Hoxhës në grabitjen dhe plaçkitjen e pasurive publike. Unë fola këtu për emërime të bëra për 6000-7000 euro në arsim e kudo. Po njeriu ka një kod etik. Po sigurisht kur s’të detyron asgjë, nuk i lejoj vetes të emërojë asnjeri, mbi të gjitha për të mos u përfolur në radhë të parë, kanë një procedurë ligjore emërimet. Por nëse një deputet ka emëruar 80 tatimorë unë ju garantoj se kjo mund të jetë e pashembullt në historinë e këtij vendi. Si mund të emërojë një deputet 80 tatimorë? A ka një procedurë, a ka një konkurs, një rregull, një ligj, një kod për emërimin e tyre”, tha Berisha.

Arben Shahini

Lini një koment