Kategori
Uncategorized

Te te vrasin me veze.

IMG_20151103_015915

Të godasësh një “lidër botëror” me vezë përbën lajm.
Për liderë të tillë të pompuar me delir dhe mitomani, është më e lehtë pesha e plumbit se ajo vezës.
Udhëheqësi hokatar i socialistëve do ta ketë të vështirë ta harrojë ngjarjen e djeshme, dhe jo vetëm gjatë këtyre viteve të mbetura në politikë. I mësuar të tallet pafundësisht me këdo dhe në çdo kohë, dje e ka parë veten të poshtëruar në mes të Tiranës nga një grup studentësh, të cilët i kanë errësuar personalitetin mitik të të fortit të mbrojtur në Parlament nga banditë e trafikantë, dhe në rrugë nga dhjetra bodigardë, duke e qullur me vezët e pularisë së Dukës apo të Doshit.
Dhe kë qëlluan? Atë, që i kishin përgatitur atentat në mes të Beogradit dhe dështuan! I kishte shpëtuar deri dje të gjithë planeve konspirative dhe haluçinante të atentatorëve profesionistë si lider i madh i arenës politike dhe kishte harruar ata që të vrasin me vezë.
Rebelizmi i studentëve dhe të rinjve në këtë vend ka sjellë gjithmonë rënien e idhujve dhe miteve të rremë. Ata studentë kanë përsëritur historinë dje. Bënë të njëjtën gjë që bënë paraadhësit e tyre 25 vite më parë kur vranë frikën dhe rrëzuan simbolin e së keqes së kohës, bustin e diktatorit.
Kjo ka ndodhur edhe dje. Një tjetër simbol i pushtet autoritar, i shtetit burg, i ligjeve të shtetëzimit të pronave, të grabitjes dhe zhvatjes masive të partisë-shtet, ka rënë duke u vrarë për së gjalli me vezë dhe jo i tretur në bronz.
Rama është poshtëruar si askush më parë në atë post.
Sali Berishën tentuan ta rrëzojnë me revolucion në ’97 duke angazhuar të gjitha bandat dhe arsenalin ushtarak dhe nuk mundën, tentuan me atentate dhe nuk mundën.
Fatos Nano vërtet iku nga Kryeministria i veshur si fshatar në ’98, por u justifikua se ishte sulmuar me armë. Gramoz Ruçi u vesh si grua kur mori malin për të kaluar për në Greqi, por prap u justifikua se e ndiqnin njerëz të armatosur, ndërsa këtë që është sot në krye të qeverisë e kanë rrëzuar me vezë!
Kishte premtuar se do të mbetej në histori dhe vërtet dje ia ka arritur. Është i pari Kryeministër në këto 25 vite që poshtërohet kështu.
Studentët kërkojnë Arsim të Lartë Publik falas dhe kjo është beteja e drejtë jo vetëm e tyre, por edhe e politikës dhe shoqërisë. Studentët kanë një kauzë të tyre, por reagimi djeshëm në rrjetet sociale dhe portalet informative ishte një shpërthim i një revolte të pakrahasueshme që politika duhet të dijë ta lexojë.
Rama ishte i pari që e bëri. Ai urdhëroi lirimin brenda disa orëve të studentëve që e kishin poshtëruar me vezë. Këtë nuk e bëri për shkak të humanizmit ndaj të rinjve. E bëri nga paniku. Një konfrontim me studentët do të sillte hapjen e një valvule shpërthimi të pakënaqësisë dhe zemërimit të përgjithshëm që mbizotëron kudo. Ai nuk është i gatshëm për këtë betejë sepse e di që nuk do të mund ta fitojë. Kështu bëri edhe me armët kimike. U dorëzua në momentin e fundit dhe me një kosto të madhe duke bërë kundër vetes Shtetet e Bashkuara.
Rama i liroi studentët, por revolta mbetet. E ka shtyrë në kohë, por diku ajo do të shpërthejë sërish. Reagimi i djeshëm ishte jashtë ndikimit të politikës, por kundër politikave të qeverisë. Ata studentë shërbyen si një lokomotivë e shpërthimit të revoltës së brendshme që është kudo, por që askush nuk e di se si do të materializohet në të ardhmen.
Mënyra se si rrodhën ngjarjet tregoi se kjo revoltë mund të tejkalojë të gjithë sistemin. Hallkat e zinxhirit të durimit janë dobësuar dhe ato janë gati që të këputen.
Rritja e skajshme e varfërisë, terrori ndaj biznesit, papunësia e lartë, korrupsioni i shfrenuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe tek e fundit edhe mbyllja e kufijve të emigracionit drejt Gjermanisë, ku Rama shkarkoi një pjesë të mirë të energjive negative përgjatë këtyre dy viteve, e bëjnë të pashmangshme nevojën për ndryshim politik.
Pasi e qëlluan me vezë dje, Rama nxitoi në PS për të dhënë direktivat për njerëzit e tij që të shpërndahen në bazë. Ai po e ndjen rrëzimin nga pushteti njëlloj sikurse minjtë tërmetin dhe po kërkon të shpëtojë çfarë të mundet duke u përgatitur për zgjedhje sipas mënyrës së vet
Nga Bledi Kasemi.

Lini një koment