Kategori
Uncategorized

55 për qind e 32 874 “ndjekësve” të profilit të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Twiter janë false…

 Politikanët shqiptarë, mbështetës të rremë në rrjetet sociale, ja të dhënat…

Një aplikacion i rrjetit social Twitter mund të tregojë sesa profile të rremë ekzistojnë në çdo profil. Sipas këtij aplikacioni (Fake Follower Check application), 55 për qind e 32 874 “ndjekësve” të profilit të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Twiter janë false.

Nga rreth 32 mijë ndjekës, 34 për qind e tyre janë inaktivë dhe shumë pak të angazhuar në Twitter dhe vetëm 11 për qind bëjnë pjesë në ata ndjekës ose mbështetës që mund të quhen përdorues të mirë.

Që prej shtatorit të vitit 2011, Rama ka nisur gjithnjë e më shumë të përdor rrjetet sociale dhe blogjet për të transmetuar idetë politike, axhendën e aktiviteteve dhe qëndrimet kritike ndaj mazhorancës, si dhe reagime të shkurtra ndaj zhvillimeve që ndodhin në moment.

Përdorimi i Twitterit nga ana e tij është një prej arsyeve që rriti popullaritetin e këtij rrejti social në Shqipëri, i cili ishte i lënë në hije nga rivali i tij, Facebook.

Me një gjuhë më të thjeshtë, llogarit false ose të rreme, janë ato që krijohen për të dërguar viruse ose spame dhe nuk korrespondojnë me persona realë. Ndërsa llogaritëinaktive janë ato, përdoruesit e të cilëve janë realë, por nuk e frekuentojnë shpesh këtë rrjet social, ose e përdorurin shumë rrallë atë.

“Mbështetësit” falsë mund të blihen në internet dhe janë shumë faqe që ofrojnë këtë shërbim me një kosto prej 0.1 dollarë. Por ndryshe nga rrjeti sociale Facebook, Twitter është më i përshtatshëm për ndjekës të rremë. Për shembull 35 për qind e 19 milionë “ndjekësve” të profilit të Presidentit të SHBA-ve, Barak Obama janë të rremë, 36% janë inaktivë dhe vetëm 29 për qind e tyre cilësohen si “të mirë”.

Drejtori për Komunikimi në Partinë Socialiste Endri Fuga tha për “Balkan Insight” se drejtuesi i PS-së nuk ka blerë asnjë herë përdorues të rremë për faqen e tij në Twitter, ndërsa ka vënë në dyshim dhe të dhënat që ka nxjerrë aplikacioni për përdoruesit e rremë.

“Në Shqipëri Twitter nuk është rrjeti social më i përdorur, shumë (persona) kanë profile që nuk i përdorin, kjo mund të shpjegojë dhe numrin e lartë të profileve të rremë, nëse të dhënat për profilet e rremë që kini bërë janë të sakta”, shprehet Fuga.

Më tej, Fuga shton se edhe themeluesi i Microsoft Bill Gates dhe kryeministri britanik David Cameron, gjithashtu kanë një numër të madh “ndjekësish” të rremë dhe inaktivë.

“Unë nuk besoj se Bill Gates dhe David Cameron kanë blerë përdorues të rremë në Twitter dhe jam i sigurt se metoda të tilla nuk janë pjesë e punës”, shtoi Fuga.

Nga mazhoranca, i vetmi politikan që ka një prani të konsiderueshme mbështetësish në rrjetin social Twitter është  Lulëzim Basha.

Ai ka disa adresa dhe më kryesorja prej tij ka 1 600 “ndjekës”.

Megjithatë,  Erald Kapri, mohoi që Basha ose stafi i tij të kenë hapur ndonjë llogari në Twitter. Ndërsa atë që ka më shumë mbështetës e ka cilësuar si të “hapur nga ndonjë prej fansave të tij”.

Përdorimi i internetit është një trend që po njeh gjithnjë e më shumë rritje në Shqipëri, ku përdorimi i internetit dhe rrjeteve sociale ka njohur rritje masive gjatë dy viteve të fundit.

Sipas statistikave të faqes Social Bakers, ka më shumë se 1 milion përdorues të rrjeteve sociale Facebook në Shqipëri, afërsisht 30 për qind e popullsisë. E thënë ndryshe, dy të tretat e shqiptarëve kanë akses në internet.

Rreth 67 për qind e përdoruesve të internetit në Shqipëri janë mes 18 dhe 34 vjeç, moshë e cila nuk është shumë aktiv, sipas studimeve, kur vjen fjala për të marrë pjesë në studime.

Sondazhet tregojnë se gati një e treta e të rinjve në Shqipëri preferojnë të marrin informacionet në internet, duke përdorur faqet on-line, rrjetet sociale Facebook. Twitter dhe i Youtube.

Sipas një studimi të Institutit Eunaca me seli në Tiranë, rreth 30.4 për qind e të rinjve në Shqipëri, mosha 15 deri në 39, i referohen medies sociale për të marrë informacione në lidhje me politikën.

 

Lini një koment