Kategori
Uncategorized

Deklarata e Ramës në Bruksel, nis ngritja e kampeve të refugjatëve në jug

Autoritetet shqiptare po përgatisin terrenin për pritje të një vale të mundshme refugjatësh nga zonat e luftës, pak orë pasi kryeministri Edi Rama tha nga Brukseli se “besohet se me ardhjen e dimrit, ekziston mundësia për një rrugë të re të devijuar drejt Shqipërisë”.

Dhe menjëherë pas kësaj deklarate që lëshoi Rama në samitin e Brukselit për emergjencën humanitare të refugjatëve, kanë nisur masat e qeverisë, konkretisht të ministrisë së Mbrojtjes.

Mësohet se ish reparti ushtarak i Kapshticës në zonën e Bilishtit, fare afër vendkalimit kufitar me Greqinë, do të shndërrohet në bazë pritjeje për refugjatët.

Burime të ndryshme thonë se pritet një valë të ardhurish nga Siria dhe kjo mund të shkaktojë krizë humanitare, ndaj edhe po përgatitet terreni për një pritje të mundshme të tyre, pasi zona e Kapshticës është më e mundshmja për kalimin e tyre përmes Greqisë.

Kjo godinë e braktisur prej vitesh që shihni në foto pritet që të kthehet në kamp refugjatësh dhe tu ofrohet atyre si strehë. Kapaciteti maksimal në këtë ish repart ushtarak është 500 njerëz.

Kjo lëvizje vjen edhe pas kërkesës së Ministrisë së Brendshme për përcaktimin e hartës për ndërtimin e kampeve për këta refugjatë, ndaj autoritetet vendore kanë marrë masat e para, ndërsa më tej do të punohet për përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e rezervave ushqimore dhe akomoduese për refugjatët.

Lini një koment