Kategori
Uncategorized

Kush eshte Abaz Aliu.


Kush është Abaz Aliu?!

Abaz Aliu është i biri i Imam Aliut dhe e ëma e tij quhej Umul Benin. Ai u lind në datën katër të muajit Shaban të vitit 26 hixhri në qytetin e Medinës. E ëma e tij, Fatime Umul Benin, ishte e bija Hizambin Khalidit, i cili ishte një ndër më trimat ndër arabët. Imam Aliu, dhjetë vjet pas vdekjes së Hazreti Fatimesë u martua me Umul Benin dhe si lidhës i kësaj martese ishte i vëllai i tij Akili.

Thuhet që teksa Umul Benini po hynte në shtëpinë e Aliut Hasani e Hyseni ishin të sëmurë, ajo u përkujdes për ta derisa ata u shëruan. Umul Benin nuk lejonte që ta thërrisnin Fatime, sepse kishte frikën se mos Aliut dhe të bijve të tij i rikujtoheshin vuajtjet dhe pikëllimet e saj dhe kështu do të mërziteshin. Nga kjo martesë lindën kater djemë që ishin Abazi, Auni, Xhaferi dhe Osmani por më i madhi prej tyre ishte Abazi. Fatimeja, për shkak se pati katër djen u quajt Umul Benin – nëna e djemve.

Kjo ishte kaq shumë besnike ndaj Imam Aliut saqë pas martirizimit të tij nuk u martua më, ndonëse rrojti edhe më shumë se njëzet vjet të tjera. Kur lindi Abazi, Imam Aliu i këndoi ezanin dhe ikametin në vesh, i këndoi në vesh edhe emrin e Allahut dhe të dërguarit të tij dhe i vuri atij emrin Abaz! Imam Aliu herë pas here e shtrëngonte fort në gji Abazin, i puthte krahët dhe pastaj vajtonte. Një ditë Umul Benini e pyeti shkakun se pse ai po vajtonte e ky u përgjigj, se këto krahë do të priten gjatë rrugës për të ndihmuar Hysenin! Abaz Aliu u rrit në prehrin e ngrohtë të të nënës së tij besimtare dhe besnike dhe së bashku me Hasanin e Hysenin, prej të cilëve mësoi mësimet e madhështisë së njeriut, martirizimit dhe sinqeritetit.

Një ditë prej ditësh, Aliu e uli Abazin e vogël pranë tij dhe i tha atij: “Thuaj, një!”, Abazi tha: “Një!”, Imami i tha: “Thuaj, dy!”, por Abazi nuk pranoi të thoshte. Kur imami e pyeti se pse nuk thotë dy, Abaz Aliu u përgjigj: “Më vjen turp që me gjuhën që kam shprehur njëshmërinë e Zotit, të them dy!” Abazi nuk ishte vetëm i madh në trup, po ai kishte edhe një mencuri të madhe. Ai me siguri e dinte se ishte lindur për një ditë të madhe, për ashuren! Abaz Aliu mori pjesë në luftërat e të atit, në moshën dymbëdhjetë apo katërmbëdhjetë vjecare, ndonëse atij i lejohej pjesëmarrja në luftëra. Që në atë moshë ai ishte ndër më trimat në mesin e heronjve arabë. Në njërën prej ditëve të luftës të Sifinit, në sheshin e luftës doli një djalosh me fytyrë të mbuluar. Ushtria e Muavijes po dridhej nga frika. Ushtarët armiqë pyesnin njëri-tjetrin se kush mund të ishte vallë ky djalosh, i cili me guxim të madh doli në sheshin e luftës. Nga ushtria e Muavijes askush nuk guxoi të dilte në shesh. AI urdhëroi oborrtarin e tij që quhej Ibn Shuatha që të shkojë të luftojë me këtë djalosh. Ibn Shuatha u përgjigj: “Mua më quajnë trim sa për dhjetë mijë luftëtarë si po më dërgon të luftoj kundër një fëmije?” Më mirë po nis një nga djemtë që të shkojë e ta vrasë atë! Muavija pranoi dhe Ibn Shuatha dërgoi në dyluftim djalin e tij më të madh. Mirëpo ai u vra sa hap e mbyll sytë. Më tej Shuatha dërgoi djalin e tij të dytë, po edhe ai u vra dhe kështu me radhë iu vranë të shtatë djemtë. Atëherë i inatosur Ibn Shuatha doli në shesh të luftës dhe me inat iu drejtua luftëtarit, duke i thënë se ti që më vrave djemtë, do të të vajtojnë yt atë dhe jot ëmë. Por edhe vetë ati pas një dyluftimi të shkurtër shkoi pas të bijve! Që të gjithë e shikonin të habitur këtë djalosh trim. Imam Aliu e thirri atë, i hoqi mbulesën nga fytyra dhe e puthi në ballë! Që të gjithë të habitur panë se ai ishte Abazi.

Pasi ndërroi jetë i ati, Abaz Aliu, përjetoi edhe vitet e hidhura të imamatit të të vellait të tij, Hasanit. Vite në të cilat hiletë dhe dredhitë, dhuna dhe intrigat e MUavijes kishin arritur kulmin dhe shumë nga shokët trima të Imam Aliut dhe Imam Hasanit kishin rënë dëshmorë. Ishte periudha kur nëpër xhamitë që kontrolloheshin nga Muavija, shahej Imam Aliu, kur Imam Hasani u helmua dhe më pas ra dëshmor. Abaz Aliu ishte në moshën njëzet e katër vjecare. Vdekja e Imam Hasanit edhe njëherë e mbyti në vaj fisin e Beni Hashimit, midis të cilëve edhe Abaz Aliu. Ky, u martua disa vjet pas vdekjes të së atit, me një vajzë të quajtur Lubabe, vajzën e Abdullah Ibn Abasit. Abdullahu ishte transmetues hadithesh dhe një prej nxënësve më të daluuar të Imam Aliut. Kështu, nusja Lubabe ishte rritur në një ambient mistik dhe fetar. Nga kjo martesë Abaz Aliu pati dy fëmijë, Ubejdullahun dhe Fazlin. Pas lindjes së Fazlit, Abaz Aliu u quajt Ebu-Fazl! Por disa të tjerë mendojnë që arsyeja që Abaz Aliu u quajt kështu, ishte për hir të mirësisë së tij të pafundme.

Gjatë gjithë jetës së tij Abaz Aliu, i kishte qëndruar pranë të vëllait, Imam Hysenit. Rininë e tij ai e kaloi duke i shëbyer atij. Në mesin e të rinjve të fisit Beni Hashim, ai spikaste më shumë se kushdo tjetër dhe gëzonte respekt në mënyrë të vecantë. Që të gjithë të rinjtë që ishin rreth tridhjetë vetë, e rrethonin Abaz Aliun si flutura që rrotullohet rreth qiriut dhe e shtrëngonin atë me dashuri. Që të gjithë ata ishin të gatshëm që të binin dëshmorë në krah të tyre. Në fushën përvëluese të Qerbelasë, kur Abaz Aliu vuri re buzët e thara dhe sytë e përlotur të fëmijëve të Imam Hysenit rrëmbeu kacekun dhe u nis për të dhënë provimin më të madh të jetës së tij. Ai u nis për të mbushur ujë dhe me trimëri cau radhët e armikut, mbërriti në breg të lumit Eufrat, e mbushi kacekun e lëkurës plot me ujë, dhe buzëthatë e hodhi vështrimin në ujin e kthjellët të Eufratit, por nuk guxoi të pijë as një gëllënkë ujë! Sepse Hysejni dhe të bijtë ishin të etur dhe nuk ishte e meritueshme që ai të shuante etjen para tyre! Armiku e dinte më së miri që përderisa Abaz Aliu të kishte krahët, nuk kishin mundësi të përballeshin me të. Kështu ata morën shenjë dhe qëlluan krahët e tij. Trimi për të ruajtur ujin, i humbi të dy krahët. Nga goditjet e armikut ai u rrëzua nga kali. Imam Hyseni i shkoi pranë Abaz Aliut, i qëndroi mbi kokë dhe e shtrëngoi fort në gji të vëllanë e tij të dashur, i cili më pas nxitoi për të Zoti i tij, duke lënë vetë Imam Hysenin me një mal brengash dhe pikëllimesh në Qerbela. Abaz Aliu ra dëshmor në moshën tridhjetë e pesë vjecare. Imam Sexhadi, thotë kështu për xhaxhain e tij, Abaz Aliun: “Zoti e mëshiroftë xhaxhain tim Abazin, i cili u vetëflijua në rrugën e të vëllait duke dhënë edhe shpirtin. Ai tregoi vetëmohim të madh saqë iu prenë të duja duart. Zoti si shpërblim atij, ashtu sikurse bëri edhe me Xhafer in ebu Talibin, si kompenzim ndaj të dy duarve të prara, iu dhuroi dy krahë për të fluturuar në xhehnet së bashku me engjujt. Abaz Aliut, Zoti i dha një pozitë dhe rang të lartë, saqë në ditën e kiametit që të gjithë martirët do ta kenë zili atë.”

***
Shkëputur nga revista “Urtësia” e Komunitetit Bektashian Shqiptar. Numër special për nder të Matemit 2014.

 · 

Lini një koment