
Varrosi taksën e sheshtë edhe veten
Sali BERISHA
Shpreh shqetësimin e thellë për diletantizmin, elektoralizmin që ka dëshmuar qeveria në përzgjedhjen e projekteve për Samitin e Vjenës. Duke përshëndetur këtë Samit si një ngjarje historike tjetër dhe vërtet, ta quajmë procesi apo nisma e Berlinit, vazhdimi i saj përbën, pas perspektivës europiane dhe euroatlantike, zhvillimin më të rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve të vendeve të rajonit njëra me tjetrën dhe me Europën e pasLuftës së Dytë Botërore.
Samiti i Vjenës, Rama përjashton hekurudhën Tiranë-Prishtinë
Ky rajon, që u karakterizua nga konfliktet që trashëgoi prapambetjen e diktaturave, edhe pas 20 vitesh nuk ka një projekt të vetëm rajonal europian. Dhe pikërisht kësaj mungese i jep përgjigje, mendoj unë, më serioze nisma e Berlinit, Samiti i Vjenës dhe samite të tjera që do të vazhdojnë. Por çfarë po ndodh? Qeveria shqiptare dërgon atje projekte, të cilat nuk kanë fizibilitetin, janë të ndikuara nga elektoralizma dhe shmang projektet më kryesore dhe unë dua të them këtu se projekti i të gjitha projekteve rajonale për Shqipërinë, Kosovën, por dhe më tutje është hekurudha Tiranë-Prishtinë apo më thjesht Milot-Prizren. Është kjo hekurudhë, e cila bën që Shqipëria të përfitojë në shkallë maksimale nga pozicioni i saj strategjik. Shqipëria ka një pozicion strategjik të padiskutueshëm, që i ka kushtuar gjatë shekujve dhe kohërave mbi 40 e ca pushtime. Koha është që ky pozicion të funksionojë për shqiptarët. Rruga e Kombit bëri që çdo vit, jashtë parashikimeve, jashtë studimit të fizibilitetit, qytetarët shqiptarë të përfitojnë 250 deri në 300 milionë euro nga flukset e mëdha të tregut dhe njerëzore që ajo krijon, por rruga e tregut është vetëm gjysma e potencialit të jashtëzakonshëm. Por, hekurudha është përgjigjja përfundimtare. Hekurudha bën portet tona portet më të afërta, në Adriatik për Kosovën, për Maqedoninë, për Bullgarinë Perëndimore, për Rumaninë Perëndimore, për Serbinë, për Hungarinë. Hekurudha është linja e fushës drejt Europës Qendrore dhe autoritetet e Shqipërisë dhe të Kosovës nuk mund të gjejnë, por askush nga ata që u ulën të analizojnë me ndershmëri dhe gjakftohtësi, një segment më të dobishme për ndërtim se sa 130 km hekurudhë Milot-Prizren. Unë dua të informoj dhe uroj që ambasadori austriak t’ia përcjellë qeverisë së tij një kujtesë të shkurtër, austro-hungarezët, atë periudhë të shkurtër që qëndruan në Shqipëri, projektuan hekurudhën Gjakovë-Shkodër, piketat e së cilës janë edhe sot. E projektuan atë si hekurudhë paqeje, e projektuan atë si një linjë të fuqishme tregu. Ndaj dhe është rasti që të rrëmohet në arkivat e ish-Perandorisë, se do të gjejnë projektin, të cilit i ka ardhur dhe po i kalon koha. Në samite shkohet për projekte rajonale, nuk është rajonale hekurudha Tiranë-Vlorë, atë e bën Shqipëria. Rajonale është Porti i Vlorës. Vlora ka ujërat më të thella të rajonit dhe për rrjedhojë në Vlorë mund të ndërtohet porti i ngarkesave më të mëdha, i konteinerëve dhe i anijeve gjigante, i cili i shërben Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Hungarisë, Maqedonisë, Bullgarisë e me radhë. Jam absolutisht dakord që të bëhet gjithçka për sistemin hekurudhor, por sistemi hekurudhor në ndërtim të Lindjes ka një handikap të madh, janë 3 km që mungojnë nga Lini në anën e Maqedonisë, janë 37 km që mungojnë nga Maqedonia në kufi, janë 74 që mungojnë midis Bullgarisë dhe Maqedonisë dhe kjo lidhje hekurudhore, gjithsej 130 km, është e një rëndësie të jashtëzakonshme, pasi ndjek në njëfarë mënyre rrugën me hekurudhë, treni niset në Tiranë, përfundon në Pekin, sidomos tani me këtë tunelin e ri të Bosforit dhe kjo nuk është vetëm për Shqipërinë, është për Italinë, për Europën Perëndimore, fluksi i mallrave. Ky tani merret dhe përcakton përparësinë sipas interesave elektorale. Jam tërësisht dakord me korridorin veri-jug, një korridor i debatuar prej 30 vitesh, dakord plotësisht, por për të tjerat ky përparësitë i ka sikur të ishte një analfabet. Më duhet t’i them këto. Nuk mund të shkojë qeveria e Tiranës dhe qeveria e Prishtinës me projekt tjetër më të rëndësishëm sesa hekurudha dhe duhet të kërkojë mbështetje dhe të qeverisë së Serbisë dhe qeverisë së Maqedonisë, të cilat këtu në rajon janë qeveri përfituese të mëdha nga ky projekt dhe të tjera me radhë, por po them për këto të dyja se janë në takim. Qeveria nuk mundet t’u kthejë shpinën projekteve kaq të mëdha për inate personale. Nuk digjet për një plesht jorgani, është një oportunitet shumë i madh, hekurudha është e kushtueshme, por plotësisht e mundshme për t’u ndërtuar dhe ja ku është projekti më fizibël, nga të gjitha të tjerat. Samiti i Vjenës është një eveniment i një rëndësie historike për rajonin, për fat të keq më duhet të them se kësaj radhe Samiti ka në rend dite një problem madhor, krizën e refugjatëve, azilantëve, e cila, do të provohet shumë shpejt kriza më e madhe, më e rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore deri më sot për Europën Perëndimore dhe nuk duhet të kemi asnjë iluzion për këtë. Ajo që është tragjike për ne, e turpshme dhe e papranueshme është se ne jemi pothuaj në krye të listës së këtij problemi, krahasohemi me sirianët, me libianët, me irakenët. Sot në një kohë kur në këtë vend të ardhurat për frymë, nga viti 1992 deri më 2014 janë rritur, sipas FMN, nga 204 dollarë për frymë në 11300 dollarë për frymë. Apo sipas agjencisë së zbulimit të SHBA, në 11 mijë e njëqind e ca.
Shqiptarët janë shndërruar në të pashpresë
Çfarë po ndodh me shqiptarët, si kanë mundësi që të kapin çatinë e botës për azilkërkim? Ku ishte në vitin 2012 kërkesa e azilit? Gjithsej 250 shqiptarë, lëvizja ishte e lirë. 100 e ca ishte në vitin 2011, çfarë po ndodh? Shqiptarët po largohen masivisht nga Shqipëria, sepse krimi është shndërruar në sistem, shqiptarët nuk mund të kenë shpresë, sepse këtu vritet shpresa çdo ditë. Nëse qeveria shkatërron, në kundërshtim flagrant me ligjin dhe zotimin elektoral se, “edhe Enver Hoxha po të ngrihet nga varri shtëpitë e ndërtuara pa leje nuk do i prishë dot”, sepse ligji nuk lejonte prishjen e shtëpive që kanë aplikuar për legalizimin pa marrë një përgjigje përfundimtare. Nëse ti merr përsipër dhe rreh gjoksin e mburresh se ke prishur 9 mijë banesa, cili shqiptar e ndien shtëpinë e vet të sigurt nga arbitariteti yt? Çdo shqiptar thotë se forca e shtetit mund të më rrënojë dhe se këtu nuk rrihet dhe se ky vend nuk bëhet. Nëse ti rreshton kriminelë e trafikantë në Parlament, qeveri dhe administratë, cili shqiptar do të mendojë se këtu ka perspektivë për jetën e tij? Nëse ti del me Luiza Xhuvanin dhe e shpall heroinë pse po largohej nga Parlamenti, pasi kish liruar të birin me një vit për vrasjen e një të riu dhe jua servir shqiptarëve si modeli i përgjegjësisë, çfarë ju mbetet nënave shqiptarëve dhe fëmijëve shqiptarë në këtë vend, të vriten dhe ekzekutohen nga Xhuvanët dhe të marrin dekoratat e Kryeministrit? Edi Rama është vrasës i shpresës së dhjetëra, qindra e mijërave shqiptarëve. Shqiptarët po largohen nga ky vend sepse e shohin se ky vend nuk mund të bëhet në këtë mënyrë. Por nëse ti iu kundërvihesh partnerëve tanë më kryesorë, për kriminelë të tipit Roshi, Bushi e Frroku e me radhë, çfarë shprese ka qytetari i thjeshtë shqiptar se këtu mund të ketë siguri në kthetrat e kriminelëve? Nëse ti ndërton vila, pallate e saraje dhe nuk tregon një faturë dhe shkatërron shtëpitë e varfanjakëve, çfarë shprese ka se do të luftohet korrupsioni në këtë vend? Unë ju them ju, autoritetet gjermane tani flasin për mundësinë e kthimit të vizave, e kam paralajmëruar një vit përpara këtë dhe ndodhte se sa herë që unë shkruaja ose denoncoja në Parlament Edi Rama më nxirrte zëdhënësen e tij dhe thoshte se nuk ekzistoka asnjë rrezik për kthimin e vizave, fliste sikur ishte zëdhënëse e qeverisë gjermane dhe e Brukselit, jo e qeverisë shqiptare. Po, po, shihni arkivat. Dhe e vërteta është se do të ecet në mënyrë të pandalshme drejt këtij problemi dhe në Samitin e Vjenës ky problem do të jetë çështje kryesore, sepse nuk mund të jetë çështje kryesore vetëm ato që do ti, janë çështje kryesore ato që shqetësojnë më shumë dhe kjo është shqetësim madhor për Europën sot dhe në të ardhmen. Çfarë bën zotëria? Përpiqet me çdo kusht ta transportojë problemin në Gjermani, se kanë bërë njoftime për punë. Po pse para dy vjetësh gjermanët nuk kishin bërë njoftime për punë? Gjermanët kanë të paktën 8 vjet që aplikojnë një lloj sistemi si green card për profesione të caktuara. Po pse nuk shkonin përpara? Po çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se ky i inkurajonte. Po pse i njëjti faktor nuk vepronte dy vjet më parë, tre vjet më parë, por vepron kaq fuqishëm tani? Faktori Rama, lidhjet e tij me krimin, vrasja e shpresës, këto janë.
Rikthimi i sistemit të vizave është në prag
Para jush kam denoncuar në mënyrë të përsëritur qytetarë që në qeli fotografonin veten për t’i paraqitur si dokument për të marrë azilin dhe azili ka një gjë. Unë i ftoj partnerët tanë të mos besojnë, pasi ata që shkojnë për azil politik dhe shqiptarët shumë probleme mund të kenë, por budallenj nuk janë, e dinë shumë mirë ç’do të thotë kërkesë për punë dhe azil politik, e kanë shumë të qartë dallimin. Azil politik kanë kërkuar kur kanë hyrë në ambasada, azil politik po kërkojnë tani, kanë ikur me qindra e mijëra, s’kanë kërkuar azil politik, kanë kërkuar një copë punë për kafshatën e gojës dhe kaq. Tani del teori tjetër se e ka fajin Greqia. Jo more zotëri, shko në fshatrat e Matit, shko në Mokër, po sheshin lopë, shtëpi e katandi për t’u nisur për azil, është kthyer në një epidemi. Nuk përjashtoj mundësinë që shkojnë edhe nga Greqia, por shumica dërrmuese janë nga Shqipëria. Ky nuk ndjen asnjë përgjegjësi për këtë që ndodh, është vetë gjeneratori kryesor i kësaj me politikat që ndjek dhe një herë thotë se e ka fajin Gjermania që po bën njoftime, herë tjetër e ka Greqia se është në krizë. E ka kryekëput Shqipëria, se Greqia ka qenë edhe para dy vjetësh në krizë të thellë, Greqia ka qenë në krizë të thellë edhe në vitin 2012 dhe në zyrat e azilkërkimit gjerman janë paraqitur vetëm 250 shqiptarë. Të mos gënjejë, por të marrë të gjithë përgjegjësinë, të mbledhë urgjent qeverinë dhe institucionet për t’iu përgjigjur kësaj çështjeje se përndryshe absolutisht do të ketë masa të pashmangshme dhe që nuk i duan fare t’i vendosin, por nuk kanë rrugë tjetër. A e errëson ky problem Samitin? Nuk është se nuk e errëson, unë besoj se projektet për infrastrukturën do të marrin rrugë, por ky përbën një problem shumë të rëndë, shumë serioz dhe ky Kryeministër, siç jeni dëshmitarë ju, nuk ka marrë asnjë masë. Por nëse ti ia prish shtëpinë tjetrit, çfarë dallimi ka për të dhe fëmijët e tij nëse ia prishi bomba, nëse ia prishi ky apo ai? Rezultati është i pastrehë, është në rrugë, qiellin për mburojë, ti mund t’ja prishës po ti i jep një shpërblim apo strehim, i jep një alternativë. Ky sillet me njerëzit si armiq. Si përfundim, uroj që të mos ndodhë, por duhen shumë, se në një të ardhme do të rikthehet sistemi i vizave, i cili është përgatitur si modalitet i plotë për t’u vënë në lëvizje, me lëvizje të plotë, me shpejtësinë më të madhe.
– Çfarë mesazhi mund të marrë qeveria në këto kushte për të shmangur eksodin? Ju dhe zoti Rama mendoni njësoj kur thoni se Europa duhet të mendojë si e tërë për çështjen e azilkërkuesve nga vendet në konflikt?
Unë mendoj se Kasandrat ky i ngjet me dajën e vet, se ky ka sentimente antieuropiane dhe sa herë që i shkelet interesi ky lëshon marrëzira se jo do të ketë gjakderdhje, çfarë i thotë mendja e tij e sëmurë se, Europa do të shpërbëhet e ku ta di unë. Në radhë të parë ky duhet t’i thotë Europës dhe vetes së vet se do të ndërpresë fluksin e refugjatëve nga Shqipëria, kjo është detyra e tij kryesore dhe kjo kërkon veprime të shpejta energjike, për të rikthyer shpresën tek shqiptarët. Nuk rikthehet shpresa tek shqiptarët duke bërë karshillëqe me kriminelë dhe të damkosur, ndaj shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Nuk rikthehet shpresa tek shqiptarët duke i prishur varfanjakut kasollen dhe mbrojtur sarajet e tij e të Koços, se ndryshe nuk mbrohen ata. Nuk rikthehet shpresa tek shqiptarët kur ke vjedhur me klanet e tua mbi 170 milionë euro në Dogana e Tatime dhe tregon përralla. Tregon që nuk ke nivel dhe nuk di se çfarë thua. Thua na ranë të ardhurat se nuk importuan energji. Po ka logjikë njerëzore që pranon broçkulla të tilla. Thotë se na ranë të ardhurat se ra çmimi i naftës, po çfarë pune ka akciza e naftës me çmimin e naftës? Përkundrazi, në raport me akcizën do të shtohej konsumi. Shtohet konsumi, shtohet akciza. Çfarë pune ka taksa e qarkullimit që katërfishoi me rënien e çmimit në bursë? Ky u thotë shqiptarëve non sense, marrëzira. Ky është dështim i modelit. I rriti taksat, i rriti akcizat, u tha se do ta gropos taksën e sheshtë dhe sistemin fiskal të Berishës, urdhëro groposi vetë tani. Ja ku është në falimentim të plotë. Një herë fajin e ka Greqia, një herë Gjermania, e ka “Crown Agents”, po çfarë faji ka ajo që këta vjedhin nga mëngjesi deri në darkë. Çfarë ka kjo kompani kur Salarioni bënte ligjin dhe niste në Doganën e Tiranës jo më pak se 40 punonjës të ujësjellësit, miq të vet. Çfarë do të bëjë “Crown Agents” kur deputetët ngrenë traun, nga mëngjesi deri në darkë, të doganave? Ç’do të bëjë “Crown” kur drejtori në tatime, i afërt fare me Ramën, ky Premçi, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, i aftë, largohet, jep dorëheqjen sepse nuk do të bëhet pjesë e klaneve të pushtetit që vjedhin? Rama thotë nuk ishte vjedhje, na thanë studentët e Harvardit që janë punë tranzicioni. Atëherë kjo del se është dështim i plotë modeli. Dështoi ai model siç ta thamë para dy vjetësh se ke 95% shanset e dështimit.
– Ju keni hedhur një status ku ju bëni thirrje shqiptarëve për të mos kërkuar azil në Gjermani se nuk kanë shpresa, as këtu nuk kanë shpresa. Cila është zgjidhja për ta?
Në fakt, ju kam bërë thirrje dhe ju bëj thirrje që mos u largoni se vetëm sa do të përjetoni një sagë të dhembshme, plot me vuajtje dhe përsëri shanset e azilit janë zero. Ky është besimi im i thellë. Të kthehen dhe të krijojmë shpresën në këtë vend. Ky vend i ka të gjitha potencialet. Çfarë i tha Kancelarja Merkel? Kur piktori dështak, i cili ka mbushur muret e sallës kryesore të Kryeministrit, me fotokopje të shkarravinave të tij, narcizist. 400 kopje janë bërë me pikturat shkarravina të tij dhe Kancelarja, mençurish i thotë se me këto bojëra… Po i thotë ai, se ne bojërat kemi se ju i keni të tjerat, jo i thotë ajo, ju keni malet dhe detet, por duhet të kesh mend. Ajo nuk ia tha këtë punën e mendve, por vetëkuptohet, siç doli vetë.
– Ka edhe Ismail Qemalin?
Atij i duket vetja Enver, se e dini një histori. Ja u them unë. Ismail Qemalin, Enver Hoxha donte ta varroste. Njëlloj si Zogu, nxori tezën se bejlerët shqiptarë për interesa të tyre bënë që Ismail Qemali të tundë flamurin në Vlorë dhe kjo tezë ishte teza më djallëzore, ishte teza me të cilën po përgatiste asgjësimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, ishte teza me të cilën shqiptarët, të mos thoshin se e kemi Ismail Qemalin, se pavarësia është një gjë historike, por përkundrazi. Pasi po përgatiste të gjithë kuadrin e përfshirjes si Republikë e 7-të e Jugosllavisë, Hoxha iu thoshte shqiptarëve se një grup bejlerësh për interesat e tyre e çuan Ismail Qemalin ta tundte flamurin në Vlorë. Edhe ky absolutisht të njëjtin koncept ka për këtë. E bëri atë nga inati që ka për PD-në etj., etj., po kjo është një gjë që…
– Për çështje madhore a do të ishte e gatshme PD të bëjë koalicion me PS?
Unë i kam mbyll koalicionet e mia. Unë nuk merrem me këto punë. Këto pyetje bëja kryetarit të PD. Ka kryetar PD.
– Ai i ka mohuar këto…
Ai është kryetari im, unë i besoj atij, nuk merrem me koalicione. Unë merrem me interesin publik, siç e gjykoj unë jo me koalicione.
– Nuk ju duket se shpresa që ju kërkoni tek shqiptarët është pak jetime?
Jetime është ke të drejtë po prapëseprapë jo e pamundur të rikthehet, sepse gjithmonë mbetet një rreze e saj. Eksperienca ime dhe jeta ime më thotë që në çdo lloj momenti një rreze shprese ekziston dhe duhet të kërkosh që ta gjesh. Kështu që pavarësisht nga kjo situatë vërtet dëshpëruese, ai është bërë problem sa Asadi me azilkërkues dhe thotë se e kanë keqkuptuar atë kërkesën për krah pune të Gjermanisë, ndërsa tani thotë se ikën shqiptarë nga Greqia. Unë e kam deklaruar se ky vend do të dalë nga kjo spirale vetëm me një revolucion demokratik. Pra, me një lëvizje të fuqishme të qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk largohen prej saj deri në momentin që kjo qeveri të arkivohet në histori. Me Edi Ramën nuk ka shpresë. Ka nisur prej dy muajsh se do të bëjë aksion në shtator për bizneset. Kjo është tipike diktatoriale. Po pse me aksion zbatohet ligji? Ligji është koncept konstant zbatimi. Po nëse ju thua vidhni gjatë verës se në shtator do të nxjerr dajakun, atëherë ky është antiligji. Jam kundër informalitetit dhe jam pro zbatimit të çdo ligji, por ky është rrënimi i ekonomisë. Çfarë po bën, kam disa mesazhe nga biznesmenë. Ju çojnë shkresa dhe ju thotë se nëse tatim fitimi yt, nëse ai ka paguar 200 mijë është bërë 2 milionë, nëse ai ka paguar 600 mijë është bërë 6 milionë. Po, po. Do ta shihni ju. E kam nga biznesmenët. S’mund ta bësh kurrë një gjë të tillë. Unë nuk them se nuk fshehin, unë nuk them se nuk bëhen bilance falso dhe merru me to, por jo në këtë mënyrë. Ku çon kjo? Kjo çon në dy gjëra. E para, në falimentime masive, e dyta, në përdorimin e këtij tatimi të jashtëzakonshëm për qëllime politike. Se pastaj, cilitdo, i thua 10-fish, tjetrit i thua vazhdo. Pra, kjo është një colpo di grazia, një goditje mëshire përfundimtare që i jep klimës së bizneseve. A mund të imagjinohet? Nga “kryediskoteka” e vendit vetëm mesazhe të tilla, se biznesi ky e biznesi ai, se në shtator do të fillojë aksioni, në shtator do të bëjmë këtë e atë. Po pse në gusht duhet të vjedhin sipas këtyre? Sipas Kryeministrit, në gusht, në korrik dhe pas dy vitesh u kujtua ky për informalitetin? Informaliteti luftohet çdo orë, çdo ditë. Dy vjet çfarë bëri ky, me se u mor apo veshi muret e zyrës së tij me shkarravinat e tij.
– Ka një kritikë nga aleatët e PD për mënyrën si po bëhet opozita. Cili është mendimi juaj?
Mendoj se Partia Demokratike ka një debat të hapur brenda dhe duhet ta ketë për mendimin tim, nga i cili në mënyrë absolute, në fund të fundit vetëm fiton. Nuk shoh asnjë lloj negativiteti në debatin e saj të brendshëm. Mendoj se Partia Demokratike është duke lexuar rezultatin e zgjedhjeve dhe uroj dhe dëshiroj që të gjejë përgjigjet më të duhura. Natyrisht unë nuk kam marrë pjesë qoftë edhe një orë të vetme në fushatë dhe nuk kam të drejtë të trajtoj probleme në të cilat nuk kam asnjë investim.
– Kryetari i PD, Basha ka paralajmëruar protesta në shtator. Do të përfshiheni në këto protesta?
Në asnjë lloj aktiviteti unë nuk jam më dhe nuk do të jem drejtues. A do të marr apo nuk do të marr pjesë si deputet apo si qytetar kjo do të përcaktohet aktivitet pas aktiviteti. Ky është shpjegimi im.
– Duke marrë shkas nga rasti i Dhërmiut, a mendoni se duhet të ndalohet ndikimi i Greqisë në ortodoksinë shqiptare dhe si duhet të ndodhë kjo, ka një debat për këtë…
Tani lidhur me rastin e Dhërmiut, unë personalisht kam denoncuar dhe denoncoj mënyrën arbitrare të ndërhyrjes në kishë. E kam denoncuar dhe e denoncoj. Shqipëria ka një histori unike të shkatërrimit barbarisht të kishave dhe xhamive. Duke thënë këtë dhe prapë i qëndroj, qeveria dhe autoritetet nuk mund të kryejnë një veprim arbitrar, por nga ana tjetër është e domosdoshme të respektohet plotësisht historia në zhvendosjen e himarjotëve drejt Vatikanit, por duke ruajtur ritin oriental, qëndron rezistenca e tyre ndaj Fanarit dhe Portës së Lartë, në kohën kur Fanari flirtonte me Portën nga mëngjesi deri në darkë himarjotët i kërkuan Vatikanit dhe Vatikani pranoi kërkesën e tyre. I kërkuan për t’i rezistuar, për të ruajtur besimin e tyre ortodoks dhe për t’i rezistuar edhe Fanarit edhe Portës së Lartë. Pra, problemi i priftit që është i varrosur aty është shumë i ndjeshëm sepse Vatikani mbi bazën e kërkesës së Himarës ngriti një kolegj të veçantë për të përgatitur priftërinjtë, natyrisht jo vetëm për Himarën, por edhe për arbëreshët edhe për zona të tjera, vareshin nga Vatikani, por ritin oriental duke respektuar ritin bizantin. Tani, kjo përbën një trashëgimi të madhe historike, të kombit shqiptar. Përsa i përket ndërhyrjeve janë absolutisht mentalitet bizantin dhe është totalisht e papranueshme.
Qeveria greke nuk është qeveri e Perandorisë Bizantine, është qeveri e një vendi anëtar të Bashkimit Europian dhe duhet të çlirohet nga dogma sipas të cilës ortodoksit janë vetëm grekë. Së dyti, Himara s’ka qenë dhe nuk është kurrë zonë minoritare, Himara është një bastion i fuqishëm i shqiptarisë dhe atdhetarisë me një popullatë me gjashtë fshatra dhe qytetin e Himarës bilinguale, dygjuhëse. Ndaj dhe as nuk mund të bëhet fjalë për minoritet, as nuk është në interesin e qeverisë greke apo të marrëdhënieve që të marrë funksione bizantine të trashëguara nga një perandori që është shuar prej shekujsh. Edhe një herë vandalizmi ndaj kishës është plotësisht i dënueshëm të tjerat pastaj, himarjotëve nuk duhet t’i preket historia. Gjithë ato çka ata trashëgojnë nga ritet orientale nën Vatikanin janë pjesë e qëndresës së tyre shekullore.