Kategori
Uncategorized

Atëherë pse ikin shqiptarët?

Në Shqipëri nuk ka luftë, nuk ka uri. Modelet e “Mercedez”-ave udhëtojnë përmes qyteteve të mëdha dhe Jugu duket si Riviera franceze.

Atëherë pse ikin shqiptarët?

Kështu e nis reportazhin e saj gazetarja Anna Prizkau, publikuar dje në të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine” të titulluar “Një tokë pa të ardhme”. Gazetarja përshkon plazhin e Durrësit, të cilin madje e krahason me San Tropez, një prej plazheve më të bukura franceze për të cilin shpreh habi se si njerëzit e kanë lënë këtë vend. Gjatë rrugëtimit të saj, ajo takohet me një djalë shqiptar, Danieli, i cili 6 muaj më parë ishte një prej refugjatëve ekonomikë që provoi fatin e tij në Gjermani. “Mendova se ika përgjithmonë”, thotë Danieli, i cili është kthyer vetëm pak ditë më parë në shtëpi. Ashtu si Danieli, në 6 muajt e fundit, mbi 20 mijë shqiptarë iu drejtuan Gjermanisë, vijon gazetarja, e cila zhvendoset më pas rreth 200 km larg Durrësit, në Shkozë, në rrethinat e Tiranës, aty ku takohet me urinë dhe varfërinë e skajshme të familjeve rome. Edhe mes tyre ka nga ata që kanë provuar të përfitojnë azil në Gjermani, siç është Lidia, personazhi i radhës së këtij reportazhi. Edhe ajo u kthye në qershor të këtij viti. Shumë prej atyre që gazetarja gjermane, Anna Prizkau ka folur gjatë rrugëtimit të saj nëpër Shqipëri, thonë se duan të ikin, madje ka nga ata që i luten t’i marrë me vete drejt Gjermanisë. Reportazhi vijon me një pasqyrim të trishtë të jetës së këtyre familjeve rome, që mbijetojnë duke mbledhur shishe plastike e më pas duke i shitur ato. “Kutërbimi atje shpjegon çdo gjë. Në Shkozë nuk ka ujë, as energji elektrike dhe as kanalizime. Përse e braktisin shqiptarët vendin e tyre?”, pyet gazetarja gjermane, ndërsa reportazhi i saj vijon me të tjerë personazhe që ajo has në udhëtimin e saj. “Sa herë që i kam pyetur shqiptarët përse ikin prej vendit të tyre, gjithmonë përgjigjja është me 6 germa. E ardhmja”, shkruan Prizkau. “Njerëzit thonë se duan që fëmijët e tyre të rriten në Gjermani”. Gazetarja gjermane zhvendoset më pas, në reportazhin e saj, në Orikum, në Vlorë, ku qindra të rinj kanë emigruar drejt Gjermanisë. Shqiptarët e kthyer u tregojnë miqve të tyre që nuk ka asnjë mundësi për të qëndruar në Gjermani. Dhe shumë shpejt e gjithë Shqipëria do ta marrë vesh”, vijon reportazhi, ndërsa gazetarja rrëfen për bisedën e saj me një kamerier. Edhe ky i fundit i tregon dëshirën e tij për të shkuar në të ardhmen në Gjermani. “Çdo ditë në këtë vend, kuptoj se fjala ‘e ardhme’ është shumë e fuqishme, ndërsa duket sikur Gjermania është vendi i sigurt për këtë të ardhme”, shprehet Prizkau. Por kur ajo i pyet njerëzit se pse nuk mund të kenë të ardhme në Shqipëri, shumë përgjigjen:

Bildresultat för pa siguria emigrimi i shqiptareve

Për faj të politikës.

Gazetarja zhvendoset në rrëfimin e saj, në Tiranë, qytet të cilin e quan si një fëmijë i jashtëligjshëm i komunizmit. “Në qendër ka godina nga periudha fashiste italiane, por më tutje sheh ndërtesa të larta që ngrihen drejt qiellit”, vijon Prizkau, e cila takohet me shkrimtarin e njohur Fatos Kongoli, i cili përpiqet t’i shpjegojë këtë situatë. “Në të kaluarën njerëzit ikën nga varfëria ekstreme. Por për momentin nuk ka njerëz të varfër në mënyrë të tejskajshme që ikin. Kam parë të rinj që ankohen për ushqimin që kishin nëpër kampe, çka tregon se kanë ushqim më të mirë nëpër shtëpitë e tyre”, thotë Kongoli. “Por nëse jeta këtu nuk është aq keq, atëherë pse ikin shqiptarët e pyes shkrimtarin. Dhe Kongoli përgjigjet me të njëjtën fjalë: për të ardhmen”, vijon Prizkau. “Një aventurë? Një bast? Mendoj e mendoj dhe më pas më kujtohet Danieli, i cili luajti me të ardhmen e tij. Aventura ishte dëshira e tij për një jetë më të mirë. Nuk bëhet fjalë për një rrogë fikse apo një punë e zakonshme, sepse Danieli i ka që të dyja në Shqipëri. Ai thjesht donte më shumë për jetën e tij. Ne gjermanët jemi mësuar me këtë. Por kur mijëra të tjera jashtë papritur duan më shumë nga kjo, ne gjermanët, europianët na duket e çuditshme. Edhe mua kështu më duket. Kjo është arsyeja pse erdha në këtë vend. Arsyeja pse isha në Shkozë, në rrethinat e Tiranës. Kërkova për tmerrin, arsyen e fortë për të ikur dhe gjeta diçka tjetër: arrogancën gjermano-europiane”, e mbyll reportazhin gazetarja gjermane, Anna Prizkau.

Bildresultat för pa siguria emigrimi i shqiptareve

Kërkesat për azil, situata në Kukës është emergjente

Vala e shqiptarëve si azikërkues në Gjermani, shihet nga vendorët e djathtë si mungesë strategjie e qeverisë për të ndalur këtë fenomen. Bashkim Shehu, kryetar i Bashkisë së Kukësit tha se qyteti që ai drejton është ndër më të prekurit nga largimet masive, ndërkohë që qeveria merret vetëm me aksione politike. Bashkim Shehu: “Kjo është emergjencë kombëtare dhe reagimi është pothuajse zero. Qeveria duhet të ketë strategji. Duhet të ngrejë një komision ose një agjenci. Është situatë emergjente, njerëz të shkolluar po ikin nga Kukësi dhe mundësia e punësimit, investimet kanë qenë zero. Kemi të bëjmë vetëm me aksione që i frikësojnë njerëzit. Shumica e të rinjve që unë i takoj në Kukës thonë se kemi frikë nga arrestimet”. Për kryebashkiakun mund të ndërmerren disa masa për të frenuar azilkërkuesit. “I bëj thirrje qeverisë që Kukësit duhet t’i kthehen subvencione, është pikë që do të punoj fort për rikthimin e saj, subvencione për ngritjen e ekonomive të vogla”, tha ai. Shehu tha se ndarja e re territoriale është e padiskutuar dhe se mjaft nga qytetarët nuk po marrin në zyrat e pushtetit vendor. Bashkëpunimi me qeverinë, tha Shehu, është një detyrim ligjor i Kryeministrit Rama ndaj të zgjedhurve vendorë pavarësisht ndarjes politike. Përveç azilantëve, problem tjetër madhor për Kukësin sipas kryebashkiakut është mungesa e ujit të pijshëm.

Shoqata e shqiptarëve në Greqi përgënjeshtron Ramën

Ndryshe nga sa pretendoi Kryeministri Rama në konferencën në rrjetet sociale, numri i azilkëruesve shqiptarë në Gjermani që janë nisur nga Greqia është fare i papërfillshme. Kreu i Federatës së Shoqatave shqiptare në Greqi, Edmond Guri ka hedhur poshtë faktin se shumica e azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani janë nga Greqia për shkak të krizës. “Sipas statistikave të federatës, në Shqipëri janë riatdhesuar rreth 200 mijë shqiptarë, për në BE janë mbi 35 mijë të adresuar, nga të cilët është një përqindje shumë e vogël që i drejtohen azilit, nuk mund të përjashtohet fakti se nuk ka azilkërkues, por nuk janë këta faktorë kryesorë apo numri më i madh i azilkërkuesve në BE”, tha Guri. Ai tha për “Ora News” se i ka bërë apel qeverisë shqiptare të ndihmojë emigrantët në mësimin e gjuhës shqipe, teksa ka qenë mjaft kritik për mungesën e një strategjie për emigrantët. “Kërkojmë një koordinim, një orientim dhe më shumë një bashkëpunim me qeverinë shqiptare si mundet që fëmijët të mësojnë gjuhën shqipe. Shqipërisë i mungon një strategji kombëtare e emigrimit, pra duke marrë shkas nga kjo situatë edhe vala e rikthimit në atdhe është një valë migratore pavarësisht se ata janë shtetas shqiptarë”, tha ai. Duke u ndalur tek pensionet, Guri tha se nuk ekziston asnjë marrëveshje e tillë dhe ka kërkuar që kjo çështje të futet në axhendën qeveritare.

 

Lini një koment