Kategori
Uncategorized

Atelier Albani, nje histori korrupsioni.

 

Atleier Albania është një histori skandali dhe aferash të pista korrupsioni që po hetohet nga drejtësia belge. Një skandal që ka shpërthyer në Belgjikë me një tender të zhvilluar për studimin e fizibilitetit për realizimin e projekteve në Shqipëri ka nxjerrë në sipërfaqe lidhjet e arkitektëve që janë nën hetim nga autoritetet belge me Edi Ramën. Jo vetëm kaq, por pas këtyre fijeve lidhen edhe familjarë e bashkëpunëtorë të ngushtë të Kryeministrit shqiptar. Peter Swinnen, drejtues i Qendrës së Arkitektëve Flamanë, ish-këshilltar i qeverisë flamane dhe themelues i studios “51N4E” po hetohet për shkak se një tender, sipas nismës “Atelier Albania” të Edi Ramës, ia ka dhënë një miku të tij në konflikt interesi, edhe ai i njohur i Kryeministrit shqiptar.
Swinnen konsiderohet si njeri me lidhje të forta me qeverinë shqiptare për shkak të njohjeve me Ramën. Ai nuk është i lidhur me kryetarin e qeverisë së Tiranës vetëm përmes projekteve publike kur Rama drejtonte Bashkinë e kryeqytetit, por edhe me projekte private të tij të kohëve të fundit. “51N4E” është projektuese e vilës së Edi Ramës në fshatin Surrel, rrëzë malit të Dajtit.
Veç projekteve të fituara në Bashkinë e Tiranës, në regjistrat e “51N4E” zbulohet edhe një lidhje familjare mes Peter Swinnen dhe Ramës. Një prej bashkëpunëtorëve të kësaj studioje arkitekturore rezulton të jetë Rea Xhillari, vajza e Linda Bashës, bashkëshortes së Kryeministrit shqiptar. Emri i saj është në listën e mëposhtme që pasqyron skuadrën e “51N4E”.
Veç familjares së Kryeministrit, “51N4E” është e lidhur edhe me një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Anri Sala, një prej miqve më të afër të Ramës (bashkëpunëtor në lyerjen e fasadave të kryeqytetit) ka bashkëpunuar me “51N4E” në projektin për rehabilitimin e Sheshit “Skënderbej”, sipas projektit belg që Rama synonte të implementonte në Tiranë kur ishte kryetar i Bashkisë.
“51N4E” është jo rastësisht edhe projektuesja e kullës shumëkatëshe (TID) të ndërtuar në rrugën “Abdi Toptani” nga një prej miqve të ngushtë të Ramës.
Peter Swinnen u shkarkua nga detyra dhe po hetohet në Belgjikë pasi favorizoi në tenderin për studimin e fizibilitetit të projekteve në Shqipëri studion Centrum voor Stadsontëikkeling CVBA, që drejtohet nga Patrick Janssens. “Lapsi.al” zbulon se lidhjet mes tyre të çojnë sërish në Shqipëri.
Janssens, kryetar i Partisë Socialiste flamane në Belgjikë dhe kryetar i Bashkisë së Atnëerpit, kohë gjatë së cilës mendohet se është njohur me Ramën, ka qenë pjesë e jurisë së konkursit për projektin e “Lungomares” – shëtitores së Vlorës.
Ky projekt u fitua nga “XDGA”, e drejtuar nga Xaveer de Geyter. Fijet e lidhjes shtrihen nga Geyter tek “51N4E” e Peter Swinnen, pasi Xaveer de Geyter rezulton të ketë qenë pjesë e komisionit të vlerësimit për projektin e Sheshit “Skënderbej”, të hartuar nga “51N4E”. Ai ka qenë edhe redaktor i manualit të “51N4E”.
Swinnen dhe Janssens kishin vendosur të bashkëpunonin më në fund hapur për projektet e “Atelier Albania”, një organizëm në vartësi të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, i drejtuar nga arkitekti Joni Baboçi. “Atelier Albania” është një “njësi laboratorike” në brendësi të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit të drejtuar nga Adelina Greca. Zonja Greca ka qenë funksionare në Drejtorinë e Planifikimit Urban dhe shefe e Departamentit të Planifikimit në Bashkinë e Tiranës, në kohën kur ajo drejtohej nga Edi Rama.
Misioni i “Atelier Albania” është: “Atelier Albania do të hartojë procesin për projektet transformuese urbane dhe territoriale në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha ministritë e interesuara, me shoqërinë civile, si dhe të gjithë palët publike apo private me interes të drejtpërdrejtë në zhvillimin territorial dhe atë urban. ‘Aterlier Albania’ do të projektojë dhe koordinojë planin për hartimin e një plani. Ajo do të funksionojë si një platformë e përhershme bashkëpunimi midis ekspertëve vendas, ekspertëve të huaj dhe grupeve të interesit; duke ndërtuar kapacitete në të gjitha nivelet e shoqërisë për sa i përket zhvillimit hapësinor, territorial dhe urban në Shqipëri. ‘Atelier Albania’ do të jetë një instrument për ndërtimin e projekteve dhe për ndërlidhjen e donatorëve me prioritetet e vendit dhe me ekspertizën e duhur lokale dhe të huaj”.
Tenderi për të cilin po hetohet kreu i studios belge, i cili ka projektuar edhe shtëpinë e Ramës në Surrel, ishte pikërisht për studimin e fizibilitetit për projektet që mund të zhvilloheshin në bashkëpunim me “Atelier Albania”, që siç shihet drejtohet nga një “besnike” e Ramës.
Kështu, afera e fundit që ka shpërthyer në Belgjikë, ashtu siç thonë tashmë mediat belge, nuk ka qenë e rastësishme. Arsyet që të çojnë në këtë përfundim janë lidhjet e forta që Swinnen ka me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, jo vetëm nga bashkëpunimi i hershëm për projekte të rëndësishme miliona euroshe në Bashkinë e Tiranës apo i atyre në rang kombëtar tani që Rama është zgjedhur Kryeministër, por edhe nga njohja dhe bashkëpunimi me familjarët dhe miqtë më të afërt të kreut të qeverisë shqiptare.

Qeveria belge shkarkoi Swinnen për tenderin e Ramës

Kryeministri Edi Rama është pjesë e hetimeve që po zhvillohen prej disa muajsh në Belgjikë në lidhje me tenderin që ia ka ofruar mikut të Swinnen. Skandali lindi pasi qeveria belge shkarkoi Peter Swinnen, arkitektin e qeverisë flamane për abuzimet me një tender. Sipas belgëve, Swinnen ka abuzuar duke favorizuar Patrick Janssens në dhënien e një tenderi duke i ofruar informacion paraprak. Tenderi ka qenë për “Lungomaren” në Vlorë.
Më 27 shkurt të vitit të kaluar Swinnen shpalli tenderin për një studim fizibiliteti në Shqipëri ku morën pjesë tre kompani belge.
Por nga tre kompanitë kuptohet që tenderi prej 31 mijë eurosh iu dha kompanisë së Patrick Janssens. Pas hetimeve të Qendrës së Auditimit Financiar të qeverisë flamane doli në dritë se Swinnen i kishte dhënë informacion paraprak kompanisë së Janssens duke krijuar garë të pandershme. Kjo ka qenë arsyeja e pushimit nga puna të Swinnen dhe ndaj tij pritet të nisë një procedim penal.
Sipas gazetës belge “De Morgen” zgjedhja e Shqipërisë nuk ishte krejt e rastit, por e mirëstudiuar. Kompania ku Swinnen është ortak, “51N4E”, ka lidhje të forta me qeverinë shqiptare. Gazeta belge gjithashtu ngre dyshime pasi thotë se Janssens, që fitoi projektin, ishte në Shqipëri rreth një javë para se të shpallej tenderi.
Janssens ka qenë në Shqipëri më 20 shkurt 2014, 7 ditë para shpalljes së tenderit.
Kompania ku Swinnen është ortak, është e njëjta kompani që ka bërë projektin për ndërtimin e Sheshit “Skënderbej”, i cili zgjati katër vjet rresht dhe nuk u përfundua. Po ashtu fituesi i projektit të “Lungomares” në Vlorë, Xaveer de Geyter, është bashkëpunëtor i Swinnen pasi ai ka redaktuar manualin e kompanisë së këtij të fundit.
Ndërkohë që në jurinë që vendosi për “Lungomaren” ka qenë edhe Patrick Janssens. Janssens duket se ka lidhje të hershme me Ramën, që në kohën kur Janssens ishte kryebashkiak i Anverpit, bashkisë më të madhe në Belgjikë dhe kryetari i Partisë Socialiste flamane.

Lini një koment