
Sadri Danaj ka marrë sërish bekimin e Koços dhe Ramës për t’u zgjedhur për një mandat të dytë në krye të Qarkut të Vlorës. Pas zgjedhjes së krerëve të Bashkive si dhe pas konstituimit të Këshillave Bashkiakë pritet të bëhet edhe zgjedhja e krerëve të qarqeve në të gjithë vendin. Rama ka vendosur se në krye të Qarkut të Vlorës edhe për vitet e ardhshme të jetë Sadri Danaj, një emër që vjen nga bota e errët e krimit dhe mafias, me lidhje me një organizatë mafioze që ka ushtruar aktivitetin në Itali së bashku me Cosa Nostrën. Emri i kryetarit të përzgjedhur nga Rama është në dosjet e drejtësisë italiane si i përfshirë në pengmarrje dhe ku sipas përgjimeve ai rezulton si më ekstremisti i organizatës mafioze që kërkon jo vetëm marrjen peng të vajzës, por edhe vrasjen e saj dhe zhdukjen e trupit.
Një përbindësh i tillë i krimit do të drejtojë për të dytin mandat radhazi qytetin e Vlorës. Me individë të tillë në krye të saj, Vlora është shndërruar në një qytet të kontrolluar tërësisht nga mafia. Rikandidimi i Danajt vjen në një kohë kur kambanat e alarmit për inkriminimin e pushtetit vijnë tanimë jo vetëm nga opinioni i brendshëm, por dhe ai ndërkombëtar dhe veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara.
Një vendim i tillë i Ramës dhe Metës është një tjetër sfidë e hapur që pushteti kriminal i Tiranës i bën Shteteve të Bashkuara. Mesazhi që Rama po i jep për çdo ditë partnerëve të vendit është se ai nuk ka ndërmend që të ndahet nga krimi dhe se fati i tij në politikë është i lidhur me këto kontigjentë kriminalë. Ai vijon të promovojë në postet e larta njerëz me histori krimi me organizatat mafioze më të rrezikshme sot jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Përveç Danajt pak ditë më parë, Rama po ashtu emëroi në krye të Këshillit Bashkiak të Lezhës një tjetër familjar të deputetit Ndoka për të cilin ka denoncime se edhe ai është i përfshirë në botën e krimit dhe trafiqeve.
Edhe emrat e listave për këshilltarë në qytete të ndryshme kanë një numër të madh trafikantësh dhe të inkriminuarish që po ashtu janë katapultuar për të qenë aty nga Rama dhe Meta. Ndonëse Meta deklaroi kohët e fundit se ai nuk ka të inkriminuar, në fakt ai është po aq përgjegjës në votën mbështetëse që po i jep këtyre elementëve.
I njëjti mekanizëm sikurse në listat për deputetë që u mbushën nga Rama e Meta me të inkriminuar vijoi në zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë të Bashkive dhe tani po vazhdon edhe me zgjedhjen në krye të Këshillave Bashkiakë si dhe të qarqeve.
Pengmarrja e Sadri Danajt
Kryemafiozi i zgjedhur nga Rama në krye të Qarkut të Vlorës, Sadri Danaj është një nga emrat e skeduar nga drejtësia italiane si një ndër njerëzit më të rrezikshëm të grupeve kriminale shqiptare që bashkëpunojnë me organizatën mafioze “Cosa Nostra”. Deklarata është bërë nga përfaqësues të Prokurorisë italiane, të cilët kanë njohur mjaft mirë emrin dhe rolin kriminal të Sadri Danajt. Prokurori italian Giovani Tinebra deklaron se, Danaj është një nga bashkëpunëtorët e afërt të organizatës kriminale “Cosa Nostra”. “Jemi shumë të shqetësuar për saldimin e grupeve kriminale të mafies së Cosa Nostras me ato shqiptare si ai i Sadri Danajt, gjë që mund të çojë në një shpërthim kriminaliteti” është deklarata e Prokurorit Tinebra, i cili i referohet arrestimit të kryemafiozit të zgjedhur në krye të Qarkut të Vlorës.
Sadrit Danaj është përfshirë në rrëmbimin e vajzës së një biznesmeni në Itali në vitin 2000, për ta detyruar këtë të fundit, që të paguante një gjobë të majme. Ai ka qenë pjesë e një prej organizatave mafioze siçiliane dhe ka bashkëpunuar me mafiozë të tjerë në rrëmbimin e vajzës së biznesmenit italian.
Sikurse dëshmohet edhe nga Prokuroria italiane, shqiptari Danaj që drejton me bekimin e Ramës Qarkun e Vlorës, ka qenë më i ashpri në bandën mafioze siçiliane të përfshirë në rrëmbimin e vajzës së biznesmenit. Nga përgjigjet e Prokurorisë italiane, Danaj kërkonte vrasjen dhe zhdukjen e trupit të vajzës së re me qëllim që mafiozët të humbisnin gjurmët.
Sipas gazetës italiane, “La Republica”, policia ka përgjuar telefonatën e Sadrit Danajt, me bashkëpunëtorët e tij italianë, ku në një moment është shprehur: “Vajza duhej vrarë, vetëm kështu do t’ia kishim hedhur. Trupi nuk do të gjendej kurrë dhe ne nuk do të kishim rrezikuar asgjë”.
Mashtrimi me dëshminë e Brindisit
Dëshmia e publikuar nga Sadrit Danaj se ai nuk ka pasur probleme me drejtësinë italiane vlen vetëm për Brindisin, pra që nuk ka probleme me drejtësinë në qytetin e Brindisit. Për të çertifikuar që nuk ka probleme në pjesën tjetër të territorit italian duhet të na tregojë një “vizura nacionale” (quhet italisht), pra një dëshmi penaliteti që vlen për gjithë territorin italian jo vetëm për një qytet.
Ai ka gënjyer publikisht, duke publikuar dëshminë e penalitetit lëshuar nga Ministria e Drejtësisë së Italisë, por ka fshehur të tregojë se dënimi parashkruhet për 5 vite dhe dëshmia lëshohet e bardhë pas këtij afati. Praktika e dëshmive të bardha të penalitetit është një e drejtë e parashikuar nga ligji edhe në Shqipëri.
Pengmarrja e vajzës për gjobën 500 mijë euro
“La Republica”
Rrëmbimi më i mirë është kur e vret menjëherë pengun. Nëse trupi nuk gjendet, atëherë nuk rrezikon asgjë. Graziano Ambrogetti e Dante Cavasini sipërmarrës, por që ndodheshin në krizë ekonomike kishin përgatitur pengmarrjen në detaje, sepse nuk duhet të dështonte dhe të ishte si një operacion blic pa rënë në sy. E gjithë kjo pengmarrje u përgatit disa ditë, pasi u krye. Ky ishte projekti për t’i rrëmbyer 500 mijë euro një kolegut të tyre biznesmen. Vajza e një tjetër sipërmarrësi ishte objektivi i banditëve, për të kryer këtë pengmarrje, dy personat e mësipërm iu drejtuan një grupi të përbërë nga shqiptarë e siçilianë, të cilët ishin të akuzuar edhe më parë për vepra kriminale. Investigimet e karabinierëve të GELA u koordinuan nga prokurori i Caltanissetta, Luca Tescaroli, duke arritur të zbulonin planin, të cilin pengmarrësit nuk arritën kurrë ta realizonin, kjo falë investigimit të policisë. Dy sipërmarrësit e pa skrupuj ranë në pranga bashkë me ta edhe 4 shqiptarë. Akordi me bandën e organizuar të pengmarrjeve ishte arritur që më parë dhe ishte i qartë, dy italianët do të merrnin pjesën e tyre, pasi kishin grumbulluar informacion për familjen e biznesmenit dhe vajzën e tij. Pjesa më e madhe e lekëve që do të merreshin nga kjo pengmarrje do të shkonin për të blerë drogën që vinte nga Shqipëria për në Itali. Ambrogetti e Cavasini kishin sugjeruar ortakëve të tyre që të punësonin ekstrakomunitarë. Me urdhër të lëshuar nga organet më të larta të policisë u vendosën përgjues në telefonat e Graziano Ambrogetti e Dante Cavasini, e më pas u zbuluan telefonatat që tregonin për planin e tyre mizor. Në fillim janë të shqetësuar për pengun “janë të paaftë, njerëz që nuk reflektojnë, kanë uri për lekë dhe nuk dinë nga të vendosin duart” ishte fragmenti i një telefonate, ku Ambrogetti i thotë shokut të vet (telefonata e regjistruar më 24 janar).
Cavasini është i terrorizuar: “E vrasin. Nuk ndërgjegjësohen që janë në Itali, dhe ne duhet të rrezikojmë jetën, duhet njëri që t’i kontrollojë”, kalojnë disa javë dhe lajmet për vrasjen e vajzës së marrë peng janë një histori e shkuar. 19 mars, karabinierët regjistrojnë një tjetër telefonatë mes Ambrogetti e Cavasini dhe shqiptarit Sadrit Danaj.
Të tre fillojnë të flasin për rrëmbimin e Tacchinardi dhe Soffiantini, e cila u mbyll me lirimin e pengjeve dhe arrestimin e kriminelëve. “Me siguri, Tacchinardin duhet ta kishim vrarë, thotë shqiptari (Sadrit Danaj) biznesmenëve, vetëm në këtë mënyrë do ta kishim kaluar rrezikun. Trupi nuk do të ishte gjetur, nuk do të kishim rrezikuar asgjë”.
Për gjykatësin Leopoldo De Gregorio, ai dialog për fatin e pengut duket një plan për synimet në të ardhmen. Graziano Ambrogetti, 42 vjeç kishte transferuar prej kohësh aktivitetin e tij në Shqipëri dhe pikërisht në Vlorë. Dante Cavasini, 51 vjeç pas shumë eksperiencash për biznes, të cilat nuk kishin përfunduar me sukses kishte hapur një punishte në Orbetello. Në tetor kishte qenë disa herë në Shqipëri për të mbyllur disa çështje biznesi bashkë me Ambrogettin. Të dy biznesmenët e marrë në hetime kanë pranuar se janë takuar në Peruxhia me të dy shqiptarët, por vetëm për arsye biznesi.
Arben SHAHINI