Kategori
Uncategorized

Kompania e madhe “Aktor”, viktime e urrejtjes patologjike te Edi Rames.

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar dje ndaj deklaratave të ministrit Haxhinasto, cili deklaroi dje se do të prishë kontratën me firmën “Aktor” për rrugën që lidh tunelin e Elbasanit me Tiranën. Në një postim në faqen e tij sociale Facebook, Berisha shkruan se, kompania e madhe “Aktor”, është viktime e urrejtjes patologjike të Edi Ramës dhe korrupsionit të shfrenuar të tij. “Dje, zëdhënësi i Ramës për rrugët, Haxhinasto, inspektoi punimet në impiantin e përpunimit të ujërave të zeza për Tiranën, investim prej 120 milionë dollarë, kredi e butë e qeverisë japonese për Shqipërinë, tenderuar në fundin e vitit 2012 nga qeveria e mëparshme por e bllokuar për mbi 1.5 vjet nga Rama – Meta për të zhvatur kompaninë e ndërtimit. Ai me porosi të Ramës nuk ju tha shqiptarëve gjysëm fjale për këtë veper madhore, ndihmë bujare të qeverisë japoneze, ndërtimin e të cilës e shtynë për motive korruptive 18 muaj, por nga objektet e saj ndërmorri një sulm të egër, të shpëlarë ndaj kompanisë greke “Aktor”, e cila ndërtoi në kohë rekord, me çmimin më të ulët dhe cilësinë më të lartë tunelin e Krrabës dhe autostradën Tiranë-Elbasan, segmentin e saj Ibë–Elbasan”, shkruan Berisha.
Sipas Berishës, ky akt e tërboi Ramën dhe ai me të ardhur në pushtet i ndërpreu si ndëshkim financimin kompanisë, duke ia bllokuar me qëllim punimet. “Më vonë Rama, sipas disa burimeve të vetë autoritetit të rrugëve, kërkoi bojatisjen mavi të tunelit, sepse deshi të bënte riinaugurimin e tij, por kompania refuzoi të bojatiste mavi tunelin, pasi kjo mund të bëhej burim aksidentesh. Së fundi, pas rrëshkitjes të madhe në Ibë, në përputhje me rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare, kompania kërkoi rivlerësimin e kontratës lidhur me shkarjen e madhe të masivit të dheut për shkaqe gjeologjike. Autoriteti i rrugëve ishte i detyruar të pranonte pretendimin e bazuar në ligje të kompanisë “Aktor”, por që nga ajo kohë nuk i kanë dhënë një qindarkë, duke i bërë asaj të pamundur pagesën e nënkontraktorëve që punojnë në rrugë”, shkruan Berisha.
“Dje, zëdhënësi i Ramës njoftoi se piktori kishte vendosur të përzinte jashtë çdo kriteri ligjor dhe vetëm nga urrejtja dhe korrupsioni, kompaninë për të zëvendësuar me një kompani, duket si ajo që ndërtoi kullën falike në zemër të Korçës, me të cilën ndajnë së bashku paratë. Por kjo do të bëjë që Shqipëria në arbitrazh të gjobitet me së paku me 100 milionë euro, mirëpo Ramës kjo nuk i thotë asgjë, mjafton të shfryjë urrejtjen dhe të mbushë xhepat e tij!”, përfundon Berisha.
Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto deklaroi një ditë më parë se firma “Aktor” ka shkelur kontratën dhe për këtë do të penalizohet. Ministri nuk përjashtoi mundësinë e kontraktimit të një tjetër kompanie për përfundimin e këtij segmenti rrugor. Ministri Edmond Haxhinasto u shpreh se, në autostradën Tiranë-Elbasan nuk po punohet me ritmet e duhura dhe se ekziston mundësia që qeveria të ndërpresë kontratën me kompaninë greke dhe të përfundojë projektin me një kompani tjetër. Sipas tij, nuk ka asnjë arsye për vonesa të kësaj natyre dhe kompania nuk po punon me ritmet e duhura. Duke iu referuar rrëshkitjes së dheut në pjesën ku kalon ky projekt, ministri tha se kjo vjen për arsye të projekteve defektoze që në fillim. “Vepra nuk është bllokuar, por po punohet jo me ritmet e duhura dhe të paplanifikuara, pavarësisht ngjarjeve të paparashikuara që kanë ndodhur, dy rrëshkitjeve masive të këtij projekti”, tha Haxhinasto.

foto e Sali Berisha

Lini një koment