Kategori
Uncategorized

Themie Thomai: Si i rezistova Enver Hoxhës për 13 vjet ministre

Themie Thomai: Si i rezistova Enver Hoxhës për 13 vjet ministre

Ilda Lumani

Ruan të njëjtin autoritet në pamje si të ishte ende pjesë e dikastereve të larta. Trupdrejtë, e kujdesshme me pamjen, fl okët e lyer, një truk i lehtë dhe një fjalor i zgjedhur dhe i rrjedhshëm. Themie Thomai, ministrja e Bujqësisë për 13 vjet, vjen në një rrëfi m të veçantë në “Bulevard VIP”. Mes historive të shumta që rrëfen nga ajo kohë, vë re dhe nostalgji,
por edhe një keqardhje për prishjen e gjithçkaje që u ndërtua nga ajo si ministre. Edhe pse e vëmendshme ndaj zhvillimit të ekonomisë dhe politikës, ajo tashmë i është përkushtuar tërësisht jetës familjare për të rikuperuar kohën
e humbur gjatë rinisë së saj, kur i duhej të merrte përgjegjësi të mëdha. Që në moshën 21-vjeçare u bë kryetare kooperative. 10 vjet më pas, kur ajo ishte 31 vjeç, u thirr në Komitetin Qendror për t’ju emëruar posti i ministres së Bujqësisë, të cilin e mbajti për 13 vjet. Por, si ishte kjo eksperiencë dhe cilat ishin përplasjet e saj me Byronë. Le të ndjekim këtë rrëfi m të veçantë, së bashku…
Rinia juaj i përket viteve ‘60- ’70. Si ishte atëherë rinia dhe si e kujtoni ju sot?
Do përpiqem të them diçka nga rinia ime, e cila ka qenë edhe e bukur siç është rinia vetë e bukur, por edhe me probleme. E them këtë, sepse në moshë fare të mitur mua më ka lënë babai, më ka vdekur dhe nënës i duhej të përballonte familjen. Dhe, ndonëse ajo ishte në moshë fare të re, ne ishim dy fëmijë, motër dhe vëlla, ndaj ajo
u përball me shumë sakrifi ca, prandaj them që rinia kishte edhe gjëra të bukura, por edhe peripeci, nga ana
ekonomike; nëna duhet të mbante familjen, fëmijët…
Unë gjatë gjithë kohës sime të rinisë kam qenë aktive, më ka pëlqyer kënga, muzika, fi lmi, sporti, mësimi po se po. Kam qenë vazhdimisht me rezultate të mira, dhe të gjitha këto e bënin jetën të bukur. Dhe, nëse kishe ndonjë gjë, e harroje. Që në moshë të re unë jam marrë edhe me rininë, kam punuar shumë me rininë. Unë jam bërë në një moshë fare të re, që 21 vjeçe kryetare kooperative në Këmishtaj, gjë e cila nuk ma la ta çoja rininë time deri në fund. Kjo atëherë ishte një detyrë e vështirë, sepse kishte të bënte me jetën e shumë kooperativistëve që ishin atëherë, që duhet të realizoje prodhimin, që ata të mund të merrnin paratë. Dhe, kjo natyrisht nuk të linte kohë të merreshe me problemet e mirëfillta të rinisë apo të kënaqësisë që të jep rinia, ndaj shpejt unë hyra në hallet e punës, të drejtimit, të realizimit të planit. Në fillim nuk kam dashur, e kam refuzuar këtë punë, për vetë moshën që kisha, përvojën që nuk e kisha fare, por siç ishte në atë kohë, të thoshin që këtë detyrë do ta bësh dhe do ta bëje.
Si ndiheshit kur u jepnit urdhra punëtorëve, që mund të ishin edhe prindërit tuaj në moshë?
E kisha vështirë, sepse kisha shumë nga ata që njihja që kur isha e vogël dhe më kishin mbajtur afër, por puna e donte që të jepje dhe urdhër, të jepja një detyrë që do ta bënin. Ajo që dua të vë në dukje është se, edhe pse kam qenë e re, për çudi ata njerëz më kanë kuptuar shumë mirë. Edhe unë u kam ndenjur afër, në mënyra të ndryshme jam përpjekur të njoh psikologjinë e tyre, të heq mendimet e tyre, që ishin të lidhura fort me traditën dhe nuk u pëlqente të bëje një kapërcim të menjëhershëm në mendime. Dhe, kur ti u thoshe diçka të re, ishte pak e vështirë. Duke ndërtuar një punë të tillë, edhe pse ishte shumë e vështirë, ne si kolektiv, specialistët, kolegët e me të gjithë atje, mendoj se bëmë më të mirën që mund të bëhej në atë kohë. Nuk mund të them që ishte e shkëlqyer gjithçka, por bëmë më të mirën e mundshme për kohën. Ekonomia, për të cilën unë kam drejtuar për 10 vjet si kryetare kooperative, arriti rezultate. Prodhimi bujqësor dhe blegtoral krahasohej në atë kohë edhe me rezultatet e Europës. Ekonomia u rrit, në rendimentin e grurit, të misrit, prodhimeve të tjera bujqësore që kishte drejtim kooperativa. Ne punonim si një ekip me specialistët që kishim. Madje, kishim ngritur laboratorë për prodhimin e farnave, për prodhimin e grurit, punimin e tokave, plehërimin e tyre, dhe këto lidhje ishin me institucione shkencore. Pothuaj këtë kooperativë ne e kishim kthyer në një institucion shkencor. Pse e thashë këtë? E vura në dukje, sepse pa shkencë pa dituri, pa punë, pa dashuri, bujqësia nuk mund të ecë. Dhe, ajo punë e vështirë, kur i shtohej kënaqësia e arritjeve, e lehtësonte peshën e vështirësisë. Kjo ka qenë një shkollë shumë e madhe për mua dhe kam mendimin që edhe sot, në zgjedhjen që i bëhet administratës duhet t’i vihet përparësi kësaj. Mendoj se punonjësi para se të kalojë në administratë duhet të ketë kaluar në një stazh prodhimi, a punë tjetër që të mund të jetë në gjendje të perceptojë rregullat me njerëzit në radhë të parë, teknikat, etika, teknologjitë, që sot janë shumë më lehtë për t’i përvetësuar, mjetet e informacionit nuk mund të krahasohen me atë kohë. Dhe, them se kjo do t’i shërbejë gjithsecilit, qoftë për karrierën e tij, por do t’i bëjë mirë edhe vetes. Praktika ka rëndësi të madhe.
Ndërsa keni qenë kryetare kooperative për 10 vjet, jeta juaj personale si ka shkuar?
Unë jam martuar me tim shoq në vitin 1967, kur isha 22 vjeç. Jemi njohur të rinj, isha e fejuar kur u bëra kryetare kooperative. Bashkëshorti im ka mbaruar për mjekësi, është mjek stomatolog, kemi dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë, tani janë të rritur. Jeta familjare (duke pasur këto presione), përsa i përket argëtimit ka qenë e kufizuar. Të gjitha hapësirat ishin të pakta dhe duhet të them që ata kanë bërë sakrifica, burri dhe fëmijët, nëna ime dhe vëllai.
Bashkëshorti juaj, si e përballonte punën tuaj dhe faktin se impenjimet tuaja familjare ishin të kufizuara?
Ne atëherë kemi pasur disa koncepte të qarta, dhe mendoj se gjëja më pozitive ka qenë që im shoq nuk ka ndërhyrë në punën time. Më ka lënë të punoj sipas rregullave të kohës, dhe kjo më ka ndihmuar të jem shumë e paanshme ndaj gjykimeve me njerëzit, me punën. E vlerësoj shumë këtë si një ndihmesë të madhe që më është ofruar nga bashkëshorti im gjatë gjithë kohës. Ai e ka pasur pak më të vështirë, sepse merrej më shumë me fëmijët dhe në atë kohë çdo gjë ishte e planifikuar, e diktuar, duhet ta realizoje. Unë çdo ditë kisha të bëja me marrëdhëniet me kooperativistët, me shtetin e kështu që nuk mund të ishe një familjare shembullore.
Por, ama në moshën 31-vjeçare ju u bëtë ministre. Si erdhi ky propozim?
Kjo ndodhi në vitin ’75, kur ne arritëm rezultate shumë të mira në prodhim dhe nga ana shkencore, të cilat sapo ishin bërë të ditura në media. Madje u bë një qendër që vinin edhe për eksperiencë në kooperativë. Në vitin ’76, krejt papritur (mua nuk më kishte shkuar kurrë mendja), më thanë që të kërkojnë në Komitetin Qendror. Mendova se do të bëhej ndonjë mbledhje për çështjen e detyrave, meqë rezultatet kishin qenë të mira dhe u nisa për në Tiranë. Në pritje ishin edhe tre shokë, që do të bëheshin zëvendësministra. Dhe, ata të thirrur si unë në Komitetin Qendror. Kur shkuam, na komunikoi vendimin Hysni Kapo dhe pastaj na thirri Enveri dhe tha: “Siç ua tha dhe Hysniu, ju jeni vendosur në këto detyra të reja”. Përsëri unë shfaqa mendimin që kjo është një detyrë shumë e vështirë dhe vet natyra e bujqësisë është e vështirë, sepse ajo lidhet edhe me kushtet klimaterikë, është delikate, e kështu që nuk mundet t’i përgjigjem kësaj detyre. Por, ai më tha: “Kjo është vendosur dhe ju duhet ta kryeni këtë detyrë”. Natyrisht u bisedua edhe për bujqësinë, si një degë e rëndësishme e ekonomisë. Unë u shqetësova shumë, se isha e papërgatitur për një gjë të tillë dhe isha mjaft e emocionuar. Nuk mund ta konceptoja si karrierë, për mua ishte detyrë dhe mendoja, a do jem e zonja ta bëj këtë apo jo. Unë si natyrë nuk marr përsipër një detyrë që nuk e bëj dot, të thoshin e ulëm në një karrige sepse ishte grua. Unë nuk luftoja për këto, unë duhet ta meritoja këtë punë. Duke u nisur nga kjo, pasi u bënë dorëzimet, fillova punën në Ministrinë e Bujqësisë.
Çfarë kujtoni nga dita e parë e punës si ministre?
Të them të drejtën, atë ditë kam qenë edhe paksa e hutuar, por më kujtohet kur erdha nga zyra, shkova për të ngrënë drekë tek restorant “Drini”, pasi familjen e kisha ende në Lushnjë. Më parë shkoj të laj duart dhe një vajzë e re (si ju) më shihte dhe më pyeti, ju jeni filania, po i thashë. E ke të vështirë, – më pyeti? E vështirë është, – i thashë, – akoma nuk e kam provuar. – Unë e di që është e vështirë, por përderisa kam qenë 10 vjet kryetare kooperative e di që do ta bëj. Ajo më tha: “Ti mos e merr me frikë, se ke tërë gratë e Shqipërisë me vete”. Më inkurajoi. Nuk ja mësova emrin, por u ndjeva e lumtur. Ishte e vështirë, sepse bujqësia ishte një institucion i rëndësishëm, mbahej një popullatë, fshat-qytet me të, punonte fuqia punëtore në industrinë e lehtë dhe ushqimore, kishte një pjesë të rëndësishme të eksportit tregtia e jashtme. Pra, ishte një detyrë me përgjegjësi që duhet ta ndiqje. Kjo, natyrisht mua më shqetësonte, më rriste përgjegjësinë më shumë, këmbënguljen, por edhe probleme shumë kishte.
Cila ka qenë dita më e vështirë si ministre?
Ka pasur shumë, po të ishte një do të ishte mirë. Sa fillova detyrën në ministri (unë fillova në datën 1 maj ’76) në datën 5 qershor ka rënë një breshër i madh që ka rrafshuar gjithë fushën e Lushnjës dhe një pjesë të fushës së Fierit. Duheshin masa të jashtëzakonshme për ta rikuperuar, jo grurin se ai iku, por për ta mbjellë misër, etj. Ishte një ngarkesë, sepse përveç emocionit, se sa kisha filluar punë, u shtua edhe kjo. Ka pasur momente të vështira për të mbajtur edhe qëndrime. Për shembull, ka qenë një herë mes të tjerave, që diskutohej se fshatarët, kooperativistët kishin në dispozicion vetëm një dynym tokë që mund ta kultivonin për nevojat e tyre. Shtrohej problemi, këta kooperativistë do të kishin fëmijë, fëmijët do të rriteshin, ata do të martoheshin dhe do të largoheshin nga trungu i familjes. Problemi shtrohej se a do të ndahej ky dynym mes tyre, apo ai që martohej duhet të merrte tokë tjetër. Dhe, unë si ministre e Bujqësisë isha që duhej të merrnin një dynym tjetër dhe me këtë pikëpamje unë shkova në qeveri, të cilën qeveria nuk ma pranoi në atë kohë.
Kush e ka kundërshtuar më shumë këtë tezë tuajën?
Ka pasur shumë, por nuk dua të merrem me emra. Nuk u pranua dhe kemi vajtur tek Byroja Politike (sepse ajo vendoste) me dy mendime, mendimi i qeverisë përballë timit. Atje, pasi dhanë mendimet dhe se çfarë mendoja unë, më bënë shumë pyetje, edhe provokuese, që çfarë është kjo, në këtë mënyrë ndahet toka. Unë u përpoqa të jepja shpjegime, që toka nuk ndahet, ata që punojnë do marrin tokë dhe do të prodhojnë për veten e tyre, dhe kjo duhej bërë. Presioni ishte shumë i madh, ç’është e vërteta.
Keni pasur frikë?
Unë nuk para kam pasur frikë, por presioni ishte i madh. Kam qenë e hapur në mendimet e mia, aq sa më lejonte koha dhe hapësira, të kuptohemi. Ky ka qenë një moment i vështirë. Më kujtohet një herë tjetër, ka qenë problemi i shtimit të sipërfaqeve që mbilleshin me sojë, një bimë vajore, që diskutohet edhe sot. Ato i kërkonin për nënproduktet, por ama donte investime të mëdha. Apo, edhe shtimi i sipërfaqeve të duhanit. Unë në atë kohë i kam kundërshtuar me argumente. Presion shumë i madh më është bërë, pse e kundërshton, kjo është direktiva. Unë u thosha që kjo nuk bëhej, pasi kërkonte teknologji, etj. Dhe, natyrisht që nuk u bë. Gjithashtu ministria e Bujqësisë nuk ishte dakord që të bëhej, tufëzimi i bagëtive. Ky ishte një gabim i madh. Kjo pasi, e zhveshi fshatarin si prodhues dhe e bëri konsumator. Atëherë u bënë konsumatorë të gjithë. Unë në një formë ose në një tjetër e kam kundërshtuar, natyrisht kam marrë edhe risqe. Kjo e dëmtui shumë blegtorinë.
Po me Enver Hoxhën keni pasur përplasje?
Për çështjen e ndarjes së tokës, që u përmenda më lart, kam pasur në fakt. Vet me atë, madje. Ka qenë diku nga vitet ’80. Unë isha për dhënien e tokës për çdo familje edhe kur ajo shtohej nga një dynym. Qeveria jo. Në mbledhje Enveri më tha: “Pse ty të ka lënë Partia që të mendosh për fshatarët”. Jo, i thashë. Unë këtë mendim kam, meqë jam në këtë fushë, pastaj si vendoset është në dorën tuaj. Natyrisht, nuk ishte e lehtë, por nuk mund të veproja dhe të thosha ndryshe, se unë e dija çfarë donte fshatari.
Një femër në një dikaster të vështirë për mbi 12 vjet? Vetëm merita e punës?
Është e vërtetë që unë kam ndenjur për një kohë të gjatë në krye të dikasterit dhe fitova një përvojë shumë të mirë. Por, unë çdo punë që marr përsipër e çoj deri në fund. E dua punën, e dashuroj punën, jetoj me të. Dhe, nuk ishte se unë i bëja hyzmetin karriges që të rrija më gjatë, nuk më kishte shkuar mendja kurrë për këtë, unë i bëja hyzmet një pune të madhe që ishte e dobishme për vendin tim. E dija vërtetë atje ku njerëzit jetonin, punonin, dhe shihja njerëz që ushqeheshin mirë dhe njerëz që ushqeheshin jo mirë. Ministria e Bujqësisë më ka bërë që unë të njoh detajet e jetës shqiptare në fshat. Kam shkelur me këmbë gjithë Shqipërinë, mund të jenë të rralla fshatrat që nuk i kam shkelur, kam fjetur në shumë shtëpi familjarësh, nga Tropoja në Konispol, kam gjetur ngrohtësinë në ata njerëz, kam gjetur dashurinë; dashuri për punën, dhe kjo më ka bërë edhe më të motivuar për punën. Mendimet dhe idetë që më jepnin më kanë ndihmuar dhe me gjithë vështirësitë që kisha, thosha po jap një kontribut aq sa mund të jepja.
Si e kujtoni atë kohë?
E kujtoj edhe me dashuri, por edhe me dhimbje, sepse shumë gjëra të bukura që u bënë në bujqësi (që ishte mundi dhe djersa e gjithë shqiptarëve, sepse të gjithë punonin për bujqësinë), u shkatërruan. Përveç gjithë atyre agrumeve që u mbollën dhe u bë një kurorë që çdo stinë të kishte frutat e veta, me ç’kam parë gjithçka është shkatërruar. Dhe, e dyta ishte sistemi i vaditjes e kullimit. 63 për qind e tokave ishin nën ujë, mbi 2000 e ca ishin rezervuare, sistemi fushor ishte i vaditur, ky sistem u cungua dhe deri diku u prish. Dhe, e treta sipas meje, gabim është që toka të shpërdorohej në mënyrë të paparë nga erozioni, sepse pritat mbrojtëse nuk ekzistojnë. Ne jemi zonë kodrinore-malore dhe pritat që ndalojnë përmbytjet e reshjeve nuk ekzistojnë më. Gjithashtu, toka po zihet nga ndërtime pa kriter, po çimentohet dhe ajo nuk pjell më. Toka është copëzuar, dhe ti nuk mundesh të aplikosh një teknologji të lartë, që prodhimi ynë të mos ishte vetëm për vendin, por edhe për eksport. Kam dëgjuar që janë bërë investime, sepse unë jetën e kam të lidhur me bujqësinë, por ato janë të pamjaftueshme. Sa më parë të fillohet si duhet një punë e mirë në bujqësi, asnjëherë nuk është vonë. Duke zhvilluar bujqësinë, do të kishte shumë njerëz në punë dhe do të luftohej papunësia.
Si është e përditshmja juaj?
E përditshmja ime…. natyrisht nuk marr pjesë në ndonjë grupim politik, kam dalë në pension prej 4 vjetësh. I jam përkushtuar familjes, se kam shumë deficite nga e kaluara. E kam ndjerë këtë dhe tani jam më e përkushtuar për fëmijët. Ata janë rritur, por kam dëshirë të jem prezente pranë tyre. Kam një nip i cili është në gjimnaz, kam një mbesë 10 vjeç dhe një të vogël që është një vjeç. Më kënaqin, më çlodhin. Takoj dhe miqtë, shokët, diskutojmë për shumë gjëra. Dhe, kështu e mbush kohën. Ndërkaq ndjek zhvillimet në vend. Nuk jam indiferente, dhe sidomos diskutimet dhe investimet që bëhen për bujqësinë i ndjek me kërshëri. Nuk ngelen pas vëmendjes edhe zhvillimet politike.

Lini një koment