
Sali BERISHA
Duke folur në këtë platformë, në mendje të vjen vetëm një pyetje, një kryepyetje për Edi Ramën: cila do të jetë e keqja tjetër e radhës që ke parashikuar dhe planifikuar për shqiptarët?
Sot, me një logollogji të pafundme, mbulove aktin më të paprecedent që voton në Parlament, mbulove kazmën në themelet e shtëpive të çdo shqiptari, mbulove ligjin me të cilin ti i lejon vetes, me një bandë punonjësish të papërgjegjshëm në OSHEE, t’u rrëmbesh pronën themelore qytetarëve shqiptarë, t’u rrëmbesh banesën, duke u bërë kështu i pari në historinë e planetit që i lejon vetes ta bësh këtë për një mall që shteti shet, në një kohë kur bota e qytetëruar atë e ka të zgjidhur me një rregull të prerë “po s’pagove nuk ta jap, s’të furnizoj” qoftë ujë, qoftë energji, qoftë çfarëdo utiliteti që ti merr.
Ke prurë këtu një ligj, të cilin vetëm shpirti yt i zi, mendja jote mund ta stiste të tillë, të autorizosh ti OSHEE-në për të sekuestruar banesa, duke krijuar kështu shkallën më të lartë të pasigurisë të qytetarëve shqiptarë. Me këtë ligj, asnjë qytetar nuk ka më të sigurtë strehën e tij, nuk ka më të sigurtë për fëmijët e tij banesën, shtëpinë që ka ndërtuar, pasi nesër nga kompjuteri i OSHEE-së mund t’i vijnë çdo ditë miliona, miliona gjoba të krijuara vetëm e vetëm për të mbushur arkën në mënyrën më banditeske.
Ç’të keqe tjetër ti ke planifikuar t’u bësh shqiptarëve? Pasi erdhe në pushtet me mashtrime të paimagjinueshme duke përdorur praktikën e etërve të tu, u premtove shqiptarëve shëndetësi falas, u premtove heqjen e TVSH-së për energjinë, se do të ulej çmimi dhe e ke rritur atë me 24% dhe del këtu e thua se nuk është rritur, por është ulur. Iu premtove legalizime falas, rrogën e 13-të dhe u ngrive rrogat.
Ç’të keqe tjetër ti ke planifikuar t’u bësh shqiptarëve, që u mblodhe kriminelë dhe qelbësira të të gjitha llojeve dhe i vure në piedestal të pushtetit për të qeverisur më lehtë me ta.
Ç’të keqe tjetër ti ke planifikuar t’u bësh shqiptarëve, që liron ata, të cilët shkrehin kallashet mbi gjokset e komisarëve të policisë vetëm e vetëm për marrëveshje.
Ç’të keqe tjetër do u ofrosh ti shqiptarëve, përveç lidhjeve të tua të tmerrshme me krimin, fshehjes së marrjes peng të deputetëve.
Ç’të keqe tjetër do t’u ofrosh ti shqiptarëve sesa zbatimin e ligjit atij që është aty (Kokëdhima) që shkel 10 ligje e ndërton sarajet bashkë me ty në Qeparo, ndërsa të tjerëve u fut rruspat, që i kanë me leje, dokumente dhe çdo gjë tjetër.
Ç’të keqe tjetër ti ke do t’u bësh shqiptarëve, në një kohë kur në Surrel ke ndërtuar sarajet ku vetëm pigmenti i mureve kushton 70 mijë euro, mureve të jashtme pa llogaritur bataljonin që ke aty për të të mbrojtur. Rruga që ka kushtuar për t’u ndërtuar në Surrel 300 milionë lekë dhe asnjë km përtej Surrelit, se aty ndalet, se aty janë sarajet, kurse emigrantëve të mjerë shkon u fut rruspat.
Ç’të keqe tjetër do t’u bësh shqiptarëve e çfarë thotë ajo mendja jote, nxirre. Të merret vesh ta dimë. Shkon dhe u katërfishon studentëve tarifat studentore dhe ja u hedh barrën të varfërve.
Ç’të keqe tjetër do t’u bësh shqiptarëve, që u rrit moshën e pensionit, njerëzve të cilët jetuan dhe vuajtën burgjeve në 45 vjet diktaturë.
Ç’të keqe tjetër mund t’u bësh fshatarëve shqiptarë ti që i detyron për të marrë një pension gjashtëfishin e kontributeve shoqërore me Erjonkën tënd.
Ç’të keqe tjetër mund t’u bësh shqiptarëve ti, përveçse duke i përzënë çdo ditë me dhjetëra, me mijëra dhe nxjerr papagajtë e tu nëpër televizione për të thënë se kanë ikur edhe më përpara. Po more zotëri, bashkimet familjare janë bashkime familjare, turp i atyre që i përmendin. Ato janë akte humane të përcaktuara me ligje të të gjitha vendeve të lira, por azilet politike janë azile politike dhe merrni shihni statistikat. Dhe nuk është heqja e vizave ajo që i sjell këto. Jo. Se vizat nuk ishin në ‘11-tën, as në ‘12-tën ku s’kishte as 200-300 shqiptarë që kishin kërkuar azil politik. Janë këto të këqija që bien mbi shqiptarët çdo javë, çdo ditë nga ty me bandën që qeveris.
Ç’të keqe tjetër mund t’u bësh shqiptarëve ti, sesa të shpallësh check-up-in e përgjithshëm dhe po shkojnë tani vetëm familjarët tuaj se nuk shkojnë më qytetarët. Dhe unë u bëj thirrje qytetarëve mos shkoni sepse është i dëmshëm, se asnjë vend i zhvilluar në botë nuk e bën atë dhe vetëm kjo lukuni do të vjedhë mbi ju, me kushërinjtë e vet. Shihni pak sa janë doganat këto 3 muaj, 70% kanë rënë ato. Se ju s’ja u thonë. Janë përgjysmuar detaksimi i cigareve. E dini pse po ikën “Crown Agents”? Sepse kapën kontrabandë duke futur në makinën e mamasë së deputetit. Mamatë tuaja marrin 300 eurot e Ciprasit, pensionin e Ciprasit.
Ç’të keqe tjetër do t’u bësh shqiptarëve ti, sesa të mbushësh burgjet dhe të rreshtosh 38 mijë qytetarë në një vit.
Ç’të keqe tjetër do t’u bësh shqiptarëve ti, se sa t’i detyrosh të varen në qeli nga torturat çnjerëzore.
Ç’të keqe tjetër mund t’u bësh shqiptarëve, se sa t’u nxjerrësh nënën e vrasësit serial dhe t’ja u ngjitësh në pallatin e Kryeministrit.
Ç’të keqe tjetër do t’u bësh shqiptarëve, se sa të fshehësh kërkesat për ekstradim dhe të marrësh peng deputetin. Këto janë arsyet, këto janë të këqijat që përzenë shqiptarët nga Shqipëria. Dhe sot sjell ligjin për t’jua lëkundur themelet e banesave.
Ç’të keqe tjetër do t’i bësh Shqipërisë? I ke premtuar shërbim shëndetësor falas dhe ke shndërruar urgjencat në qendra nekrofilie. Premtove reformën në arsim dhe solle “Lizat”. Po pse dënohet Liza dhe s’dënohet Moza kuqaloshe apo Mozën e ke mikeshë ti dhe s’mund ta dënosh. Po e dini që Moza merrte 6 mijë dhe jo 5 mijë euro sa Liza. Mos e dënoni Mozën, dënoni vetëm Lizën. Mbajtët 6 javë videon e hipotekës. Nxirri të gjitha videot që ta kanë mbushur zyrën nga të katër anët apo i përdor për të mbajtur peng punonjësit? Këto janë standardet.
I fale CEZ-it transfertat e parave
Flet për energjinë ti. Po u ke bërë gjëmën. Ti je njeriu që ke firmosur marrëveshjen korruptive me CEZ-in. I fale CEZ-it 620 milionë euro fatura, të vërtetuara një më një dhe të pranuara nga CEZ, borxhe ndaj buxhetit të shtetit dhe ndërmarrjeve shqiptare. I fale CEZ-it claime të tjera të pranuara nga kompani dhe auditi ndërkombëtar, 3.2 miliardë dollarë.
I fale CEZ-it sepse të mbushi xhepat. Lexoja letrën që ke marrë nga avokati i CEZ-it, mos e mbaj të fshehtë. Atë e kishim çështje të sigurtë plotësisht ne, por duheshe që ti të ndaje paratë me të tjerët dhe të firmosje marrëveshjen më korruptive që mund të ketë ekzistuar në historinë e vendit.
I fale CEZ-it qindra mijëra gjoba të qytetarëve shqiptarë që u vuri me matësat. 620 mijë lekë matësi, duke ja u marrë matësin e parë. I fale CEZ-it transfertat e parave nga të katër anët e botës të taksapaguesve shqiptarë.
Çfarë të keqe tjetër do t’i bësh ti këtij vendi me këtë ligj që sjell sot ja u numëron tani edhe gurët e shtëpive. Do t’u marrësh shtëpitë nëse s’paguajnë energjinë. Po këtë s’e ka bërë kush kurrë, as diktaturat më të egra nuk kanë shkuar deri këtu. Është njëlloj si të shpallësh de facto mekanizmin e konfiskimit të banesave të shqiptarëve. Duke qenë se na flet për suksese, të gjitha pa përjashtim ato që numërove këtu, është ajo qeveri që shave ti sot, që ka bërë që 28% e energjisë në Shqipëri të vijë nga burime të reja në një kohë kur 30 vjet me radhë nuk kishte një burim të vetëm.
Po, po HEC-et e reja. Është ajo qeveri që të la të gatshëm TEC-in e Vlorës dhe që sot e kësaj dite s’ke bërë asgjë. Është ajo qeveri që të la Unazën e Jugut dhe ti shkon në Zemblak dhe inauguron 3 herë burimet që kam inauguruar unë përpara zgjedhjeve. Është ajo qeveri, e cila firmosi dhe bëri tenderat dhe vuri çmimin e linjës Kosovë-Tiranë–Prishtinë. Është ajo qeveri që të ka lënë gati linjën me Maqedoninë, Elbasan–Shkup. Çfarë ke bëri ti? Vetëm marrëveshjen e CEZ-it.
U ktheve shqiptarëve aforfenë, që e kishin harruar. Mburresh për inkasimet. Po sigurisht, se po e gjobite tjetrin 600 mijë lekë fatura në muaj me aforfe, nga 200 mijë që paguanin normal, ti merr sa për tri familje, shtoji edhe 100 të tjera dhe dalin sikur po paguajnë 2 milionë familje. Ky është shtimi? S’është shtimi ky, kjo është gjoba e tmerrshme që u vë ti shqiptarëve, kjo është e keqja e radhës që bie mbi shqiptarët.
Universitetet mbyllen për të varfërit
Javën tjetër do të na sjellësh ligjin për arsimin. Edhe aty universitetet mbyllen për të varfërit ose futen në borxh në një kohë kur ke premtuar se do të bësh 50% buxhetin për arsimin. Po ti ke alergji ndaj arsimit. Ndaj dhe koha është e përgjegjësisë po ti përgjegjësi nuk ke.
Ti je shndërruar në një fatkeqësi kombëtare. Me një qeveri, e cila çdo gjë tjetër mund të bëjë, por që nuk qeveris. Këta vjedhin gjithë ditën. Shihni tenderat e tyre, fiton i vëllai tenderat e ministrit dhe tani hidhet e propozohet për kryetar bashkie. Po na thoni një rast të vetëm kur ka ndodhur kjo? Jeni lëshuar në orgji e salltanete të paimagjinueshme. Po kur ka ndodhur një dasmë me dy raunde në kështjellë e stërkështjellë. Na rroftë mamaja! Vetë e tha që ma bëri mamaja dasmën, nuk e thashë unë. Juve nuk ju bën përshtypje se bëhet dasmë me paret publike në kështjellën e Gjirokastrës dhe ju bën se e përmend unë.