A lidhet kjo me reagimin e ashpër të ambasadës amerikane kundër ish-deputetit socialist?
Tom Doshi iu referua edhe një çështjeje tjetër që kishte diskutuar me Edi Ramën, përveç dëshmisë për atentatin e parapërgatitur ndaj tij dhe Mhill Fufit. Doshi tha se i kishte bërë të qartë Edi Ramës edhe disa të vërteta mbi 21 Janarin.
“I bëra të qartë Edi Ramës edhe për 21 Janarin edhe për të gjitha gjërat”-u shpreh Doshi.
Tani që Doshi kërkon të flasë edhe për 21 Janarin, a mund t’i shërbente hetimeve dhe zbardhjes së ngjarjes një dëshmi e plotë e tij për organizimin e protestës, të cilën opozita e atëhershme e quajti demostratë popullore.
Shtetet e Bashkuara janë shprehur publikisht se janë të interesuara që kjo ngjarje të zbardhet dhe dëshmia e Doshit mund t’i ndihmonte këtij qëllimi, por ambasada amerikane në Tiranë në deklaratën pas përjashtimit të Doshit u tregua shumë e ashpër ndaj ish-deputetit socialist, duke e quajtur rastin e tij si kanosje e krimit ndaj shoqërive të lira.
