Një mik i tij që e shoqëron në vakancat e tij të shumta, pa dashur më tha një ditë: “Miku im Azgan, mos u merr me Ridvanin. Ai i ka mbushur hararet. Vetëm në muajin e dytë të mjaltit, shpenzime e dhurata për bashkëshorten e re ka harxhuar sa 135% e buxhetit vjetor të bashkisë B. Curri. ”Lexuesi vet le ta marrë me mend ..!!!??.
Gjithmonë duke marrë shkas nga 23 qershori 2013, kjo ditë e mbështjellë si nga dhimbja revoltuese e demokratëve shqiptarë po aq dhe nga velloja misterioze e rezultatit, hapur, drejtpërdrejt, sinqerisht e pa droje i jam qasur një analize publike.
Natyrisht pozicioni kritik mediatik ndaj shumë emrave qe kanë drejtuar PD-në si dhe kanë gëzuar poste te larta shtetërore, nuk buron nga komoditeti i te mos qënit pjesë e asnjë klani oligarkik ndërpartiak në udhëheqësi. Unë kam qenë drejtues në një rreth si Tropoja që për shkak të pozicionit gjeo-strategjik, kontributit historik për më shumë se 150-vjet në zhvillimet historike kombëtare dhe proceset demokratike ku për 8 vite të pushtetit socialist investoi gjak demokratësh me shumë se firma VIVE CROME, bojë të kuqe. Jam mandatuar si deputet me pranga në duar, vazhdoj të jem anëtar aktiv i Këshillit Kombëtar. Në këto kushte, ndjej edhe unë si demokrat përgjegjësinë respektive. Duke e fshehur responsabilitetin individual e sektarizuar atë si një përgjegjësi kolektive vetëm se bojatisim një ndryshk, i cili edhe ashtu e vazhdon korrozionin. Disa pjesë të këtij korrozioni që na kushtoi rëndë mbi çdo gjë moralisht u vetdekonspiruan menjëherë pas zgjedhjeve hapur me ose pa dashje si për të treguar me ironi e përqeshje se do të vazhdojnë të na dëmtojnë edhe më tutje në opozitën e pritshme me çdo mundësi. Të tillë janë drejtuesit e lartë të deridjeshëm, Patozi, Olldashi, Topalli. Kontingjenti tjetër korroziv adaptoi një strategji pak më pikante, herë fshehurazi e herë me nënkuptime dashakeqe.
Duke qenë jo pak të suksesshëm në afro 20 vite të kamuflojnë qëllimin e tyre politik dhe profesional herë me urtësi të shtirur e me hipokrizi dhe non stop me përulje servile ndaj shefit, ky kontigjent mendon se mund t’ia hedhë dhe kësaj rradhe. Prototipi që shkëlqen në këtë kategori është Ridvan Bode. I ardhur në Partinë Demokratike me shtyrjen deri në detyrime të ustallarëve që projektuan shkatërrimin e PD-së, akoma pa u konfirmuar, biografia e zotit Bode është thjeshtë deri në banalitet aq sa, se si një demokrat që jam, ndodhem jo pak në vështirësi të shprehem. Dhe ja curriculum vitae profesionale e zotit Bode para zbarkimit ne PD. Ridvan Bode i lindur në një familje fshatare tepër te varfër plebeje nga katundi Rakick i Korçës. Studion për bujqësi në të mesmen dhe për ekonomi agrare në Institutin Bujqësor te Kamzës. Ata që e njohin nga afër nuk veçojnë asnjë cilësi që e dallonte sikundër e konfirmojnë. Natyrisht me këto cilësi s’mund të bëjë karrierë tjetër për kohën,veçse një përgjegjës ordiner sektori në një fshat të Librazhdit, natyrisht në kooperativat bujqësore.
Kjo është karriera profesionale e Ridvan Bodes, njeriut që gabimisht deri paradoksalisht udhëhoqi 8 vitet e fundit pushtetin ekonomik kapitalist të Shqipërisë . Pjesa tjetër ajo e fillimkarrierës – politike të Bodes është edhe më e trishtueshme, e mjerueshme deri në qesharake .
Me krijimin e PD-së në vitin 1990, z. Bode gjithmonë ekonomist-agrarë në Librazhd, ku për “ meritë “ të tij,një ditë pune arriti në 3.5 lekë, për të treguar besnikërinë e tij e të shtresës që përfaqësonte ndaj P.P.SH-së, rezulton të jetë i pari i regjistruar aktiv në Shoqatën e Vullnetarëve të Enverit, udhëhequr nga Hysni Milloshi de jure, por de facto orkestruar nga Sigurimi i Shtetit. Me shthurjen e aktivitetit legal te Shoqatës famëkeqe, Ridvanit ju dha detyra të shkëpuste nga grushti dy gishta dhe ti ngrinte lart së bashku me turmën e demokratëve të vërtetë.
Një nga themeluesit e lëvizjes demokratike në Korçë nacionalisti i dënuar me pushkatim, por që vuajti plot 30 vite burg, z. Enver Hasa (i ndjeri), më ka treguar se kur kishte parë Ridvanin e Rakickës në mes demokratëve kishte shkuar në kafe me një bashkëvuajtës duke i thënë: “Kurrë më s’do më shohësh në këtë turmë. Ky qumësht i pastër me emrin demokraci shumë shpejt do thartohet e pastaj nuk ka veçse hirrë.” Dhe kishte pasur të drejtë z. Enver Hasa.
Ridvanët e Milloshit e thartuan demokracinë duke synuar të shkojnë në finish me batërdisjen e saj, duke dashur e punuar të shkatërrojnë inicuesen dhe intaluesen e kësaj demokracie, PD-në. Në 8 vite si ministër i financave z. Bode u shqua për një strategji kleptoklanore. Ai vuri nën sundimin e vet doganat, tatimet, energjetikën dhe hipotekat duke emëruar aty sejmenët e vet që faleshin sipas ritit kleptokrat tek shef Ridvani. Kjo dihet boterisht . Ata që nuk e thonë janë frikacakë dhe servile ose pjesë e tavës ku pjesën e luanit e shqyente ujku i Rakickës, Ridvan Bode.
Kështu ky “i besuar” i PD-së për të udhëhequr financat shqiptare i cili pozonte mediatikisht duke imituar e perifrazuar emperikisht arkitektët e ekonomisë botërore si: David Rikardon, Kejnesin, Hajekun apo Milton Fridman, u shndërrua në një sanxhakbej arrogant që nuk interesohej për ekonominë shqiptare e për fatin e demokratëve, por për të ardhurat vetjake, të cilat “ gojët e liga “ thonë se i ka me qindra milionë euro. Një mik i tij që e shoqëron në vakancat e tij të shumta, pa dashur më tha një ditë: “Miku im Azgan, mos u merr me Ridvanin. Ai i ka mbushur hararet. Vetëm në muajin e dytë të mjaltit, shpenzime e dhurata për bashkëshorten e re ka harxhuar sa 135% e buxhetit vjetor të bashkisë B. Curri. ”Lexuesi vet le ta marrë me mend ..!!!??.
Të them të drejtën u trondita shumë, por më tepër u motivova ta denoncoj hapur pafytyrësinë e tij, pabesinë e tij ndaj besimit të pamerituar që i dhamë, paaftësinë intelektuale e politike të këtij tipi që çuditërisht akoma nuk ka dorëzuar mandatin e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike. Në afro dy dekada në krye të kupolës së PD-së ka rezultuar i zhveshur nga çdo lloj cilësie imediate që përbëjnë formimin apo karizmën e një udhëheqësi. Njeri që nuk ka demonstruar asnjë ide, iniciative, aftësi për të ofruar mendim ekonomik individual, i pakultivuar teknikisht e politikisht, i paaftë për përballje individuale e kolektive elektorale ai përbën prototipin parazit ne trupin e demokracisë Ai dhe sektori i organizimit në PD, që me statut e drejton, përbëjnë binomin me mediokër, i cili rezultoi të ishte pika mizerabël që shkaktoi traumën elektorale të 23 qershorit.
Dhe ai prapë fshihet prapa gishtit duke menduar se mund të kalojë me ambiguitetin midis heshtjes individuale dhe nxitjes së zyrtarëve të tij servilë për të sulmuar Lulëzim Bashën i cili u zgjodh në mënyrë referendare nga demokratët e Shqipërisë si Vikoteku (balsami) për shërimin e tumorit të injektuar në trungun e PD-së. Por e siguroj z. Bode se ai është i pari që s’do mund të mbijetojë, pasi ujërat kënetore që ai konservoi në PD me miqtë e tij janë në pastrim e sipër dhe shumë shpejt do të zëvendësohen me ujë të kristaltë ku amebat si Ti bëhen të tejdukshëm dhe do klorizohen…! Dua të përfundoj këtë analizë timen duke qetësuar një mikun tim i cili më kujtonte një thënie të filozofit Seneka: “Me kritikat tuaja drejtuar të tjerëve, s’bëni gjë tjetër,veçse shtoni numrin e kundërshtarëve”. Po i them mikut tim kritik se do vazhdoj përsëri te them troç te vërtetën pa asnjë note montekristjane dhe t’i sjell në vëmendje Devid Hajkun
“Vetëm e vërteta të bën të lirë”.
Nga Azgan Haklaj.