Kategori
Uncategorized

Tre Ditë në Mërgim për Rrobat e Grekut

Ishim shumë devollinj. Me qindra.

Mësuam përmendësh vetëm dy fjalë greqisht: “psomi” dhe “ruka” (bukë dhe rroba). Lypnim në fshatrat përtej kufirit. Grekët na jepnin ç’të mundnin, u vinte keq që na shihnin ashtu, fytyrat tona ishin si mish i tymosur.

Dhe ishim shumë.

Edhe kishat i hapën hambarët e tyre.

Por u zbrazën shpejt, sepse nuk ishim një a dy. Turma e devollinjve ndahej në tufa të vogla. Shumica e tufave kërkonin në vendet e grumbullimit të plehrave të çdo fshati.

Preferonim deri në shishe Coca-Cola, bidona detergjentësh, lodra fëmijësh, veshje, radio… çfarë nuk mblidhnim. Pa e ditur se gjithë ai thes duhej çuar përsëri në Devoll.

Kush e kishte mbushur thesin, do të këthehej të nesërmen për në Devoll.

Por ikja kishte edhe hallet e saj, më shumë se vajtja.

Shumica e atyre që hynë në Greqi ishin buzë kufirit dhe i punonin tokat e kooperativës me bel, i lanë belat ngulur në tokë, dhe u hodhën me shpresë në shtetin fqinj për të fituar diçka …

Nga njësi kufitare ata ishin kthyer në banda hajdutësh .

Të merrnin me forcë gjithçka që kishe grumbulluar, kishe blerë me dy tre ditë pune, apo kishe marrë dhuratë nga grekët.

“E keqja jonë na vjen prej vetvetes”, ka thënë një shqiptar i mençur. Ushtarët apo policia greke na linin të lirë, ndërsa tanët na grabisnin.

Kalimi i kufirit për në kthim duhej bërë vetëm natën.

Edhe unë dhe dy shokët e mi të ngushtë natën pritëm. Madje binte shi i përzier me dëborë. Por ushtarët na ndjenë dhe na ndoqën, duke zbrazur edhe armë.

Rreth dy kilometra vrap, por çfarë vrapi! Dhe të ngarkuar.

Të nesërmen arrita në shtëpi. E çfarë nuk kishte brenda thesi im: të nevojshme e të panevojshme. Mes të tjerave edhe një shishe Coca-Cola 1.5-litërshe. E vumë në bufenë tonë shtatmijëshe për zbukurim. Plakat e mëhallës vinin të shikonin se çfarë kisha sjellë unë nga kurbeti.

Greku i hapi kufijtë kur ne ishim në kufijtë e mbijetesës, kur komunizmi po na çonte drejt greminës.

Populli grek hapi zemrën për ne të pangrënët e të paparët, me atë ritëm, banorët e fshatrave ndërkufitare të dy shteteve ne kishin hyrje-dalje të lira, pa përdorur doganat kufitare.

Por tregojnë se një fshatar dikur gjeti një gjarpër të ngrirë në mullarin e tij të kashtës. E mori gjarpërin brenda në shtëpi dhe e ngrohu pranë zjarrit, Gjarpri u gjallërua dhe pasi u ripërtëri mirë e mirë, gjarpri e sulmoi fshatarin për ta kafshuar.

Edhe ne, të pangrënët e të paparët, pak nga pak u bëmë tamaqarë, kusarë, grabitqarë. Jo të gjithë, sigurisht.

Rrobat e trupit të ndera nëpër oborre i rrëmbenim, shtëpi bastisnim, bagëti vidhnim, madje edhe kisha.

E kam parë vetë një shqipfolës me një frigorifer të madh në kurriz, ka kaluar male me atë frigorifer të vjedhur, derisa e çoi në shtëpi.

Edhe mushkë të kishte qënë do të kishte ngordhur.

Tregim i një Devolliu,-marrë nga Info 🔥 /

https://vm.tiktok.com/ZNRHf6Tr8/

Lini një koment