Kategori
Uncategorized

Minella !

Ata ecnin ngadalë, të ndojtur, si njerëz që mbartnin mbi supe një barrë më të madhe se vetja.

Në një cep, në qëndër të qytetit (gjysma i djegur nga bandat më 1997-tën) , në lokalin e vogël të Kolë Çyfekut, dikush i pa dhe ftoi të futeshin brenda.

Filxhanët e çajit të nxehtë u vendosën para tyre në tavolinën e vogël dhe për pak çaste, avulli që ngrihej nga çaji dukej sikur i mbulonte plagët e tyre të padukshme. Por në sytë e tyre vazhdonte të lexohej lodhja, dhimbja dhe një heshtje e rëndë, si ajo që mbetet pas një stuhie.

Mes tyre ishte një burrë që përpiqej të mbyllte këmishën me gishta, duke u munduar të mbulonte gjoksin e zbuluar nga të ftohtit. Ishte një përpjekje e vogël për t’i bërë ballë dimrit, por edhe një përpjekje për të fshehur varfërinë dhe fatin e tij të hidhur të tyre në këto ditë të dhimshme dhe të acarta .

Në atë moment, një palë sy të kujdesshëm brënda lokalit e vunë re.

Ishte Minella.

Pa thënë asgjë fjalë, ai hoqi nga trupi xhupin e tij të pellushtë, që e mbronte nga acari i dimrit, dhe me një kujdes të butë ia vendosi mbi supe burrit të panjohur.

Gjesti i këtij burri fisnik ishte i thjeshtë, por i mbushur me një dashuri njerëzore që nuk kishte nevojë për shpjegime.

Për një çast, sytë e Minellës u mbushën me lot.

Ndoshta sepse në atë pamje pa dhimbjen e një populli të tërë.

Ndoshta sepse e kuptoi se sa e brishtë është jeta dhe sa e madhe është nevoja që njerëzit të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit.

Nella u largua menjëherë, me hapa të shpejtë, pothuajse në heshtje. Aq shpejt, sa burri nga kosova që mori xhupin nuk arriti dot as ta falënderonte.


Por ndonjëherë falënderimet nuk janë të nevojshme.


Sepse gjestet e vërteta të humanizmit nuk bëhen për lavdi, as për mirënjohje. Ato lindin nga zemra dhe mbeten përgjithmonë në kujtesën e njerëzve.

Lini një koment