Kategori
Uncategorized

Maksim Gjata.Bir i denjë e një familjeje të përkushtuar për shkollën.

Maksim Gjata.
Bir i denjë e një familjeje të përkushtuar për shkollën.

Shkruar nga Bujar Balliu, shkrimtar /

Gjyshi i Maksimit, Ali Gjata, një nga rilindësit e fundit në zonën e Pirgut, mik i njerëzve të mëdhenj të kohës, mes tyre Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Hil Mosi ishte pjesë e luftëtarëve për liri bashkë me Mihal Gramenon dhe Themistokli Gërmenjin.

Hapi shkollën e parë në zonën e Pirgut, në fshatin e tij në Çaushli, në vitin 1919, më vonë në Kakaç, Pirg, Podgorie. Rihapi shkollën në Selcën e poshtme në Pogradec dhe zuri miqësi me familjet më në zë të fshatit.

Për ndihmesën e çmuar në përçimin e ideve kombëtare te brezat e rinj u nderua me titullin “Qytetar Nderi”.


Babai, Agron Gjata, ndoqi hapat e të atit dhe u bë pjesë e mësuesve. Gjithë jetën punoi me përkushtim dhe breza të tërë nxënësish e kujtojnë me nderim.

Për arritjet dhe emrin e mirë u dekorua nga Ministra e Arsimit në vitin 1987 “Mësues i dalluar”. Në fund të karrierës iu dha titulli “Personalitet i shquar i komunës Pirg”.


Maksim Agron Gjata lindi në Çaushli të rrethit të Korçës më 2. 07. 1954 në një familje të madhe, të nderuar, me tradita patriotike.

Ai flet i emocionuar, sjell me zërin e melodioz kujtime:

“Fillova punë në 16 gusht 1976 në zonën e Gorë-Oparit në Zerec, sot qendër administrative Moglicë, fshat me njerëz fisnikë dhe të ditur, punëtorë dhe bujarë.

Krahas punës mësimore organizonin konkurse, festivale e plot aktivitete të tjera artistike. U nderova me disa çmimeve në zonë edhe në rreth. Instrumenti i fizarmonikës nuk m’u hoq nga krahu për nëntë vjet me radhë.”


Në vitin1985 transferohet në fshatin Podgorie ku punoi për dy vjet. Rastësi e bukur që Maksimi e përjetoi me shumë emocion: në këtë fshat patën punuar mësues edhe gjyshi i tij, dhe babai.

Në vitin1987-1988 punoi në Çereshnik sot qendër administrative Pirg. Në vitin1988 transferohet në rrethin e Pogradecit dhe më 16 gusht të vitit1988 emërohet mësues muzike në shkollën e mesme të bashkuar Osnat, ku punoi tre vjet.

Në vitet 1991-1994 punoi në Grunjas (Vërçun).
“Më pas, rreth njëzet vjet isha mësues muzike në Stropckë, një fshat arsimdashës me nxënës shumë të edukuar të dhënë pas arsimimit, me një komunitet për t’u pasur zili”.
Në vitet 2002-2006 punoi në shkollën e mesme të bashkuar Trebinjë, më pas në shkollën “Kozma Basho” në Pogradec dhe instruktor muzike në qendrën kulturore të fëmijëve.

Në këtë shkollë, brenda një viti, organizuam tre koncerte: dy për nxënësit dhe komunitetin dhe një koncert përmbyllës në qendrën kulturore në Pogradec.

Për punën cilësore dhe përkushtimin mora duartrokitjet dhe vlerësim nga e drejtoria e shkollës, zyra arsimore, prindërit dhe nxënësit.

Në çdo shkollë që kam punuar, si në fshat ashtu edhe në qytet, nuk jam mjaftuar vetëm me aktivitetet artistike, por kam punuar edhe për mirëmbajtjen e mjediseve shkollore nga ana figurative.”

Për dyzet e katër vjet me radhë Maksim Gjata ndërtoi marrëdhënie shumë të mira me kolegët, nxënësit dhe komunitetin.

Në familjen Gjata vazhdon stafeta. Eva, vajza e Maksit, mbaroi studimet për mësuesi.
Punoi pesë vjet. E filloi në Mokër dhe vazhdoi në qytetin e Pogradecit.

Është në pritje të të një emërimi përfundimtar, të japë dhe ajo ndihmesë në edukimin e fëmijëve.

Brezi i katërt në familjen Gjata ka të njëjtin përkushtim si paraardhësit e saj. I duhet dhënë kjo mundësi.

Ajo shpreson.

Duke përfunduar bisedën Maksi ka dëshirë të theksojë:

“Edhe sot që jam në pension, me gjithë peshën e viteve mbi supe, ruaj kujtime dhe mbesa të shumta të punës time, nuk ndiej asnjë moment shkëputje nga profesioni i bukur i mësuesit.

Ndjek me interes ndryshimet në fushën e arsimit, jam aktiv, jap këshilla në takime të ndryshme me kolegë dhe ish – kolegë sepse me profesionin e mësuesit kam lidhur jetën.

Të nderuar mësues, mësimdhënia nuk është profesion, është mision, mision që duhet ta përcjellim në breza.” shkruan Bujar Balliu, shkrimtar .

Lini një koment