
Nga Major Nazif Ramabaja
Në orët më të errëta që njohu Kosova në fundin e shekullit XX, kur makineria e dhunës synonte jo vetëm trupin e popullit tonë, por edhe zemrën e tij, u krye një akt barbar që shënoi thelbin e tragjedisë së kombit: marrja peng e Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Në atë kohë kur liria e Kosovës endet si një fije drite mbi pianurën e flakëve, disa bij e bija të këtij kombi, gazetarë të guximshëm e luftëtarë të përkushtuar, u bënë zëri i të vërtetës.
Astrit Memia dhe Caroline Sinz, depërtuan mes krismave, tymit e pluhurit të betejës, duke sjellë para botës fytyrën e luftës sonë çlirimtare, ashtu të zhveshur, të vërtetë dhe të dhimbshme.

Mes atij zëri, që tingëllonte si thirrja e një shteti në lindje, ishte edhe deklarimi im, si oficer i Republikës:
UÇK-ja e njihte Ibrahim Rugovën si Komandant Suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.
Ky ishte akti ynë shtetformues.
Ishte vula që ia vendosëm historisë.
RRËMBIMI: KUR SHTETI U GODIT NË TRUP
Presidenti Rugova, i cili mishëronte vullnetin politik të Republikës dhe personalizonte idealin e pavarësisë së saj, u mbajt nën arrest shtëpiak e më pas u mor dhunshëm dhe u dërgua peng në Beograd për një takim të inskenuar me Slobodan Millosheviqin.

Ky ishte një akt i rëndë jo vetëm kundër Rugovës si individ, por kundër Institucionit të Presidentit të Kosovës, kundër vetë personalitetit juridik të Republikës.
Në atë moment kritik, siç e dëshmon historia, brenda bazës sonë u mblodhën personalitete që i qëndronin besnikë legjitimitetit shtetëror.
Midis tyre i dërguar direkt nga Sali Berisha ishte edhe ish ministri Jemin Gjana, i cili solli mesazhin e qartë se Tirana zyrtare – me Sali Berishën në krye – mbronte integritetin dhe dinjitetin e Presidentit të Kosovës kundër valës së propagandës që kërkonte ta poshtëronte dhe ta zhdukte politikisht.
Ky ishte solidariteti i parë institucional shqiptar në mbrojtje të simbolit të shtetit të Kosovës.
FJALA QË U BË AKT SHTETI
Në Bicaj të Kuksit, në prani të intelektualëve shqiptarë të dëbuar nga dhuna serbe, dhashë deklaratën që u bë akt shtetëror:
Presidenti i Republikës së Kosovës ishte marrë peng.
Nuk ishte i lirë.

Nuk vepronte me vullnetin e tij.
Ajo fjalë u bë dritë në errësirën e asaj kohe.
U bë akt zyrtar i qëndresës së Kosovës.
U bë thirrja që delegjitimoi agresorin dhe i ktheu dinjitetin institucioneve tona.
KOHA SI NOTAR I SHTETIT: VËRTETIMI HISTORIK
Sot, pas më shumë se dy dekadash, faktet dhe dokumentet e reja po vulosin atë që unë deklarova në pranverën e vitit 1998:

Ibrahim Rugova u dërgua në Beograd me forcë.
Ai ishte peng i regjimit të Millosheviqit.
Dhe ai nuk e tradhtoi shtetin e tij.
Të gjitha trillimet, manipulimet dhe shpifjet e hedhura më vonë nuk i shërbenin as popullit, as shtetit, as historisë. Ato ishin vetëm hije të rënda që s’ia dolën të errësonin simbolet tona kombëtare.
Presidenti Rugova nuk u thye.
Nuk u përkul.
Nuk u nënshtrua.
Ai ishte – dhe mbetet – figura shtetërore më e qëndrueshme, më civilizuese dhe më dinjitoze e historisë moderne të shqiptarëve.
EPILOG SHTETËROR
Ibrahim Rugova ishte një president i marrë peng,
por një komb i lirë nuk mund të merret peng.
Ai mbetet
mendja e arsyes,
zemra e qetësisë,
dhe themeli i Republikës sonë.
Major Nazif Ramabaja
02.12.2025 – Suedi