
“Turi i Diasporës’
Kur Edi Rama hyri në sallën e E-Work Arena të Busto Arsizios më 26 maj, shkallët dhe fusha e pallatit të sportit, ku zhvillohen ndeshje volejbolli, ishin të mbushura me emigrantë shqiptarë që valëvisnin flamurin kombëtar dhe atë italian tre-ngjyrësh.
Pas performancave nga këngëtare të njohura si Elvana Gjata, Artiola Toska dhe të tjerë, si dhe pas himnit të flamurit të të dy vendeve, kryeministri Rama hipi në skenë për të mbajtur një fjalim, mes brohoritjeve “Edi, Edi.”
“Shqipëria ka fituar besimin e botës dhe e meriton edhe besimin e çdo shqiptari si ju,” i tha Rama të pranishmëve, ndërsa në rreshtin e parë të sallës dallohej bashkëshortja e tij Linda Rama, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali dhe ish-ministri i Mjedisit, Blendi Klosi.
Ngjitur me Ramën, Klosin dhe ministrat, ishte edhe biznesmeni Ylli Ujka.
“Përkrah qeverinë e tij dhe besoj se ky event në Busto Arsizio është shumë i rëndësishëm për komunitetin shqiptar, sepse synohet të ofrohet një moment për të kujtuar të kaluarën dhe në të njëjtën kohë për të parë drejt së ardhmes,” tha ai.
“Besoj se Rama përfaqëson në mënyrë të përkryer shpirtin shqiptar, një popull i vogël, por me zemër të madhe,” shtoi Ujka, duke theksuar se, “jam i sigurt që salla do të jetë plot.”
Ujka është një personazh pak i njohur në Shqipëri, por në zonën e Vareses në Itali ai drejton grupin industrial IDA, i cili prodhon materiale izoluese për industrinë e ndërtimit.
Në tre vitet e fundit, së bashku me ortakun e tij Çesk Ivanaj, ai ka investuar në 4 kompani shqiptare, ka prodhuar një film me aktorin hollivudian Danny Glover dhe ka financuar skuadrën e basketbollit “Besëlidhja” në qytetin e tij të lindjes, Lezhë.
Dy muaj pas tubimit të suksesshëm të diasporës të organizuar në Milano nga Ujka, më 31 korrik 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, miratoi një leje ndërtimi për kompaninë X One për objektin “Grand Park Skyline,” me vendndodhje në Rrugën Adem Jashari në Tiranë, në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial.
Projekti përfshin tre objekte: dy rezidenca dhe një hotel, të larta respektivisht 51, 40 dhe 71 kate, me një sipërfaqe totale prej gati 150 mijë metra katrorë. Hoteli pritet të mbajë markën e luksit Philip Plein.
Kompania e tij IDA në Itali është kliente e “Cambria Marketing Srl”, ndërkohë që Radar Media është në bashkëpronësi të Ujkës dhe agjencisë së marketingut 1001 Solutions. Klientët kryesorë të kësaj të fundit janë kompanitë ku Ujka është aksioner.
Agjencia e marketingut 1001 Solutions ka organizuar edhe eventin e prezantimit të projektit Grand Park Skyline në Tiranë, si dhe fushatën e filmit të prodhuar nga Ujka me Danny Glover, të titulluar Prokurori.
#reporter.al