
Çështja bëhet akoma dhe më e ndërlikuar, pasi në inventarizimin e zërave në magazinën e këtij kombinati, është konstatuar dhe mungesa e një numri pistoletash të prodhuara pikërisht në këtë kombinat armatimi, por nuk është qartësuar në raport se sa është sasia e munguar.
Kjo situatë e krijuar brenda mureve të Uzinës, ka prodhuar dhe një çështje penale në Prokurorinë e Beratit me nr. 468 për “Shpërdorim detyre”, ku së fundi u paraqit për të dëshmuar dhe ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njëherësh dhe koordinatori politik i PS në Qarkun e Beratit.
Ndërkohë gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka siguruar një raport konfindencial auditi, i cili është bërë për këtë çështje nga auditues të Ministrisë së Mbrojtjes.
Inicimi i këtij auditi ka filluar nga zërat e punonjësve të uzinës, të cilët e njohin mirë situatën dhe degradimin e kësaj uzine, ku kanë punuar për vite tëra. Por për shkak të keqmenaxhimit dhe vjedhjeve, nuk kishin mundësi të merrnin dhe pagat mujore.
Punonjësit kanë raportuar në Ministrinë e Mbrojtjes se:
“… uzina filloi të degradojë dhe punonjësit filluan të humbin shpresat sepse kryetari i Bashkisë së Poliçanit Adriatik Zotkaj, filloi të përdorte influencën e tij, duke ndikuar në emërimin e titullarëve të uzinës, ku këta të fundit kanë qenë zyrtarë të Bashkisë së Poliçanit. Nën komandën e tij, ata kontribuuan në humbjen dhe vjedhjen e uzinës…”.
Pas presionit të vazhdueshem të punonjësve të uzinës për pagat e prapambetura, dhe pas disa informacioneve për vjedhje, Ministria e Mbrojtjes fillimisht urdhëroi që drejtuesit e kombinatit të bënin një vetë-auditim.
Drejtori Arshin Tushe, i cili më parë ka qenë nënkryetar i Bashkisë së Poliçanit, ka nxjerrë urdhrin për nisjen e auditivit, por ky urdhër nuk është zbatuar pasi përgjegjësit e magazinimit të Kombinatit Mekanik Poliçan, Gazmend Mahmutaj dhe Fatos Hasa, nuk janë paraqitur në detyrë.

Nisur nga kjo situatë, Ministria e Mbrojtjes vendosi të dërgojë një grup auditi të brendshëm të nga ministria, Fiqiri Xhaferrin, Luan Kalluçin, H.Frashërin, dhe D.Turhanin, të cilët do të kryenin auditim për periudhën 1 korrik 2017 deri 30 dhjetor 2020.
Por ky afat u shty për shkakun e konstatimit të vjedhjeve nga ana e grupit të punës. Ky auditim përfundoi në 26 shkurt 2021, dhe pse u konstatuan një sërë shkeljesh të rënda si humbja e sendeve, vjedhja, shpenzime të pajustifikuara, punësime të panevojshme (në periudha zgjedhore), prokurime publike të vogla të pa autorizuara.
Dhe për pasoje të gjitha veprimet kanë çuar në një humbje prej 50,398,899.69 lekë.
Sipas raport të auditit të Ministrisë së Mbrojtjes ka rezultuar se diferenca mangët nga invemtarizimi i fundit të lëndëve të para me ngjyrë është në këtë gjendje:
“…bakër të llojeve të ndryshme, fletë bakri, shirit e tel bakri mangët 12597.6 kg,
bronz F1 të ndryshme, tel bronzi, lingota bronzi mangët 4393.3 kg dhe tunxh F1…”.
Sasia totale e lingotave bakër, bronz dhe tunxh, të vjedhura dhe më pas shituara në tregun e zi, shkon në 54 ton dhe vlera financiare në dëm ekonomik është përllogaritur paraprakisht në 62 milion lekë të vjetra.