Kategori
Uncategorized

Saga e Pishës së mbetur .

Nga Sotiraq Naka /

Si dhe herë të tjera ,sa niste të binte muzgu , pasi kishim përcjellë diellin visheshim për të dalë. Shprehja ” në Pogradec takon atë që s’e pret e s’e ke parë tërë jetën ” është një e vërtetë e çuditshme ?!


Është qyteti që i fton të gjithë , në gjirin e tij të gjerë e të shtrirë përgjatë buzëujit.


Mikpritja,dashuria,qetësia,freskia,bukuria, trëndafilat, hijet e pemëve, bari,sheshpushimet, stolat e pasqyra e ujitku mbi të fluturojnë pulëbardhat , të joshin me njerzillëkun pogradecar.

” Dashurisë” së vjetër sa s’mbahet mënd të nisur që fëmijë , i ardhur në kampin e pionierëve apo më pas në atë të puntorëve apo me grupe shokësh, nuk i shpëton as ” dashurisë ” së re me shikim të parë !

Edhe ata që s’kishin dëgjuar për Lasgushin e Kutelin , magjia e kaltër e liqenit , që i shfaqej kur zbriste nga Qafë Thana apo Qafë Plloça , është “zamka” që i ngjit në zëmër .

Ne erdhëm por mungesa e tij ndihej , vëndi ku ulej në verandë e na ftonte për të ndenjur e folur , ishte bosh pa të .

Na priste aty , që të vazhdonim bisedën , kur ktheheshim nga jashtë çdo ditë . Sa biseda , kujtime nga vitet e tij . Një kujtesë e pa ngacmuar , ku sa të rrëmoje dilnin fragmente të jetuara nga ajo kohë …

Ishte veshur sikur na priste për vizitë .Ashtu ndreqej mbasditeve e shkëputej nga shtëpia , për t’i takuar miket e saj , aty buzë gjolit , para fasadës së shtëpisë .Shmallej e kthehej se do dilnin dhe djali e nusja, ishin të rinj e duhet ta shijonin jetën.
-Po dilni , tha ?

A po vjen me ne , ja kthyem e ngulmuam.Ja kështu siç je , eja të dalim bashkë.
-Jo , juve kini shoqëri e unë ju pengoj .

Jo , i thamë , sonde do dalim bashkë .Dhe herë të tjera të kemi ftuar , por ke patur edhe punë e s'të është bërë, sonte mos na e prish .

E vumë në mesin tonë e zbritëm në oborr mes luleve e dolëm në rrugë.

Ajo të nxirrte në pedonalen buzë liqenit e ju bashkuam të tjerëve që ecnin.Nuk deshi të uleshim për të marë diçka , donte të ecte e të fliste.

Ishim larguar goxha e kur befas ndaloi dhe me dorë tregoi : - Ja pisha e mbetur …Sa herë të tjera , kishim kaluar para saj .Trungtrashë e drejtë, me kurorë të plotë, krahas pemëve të tjera jo pisha .Kishim dëgjuar nga rrëfimi i Dokes (shkruar në librin tim të parë, për shtëpinë e tyre , dikur buzë gjolit …).U drejtuam nga ajo, ndali e me krahë të shtrira kufizoi hapësirën , tashmë imagjinare ku shtrihej e kufizohej toka , oborret, shtëpia , pemët, baçja buzëgjolit.

Ishte shtëpia , ku hyri nuse e jetoi plot njëzet vjet e më pas e rrënuan .Në këmbim të saj ju dhanë një hyrje në pallat !?Ju afruam pishës , nën lëvoren e saj rinin fshehur , sa e sa kujtime , që nga viti 1957.

Ajo pishë e mbjellë në dasmën e tyre , para 66-viteve.Mbetur e vetme si dëshmimtare e ndryshimeve rreth e qark saj .

E sheh e i dhëmb ajo që humbi, shtëpia që u deshën ditë për ta rrënuar e zhbërë , nga faqja e dheut. Sa njerëz ikën nga ai vënd , i fundit ishte ai që e mbolli , dhëndri, Dokia që e njoha në moshën mbi 90- vjeçare.

Bëmë foton pranë pishës. Pengu për foton e munguar me Doken, pranë saj më rëndoi si " gabimi im "!?Sa pengje kemi nga jeta , sikur t'i kishim pyetur të parët tanë për shumë pyetje, që sot i kemi pa përgjigje…Vjet ai rrëfeu mjaft, do dëgjoja edhe sivjet, sipas premtimit të bërë, ku u ndamë , por "heshtjen " e tij evëndin bosh të munguar , ndofta do plotësojë nënë Edija.

Në të dy anë të pishës nëna e unë , e fiksuam atë çast , në foton e më pas nisi të tregojë historinë e jetës së saj.

Kur mbusha 18- vjeç më fejuan , pranova se ishin familje e mirë. Para 66- vjetësh, hyra me fustan të bardhë nusërie, në atë derë e sipas zakonit konaku u mbush me miq e nga tërë fisi.

Zgjati 3 ditë dasma me këngë e valle me saze. Në oborrin e shtëpisë , Dokia mbolli një pishë , që jeta e çiftit të ishte e gjatë dhe e veshur me gjelbërim begatije.

Erdhi fëmija i parë, e linda në maternitetin e Korçës, zgjodhëm për të emrin Shpëtim. Ishte gëzimi i parë, e mbajta në krahë e lumtur, kjo dhe për faktin se dera u hap me djalë.

Fati nuk deshi të kisha vajzë, ajo lindi por s’rrojti , u trishtuam … Jeta na dha djalin e dytë Ilirin.
U rritën djemtë në atë shtëpi , nëpër ashefe, oborre Ishin të mbarë e me shoqëri që e ruajnë ende dhe sot.

Oborret në të dy anët e shtëpisë , para dhe nga ana e gjolit ishin të mëdha.Ajo nga gjoli qe shtruar me kalldrëm .Në dy ashefet mbaheshin zahiretë e liheshin kafshët , kur farefisi e miqtë vinin me kafshë . 

Aty mbaheshin drutë, butet. Porta hyrëse nga rruga , qe sa një portë futbolli.Kur luanin djemtë me shokët , nga ana e rrugës, njeri portjer e të tjerë pas topit .Sa e sa herë topi është përplasur në atë portë me dru gështënje.

Oborri kishte pjergull me rrush të bardhë e të kuq, dy mana që bënin kokra të mëdha sa gishti e mjaltë të ëmbla, të zes e të bardhë .

Dy mollë starkinga në anë të tij , mbusheshin plot me kokra erëmirë.I mblidhnim e i mbulonim me kashtë e ronin goxha. Avllia qe rrethuar me mur të lartë tulle.

Shtëpi dy katshe , me dy hyrje në të, nga liqeni e nga rruga. Në baçe, nga ana e liqenit rriteshin zarzavate.

Ndonse e vetmja shtëpi muslimane, mes të krishterëve shkuam mirë e miqësinë e ruajmë ende, traditë familjare.Shpëtimi është 64- vjeç e ende shkon e takohet me shokët e komshinjtë e fëmijërisë.

Mer biçikletën e s’përton, ulet me ta në kafe e biseda e shplodh.

Pas 20 vjetësh në atë shtëpi , na u desh ta lëmë.Ishte caktuar , për ta rrënuar, si dhe shumë të tjera buzë liqenit?!Nisu puna , i erdhi radha tonës .

Erdhën makineritë e ndërmarjes së Gurit të Kuq, makineri të rënda e Tatra të fuqishme.

Përpiqeshin të tërhiqnin kavot, që e kishin rrethuar, por jo, rrezistoi gjithë inat, se e ndjente që i ishte bërë padrejtësi !.

Dha e dha e u dorëzua , u shëmb…


Kujtimet u shpërndanë mes gurëve , trarëve, dërrasave.

Rrënoja që nisën t’i ngarkojnë mbi Tatrat që gulçonin.
Vëndi u zbraz , mbeti vetëm pisha.Mollët i shkulën, manat e pjergullat i prenë .

Ju afruan dhe pishës
që po shihte gjithçka nga lart.

U mblodhëm aty e s’i lamë, le të mbetej kujtimi i vetëm i jetës në atë
shtëpi , në oborrin buzë gjolit.

Nisëm jetën me pak gjëra në katin e dytë të pallatit në dy dhoma e guzhinë.Krahasuar me tërë atë shtëpi që lamë, ishte hapësirë e vogël, dhomat na dukeshin si kuti shkrepse!?


Pallati ishte 150 metra larg , asaj hapësire boshe, pa shtëpinë tonë e të tjerat në krah të saj…

E fshinë nga faqja e dheut , por jo nga kujtesa, kujtimet jeta brënda saj.

Sot erdhëm bashkë , që të kujtohet kjo histori jete , e bërë dhe zhbërë, nisur rinisur…
Ngritëm shtëpinë e re të Blacerëve, pemët që u prenë në shtëpinë buzë gjolit,mollët , rrushin , kumbulla , fiq, zarzavate i kemi në oborrin para shtëpisë , që sheh nga liqeni e era e tij e harin…


Është një ndërtesë e këndshme, komode, e gjelbëruar mbushur me trëndafila .

Pushuesit janë të njëjtët të përvitshëm prej kohësh.
Edhe ne për të dytin vit rradhazi pushojmë , mes kujdesit, dashurisë së nënë Edijes, Shpëtimit,Linditës e Denisit .


Do vimë sërish , vetëm zoti të na lejojë .
Pogradec 31 korrik

Lini një koment