Nëse qenka problem se në sfondin e Bashës, është Berisha, pse kaq të lumtur janë shqiptarët që pas shpinës së Ramës, vërtitet gjithnjë ish ministri i brendëshëm i diktaturës Gramos Ruçi?
Kur shqiptarët ta kuptojnë se si u grabit e u ble vullneti i popullit për ndryshim, mund të bëhet vonë.

Nga Syri.net Kosova –
Droga transportohej me veturën e ministrit të brendshëm.
Kaq sa për ta ilustruar narko-shtetin shqiptar të kësaj periudhe të zymtë e të pashpresë.
Treguesit kryesorë ekonomikë, e paraqesin Shqipërinë nën sundimin e Ramës, një vend në krizë të thellë me mungesë të perspektivës dhe zhvillim të varur nga klientelizmi dhe korrupsioni shtetëror.
Fushata zgjedhore, e rikonfirmoi këtë pasqyrë qeverisësë të dështuar, që rëndonte mbi kurrizin e shqiptarëve. Përballë një programi ambicioz të qartë qeverisës të Bashës, Rama e gjente ‘shpëtimin’ te sulmi ndaj liderit historik të së djathtës, Sali Berishës dhe Ilir Metës, që e mbështeti vetë për president.
Nuk janë dashur aspak sondazhet për t’u bindur se kishte një pakënaqësi në rritje të shqiptarëve ndaj një pushteti autokratik, që me çdo kusht e çmim, e donte mandatin e tretë.
Rezultati, sipas parashikimeve më objektive, mund të ishte eventualisht i ngushtë, por kurrsesi një fitore bindëse e një pushteti kriminal që ka dështuar në secilin zotim serioz para votuesve.
Asnjë sondazh i mëparshëm, apo exit poll-et, edhe më të anshmet e mundshme, nuk e plasonin kaq të lehtë bilancin zgjedhor në Shqipëri.
Çfarë ndodhi në të vërtetë para 25 prillit se atë ditë, u pa se ç’ngjau?
E kapërdinë shqiptarët talljen tetëvjeçare të Ramës, kaq lehtë duke ia besuar edhe një sundim të radhës?
U dashurua kështu populli viktimë me xhelatin?!
Apo kjo ishte kronikë e një masakre të paralajmëruar zgjedhore, që do të duhej të zbardhet në vijim përmes një opozitarizmi të guximshëm?
Nëse qenka problem se në sfondin e Bashës, është Berisha, pse kaq të lumtur janë shqiptarët që pas shpinës së Ramës, vërtitet gjithnjë Gramoz Ruçi?
Në Prishtinë, mbetja në qeverisje e një partneri të Vuçiqit e Thaçit, shihet me zhgënjim të thellë.
Për kosovarët, qeveria e Bashës që do e hiqte traun ishte më e mirëseardhur se një mandat i ri për atë që tallej sa herë vinte në Kosovë, shante mbarë e mbrapsht dhe padiste në gjykatë politikanët që dekonspironin dëshirën e tij për ndarjen e Republikës.

Kurti e uroi Ramën, por aktivistët e tij në Shqipëri po ankohen se u vodhën nga socialistët. E jo vetëm ata.
Kur shqiptarët ta kuptojnë se si u grabit e u ble vullneti për ndryshim, mund të bëhet vonë.