Klevis Bitro/

Të nderuar miq,
Një gazetare e Top Kanalit, përmes xhamit të këllirtë të makinës me logon e dashur të Ramës mbi të, filmonte qytetarë fatkeqë që të mpitë e të kërrusur nga gjëmat e qeverisë dhe shakatë e natyrës ishin ulur me shishe uji në tavolinat e zbrazëta e të lëna bosh në një qoshe të Tiranës. Gazetarja e pajisur bujarisht nga pushteti me lejen e posaçme të qarkullimit në kushtet e “koprifokos” dhe duke abuzuar me profesionin e saj ishte kthyer në një çimkë shëtitëse që gjoja zbulonte zgërqeve të Kryeqytetit kafet ilegale. Dhe e gjitha kjo maskaradë e shpifur e një kanali dhe një gazetareje të kthyer në qelbësa shoqërorë paguhet në fund të muajit me një pagë që le gojëshqyer edhe kryefamiljarin më të devotshëm që punon në ndërtim.
E pra, refreni i përditshëm i kronikave me porosi për të përhapur në mënyrë tinzare perceptimin se Edi Rama ua bën mirë njerëzve se e meritojnë dhe duhet të bëjë dhe më, ka krijuar një hendek të madh mes qytetarëve dhe medias. Britmat e Arjan Çanit se Rama po ia arrin të mbyllë emisione oponente të tij me rastin e gjendjes së koronavirusit nuk mund të gjejnë qytetarë të thjeshtë që solidarizohen, pikërisht se vetë qytetarët ndjehen të tradhëtuar në hallet e tyre nga objektivi i interesave shumë të ngatërruara të medias dhe politikës e biznesit.
Dhe për të mos mjaftuar me turpin gazetaresk të Top Kanalit që fajin e hedh tek qytetarët dhe jo tek Rama, disa media të tjera ndjekin histerinë mbi qytetarët që të sfilitur e kokëulur shijojnë diellin falas të sezonit me veshët ngrehur mos ndonjë kamera e padëshiruar u sjell edhe policinë e ushtrinë ke këmbët.
E të gjitha këto gjëra të zymta duket se nuk arrijnë në sytë dhe veshët e opozitës, e cila duket se jo vetëm mbështet ndalimet skandaloze të lirive dhe të drejtave të njeriut, por të jep përshtypjen se po të ishte ajo, ndalim qarkullimi i këmbësorëve do ishte vendosur kohë më parë dhe e palimituar. Arsyet e kësaj verbërie dhe shurdhësie reaguese nuk i di askush ekzaktësisht, por ama dihet se prej kohësh detashmentë të Top Kanalit në aleancë me gjunjëprerët e strukturave kyçe të PD kanë arritur të amortizojnë reagimet e brendshme në lidhje me mënyrën e sjelljes së PD ndaj medias afër Ramës.
Po kështu është fakt se detashmentët e Top Kanalit në PD që dikur kanë qenë të atashuar pranë kundërshtarëve të vendosur të Bashës brenda llojit, kanë bërë shumë të pakënaqur mes radhëve të demokratëve realë që në disa raste kanë braktisur detyrat e tyre brenda stafit të Bashës në shenjë kundërshtie të hapur me miopinë mediatike që shoqëron veprimtarinë opozitare.
Ndaj nuk ka faj Rama që tallet me opozitën dhe kryetarin demokrat në të gjitha situatat kur duhet të kafshonte gjuhën e të rrinte urtë.
Kryetari i PD ka tendencën të mbajë afër persona që i duken interesantë e që vetofrohen me mantelin e dashamirësit opozitar mediatik modern siç ka patur tendencën të mos dëgjojë zërat e njohur mediatikë të opozitarizmit tradicional që kanë kaluar furtuna të mëdha në kohë. Në fund koha u jep të drejtë zërave dhe figurave mediatike tradicionale të opozitarizmit, por kjo nuk nderon nuhatjen mediatike dhe ideologjike të një Kryeministri të ri. PD dhe Lulzim Basha nuk e ka luksin të mbajë detashmentët e Topit afër tij e të humbasë zërin e vërtetë të profesionalizmit dhe sakrificës mediatike të opozitarizmit real.