Genc Leka…

RRETHI I HËNËS
O hënë, pse dole moj, aq e trishtuar?
Mos vallë për mua po mban zi?
Që prapa reve shpesh më ke vështruar
Kur kthehesha vonë ,netëve në shtëpi?
Nuk besoj në lot, as në sytë e shkruar,
E humbe freskinë, s’bën për mua ti,
Më tha zemërguri, thëngjill i mbuluar,
Që s’pati në zemër, ndjenja, dashuri…
U tret dhe zëri i fundit. Qetësi
Çdo gjë po fle,dremisin edhe retë.
As fletët nuk po bien më tani,
Kjo natë hesht, veç lumi rrjedh për jetë.
Ah, lumi s’gjeti kurrë qetësi.
** *
Kur në dritare rri me mall
Me lulet e saksisë,
Më shfaqen si vegim, përballë
Gërmadhat e shtëpisë.
Pastaj më ngjan sikur bën zë
E ndrojtur fëminia,
Që fle mes gurësh përgjithnjë
Me ëndrrat e mia.
CIGANËT
Çdo vjeshtë vinte një varg me ciganë
Dhe këndonte plot mall e trishtim:
“Se si janë ca gra, se si janë,
Ah, të vrasin veç me një vështrim…”
Dhe shkuan ciganët në rrugën plot fletë,
Me këngët, me kuajt revan…
Dhe pas i përcillte me duf një gërnetë
E ndezur prej shpirtit cigan
Dhe prapë erë e vjeshtës m’i zgjoi kujtimet
Me këngën e vjetër cigane për gratë.
Në vitet e brishta më çojnë mendimet,
Si vesë mëngjesi m’u tretën gëzimet,
Dhe thinjat m’u shtuan çdo natë…
“Se si janë ca gra ,se si janë…”
Gjithnjë më mundon ky mendim.
E pse o ciganë, a gjetshi belanë,
Me këngë e me kuaj çudisni dynjanë
Dhe vjeshtës këndoni me trishtim:
“Se si janë ca gra, se si janë…”?
HARABELAT
Vjeshta e sosi vellon me ngadalë,
Dimri do vijë me ngrica e tufan,
Por ju zogj, këtu i bëni ballë,
Prej këtij dheu asnjë gjë s’iu ndan.
Ka zogj që nisin shtegtimin,
Duan pranverë, duan qiell pa re,
Por tek ky vend ju gjeni veç gëzimin,
Ndaj s’e braktisni kurrë këtë dhe.
LIRIKË
Dashurisë gjithë këto këngë,
Dashurisë gjithë këta lot.
Dashuris’, më të madhes brengë,
Zjarrit që s’e mposhtim dot.
Midis brengash ndenja burrë,
Pisk e paç në dashuri.
Oh, s’e njoha atë kurrë,
E desha fort, se jam njeri.

KUJTIMI YT
Kujtimi yt më hodhi këtë natë,
Në thellësinë e brengave pa fund…
(Ah, ëndërr e kaltër u këput në mes!…)
Dhe nis mendimi rrugën më të gjatë,
Po shtegun e blertë nuk e gjen gjëkund,
Ndaj vezullon çdo mbrëmje çdo mëngjes!…
Pranverë 1972
KJO ZEMËR
Kjo zemër dridhet si një zog i vrarë,
Si det me dallgë shpirti me balada.
Më djeg kjo flakë e dashuris’së parë
Dhe dritë hedh tani, mbi tri dekada.
Pranverë 1972
** *
…Kur shkrin dëborë e virgjër nëpër male,
Shpirt i ronitur dridhet prej një fjale.
Lirikat si fëmijë i zgjon ngadale
Dhe për atë që desh më fort, derdh lot…
1) fragment nga një poezi e humbur e Genc Lekës.
** *
…Ndofta, ndofta një mëngjes shtatori
Ti do vish sërishmi te ky vend,
Ndaj të pres gjithmonë tek oborri,
Q ë të ndiej hapin dhe zërin tënd.
SERGEJ ESENINIT
Dashuri e tij e madhe porsi deti,
Në një zemër s’mund të futej dot.
Ja kështu me fund e ktheu poeti
Për bejrozën që e deshi aq fort.
. ………………………..
Varg po nisen qerret plot me sanë
Ti si diell i kuq po zbret në varr…
KËNGË PËR MIQTË E PARË
Eh, sa herë erdhët këtij fshati
Dhe këtej u ngritët tërë gaz,
E mbaj mend si ziente monopati
Kësaj rruge ç’gjurmë mbetën pas!…
Kënga juaj tutje nëpër erë
Natën nëpër rrugët pa mbarim…
Vetëm ju s’u lodhët asnjë herë
Ju, o miq na sollët veç gëzim!
Eh, sa kishit parë ju në jetë,
(Un’ i vogël isha atëherë!)
Këndej ju vinit, ju trima me fletë
Të gjithë krahut mbanit maliherë!
Vitet shkuan… ne më s’jemi parë
(Bashkë kemi ndenjur tek ky mur!)
Ju gjithmonë u kthyet fitimtarë,
Ju, o miq, më dhatë një flamur!
Dhe sa kishit parë ju në jetë!
Unë i vogël isha atëher’;
Këndej vinit ju trima me fletë
Të gjithë krahut mbanit maliherë!…
** * Si vegim më erdhe këtë natë…
(Ku t’i shpjerë shpirti këta lot?)
Si dikur hedh fletë vjeshta e artë,
Unë thinjem te kjo rrugë e gjatë,
kurse ti këndej nuk vjen më dot
. ……………………….
Kushedi sa herë nëpër net
Ti do vish i heshtur si vegim,
Fletë do të hedhë vjeshta e tretë,
Gjak do rrjedhë plaga pa shërim…
NËNËS
U thinj ajo në rrugën e mundimit,
Por mbeti e re në zemër gjithnjë,
Ndaj i buzëqesh i pastër njerëzimit
Për gjithë zemrat që nuk thinjen më.
Si ky lëmsh që mbledh ti sot në duar
Ashtu t’u mblodhën brengat, nëna ime,
Ti më mësove të lexoj në thëllime
Dhe askujt të mos i lutem shpirtlëshuar.
SPIUNËT
Në sahan të Sigurimit
Pinë helmin e helmimit.
LULET E HORASANIT
Toka që e deshët aq shumë,
Si një shpirt që s’gjeti ngushëllim,
Priti sa të binit ju në gjumë
Dhe pastaj u drodh me dëshpërim…
Hëna dridhej vetëm për mbi retë,
Yjet u këputën një nga një!…
Kurse ju u ndatë nga kjo jetë,
Që në botë të mos vini më!
Këngët enden nëpër shkretëtirë,
Në çdo zemër zgjojnë mall dhe brengë,
Ndaj e zgjova prapë të shtrenjtën lirë,
Ndaj për ju derdh lot në këtë këngë.
Dhe sa lot derdhi në mes tuaj
Esenini i dhembshur, shpirt njeriu,
Zemërdjeguri poet nga vis i huaj
Sikur të ishte vetë Saadiu.
** * O hënë, pse dole, moj, aq e trishtuar,
Mos vallë për mua po mban zi? …………
Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë nuk e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka mbaruar,
Dhe pse po shkruaj të fundmen poezi.

