Nga Agron Tufa/
Prej nji kodër-dheu të freskët ngrihet torsi i nji burri me mustaqe, me zgavra të daluna, golle, prej të cilave ende kullojnë rruvaja të holla gjaku. Burri lëviz me tahmin vetëm dorën e djathtë, ashu si bajnë t’verbuemit. Tjetrën e ka të kallun në dhé. Na sheh drejt, me zgavrat e ngrana. Ngjishem mbas Gacit. Zbrapsemi të dy. Kadalë.
Vërtitet një tufë e madhe korbash. Mbi vorret e Rrmajit… Asht mëngjes i irrun e i lagësht maji i vjetit 1945. Korbat ngrihen me “krra-krra” të potershme, shkapeten n’ajri e mandej ulen prapë. Si me komandë. Në të njajtin vend.
– Hajde Lec, – më thotë Gaci, – shkojmë me pa, ça po ban vaki njatjé.
Jam i vogël. Ndjej frikë. Po Gaci më tërhjek me përdhunë.
– Ish, ish! – i tremb Gaci korbat, si me kenë pula.
Ato janë t’pabindun. Mezi zhvendosen pak metra me krrokama therëse, të pakënaquna. Pamja që na zbulohet para sysh më shtang.
Prej nji kodër-dheu të freskët ngrihet torsi i nji burri me mustaqe, me zgavra të daluna, golle, prej të cilave ende kullojnë rruvaja të holla gjaku. Burri lëviz me tahmin vetëm dorën e djathtë, ashu si bajnë t’verbuemit. Tjetrën e ka të kallun në dhé. Na sheh drejt, me zgavrat e ngrana. Ngjishem mbas Gacit. Zbrapsemi të dy. Kadalë.
– Kenka oficer i ushtrisë Komtare të Mbretnisë, – më thotë Gaci në vesh, tue më kallëzue me gisht xhaketën e uniformës së zbulueme prej dheut, deri në xhepat e epërm.
E ndalëm frymën në zyrën e Kryetarit të Këshillit të lagjes. Na priti i veshur partizançe.
– Asht bash njaj oficeri, qi pushkatume padje, – u thotë dy të tjerëve në zyrë, gjithashtu të veshun partizançe. – Shkojmë, – u thotë, Dhe duelën jashtë të tre.
I hipën xhipit ushtarak, ndërsa unë e Gaci ia premë shkurt për te vorret e Rrmajit.
Kur u shfaq pamja, ata kishin mbërri para nesh. Korbat qenë ngritë hava. Krrokama e tyne inatçore përhapej gjithkah.
Madej fill buçitën tre krisma revolje.
– Dreqin…! – shau napër dhambë Gaci. – Na nuk i thirrëm me…, – i ra kofshës me shuplakë ai.
Dëgjohej gjithë e ma e dobët, gjithë e ma largët krrokama e korbave n’largim…
@agron tufa, 2016