
Major Nazif Ramabaja
Intervistë ekskluzive me major Nazif Ramabajën, ish-kryeshefi i Shtabit Oparativ të Rrafshit të Dukagjinit dhe njëherit ish-komandanti i njësiteve operative të UÇK-së në Lugun e Baranit
Ish-kryeshefi i Shtabit Oparativ të Rrafshit të Dukagjinit dhe njëherit ish-komandanti i njësiteve operative të UÇK-së në Lugun e Baranit, major Nazif Ramabaja kërkon që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të ndalet nga ideja e tij për “korrigjim të kufijve”, përndryshe, sipas tij, pasojat për vendin dhe qytetarët do jenë të mëdha dhe vështirë se do mund të kompensohen në të ardhmen.
Major Ramabaja, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, thotë se vrasja makabre e kolonelit Tahir Zemaj është akt kriminal e kryer nga dora e zezë, të cilën duhet ta zbardhë Gjykata Speciale.
Ish-komandanti i njësiteve operative të UÇK-së në Lugun e Baranit, ka rrëfyer momente të pathëna më parë rreth një bisede të realizuar mes Ahmet Krasniqit dhe Hashim Thaçit, lidhur me një kërcënimi të dhënë nga ky i fundit.

Major Nazif Ramabaja:
Një dekadë nuk është shumë për shtetin më të ri në rruzullin tokësor, duke marrë parasysh shtetet të cilat janë të formuara me shekuj dhe kanë një zhvillim si ekonomik qoftë edhe demokratik, sipas sistemeve ato presidenciale siç janë SHBA-të, parlamentare siç janë shtetet republikë apo monarki, në rastin tonë Kosova si Republikë Parlamentare ka dalë nga një robërim dhe pushtim i egër më se një shekull, pasojat e këtij robërimi janë reflektuar edhe pas shpalljes së pavarësisë.
Të metat janë reflektuar në vazhdimësi që nga uzurpimi i autonomisë nga ana e aparatit shtetëror millosheviqian. Krijimit të sistemit paralel në arsim, shëndetësi me vet-organizim të shtetit paralel, mos dëgjueshmëri qytetare ndaj sistemit monist dhe përkrahjen e idesë për Liri, Demokraci dhe Pavarësi të proklamuar dhe lansuar nga Presidenti Historik Ibrahim Rugova, ku një pjesë e caktuar me bindje Marksiste Leniniste ishin në kundërshtim me ideologjinë Rugoviane.

Këto mospajtime në vazhdimësi ishin prezente edhe gjatë luftës së fundit, në të cilën spektri i organizuar profesionist ushtarak në krye me kolonel Ahmet Krasniqin bëri përpjekje maksimale për unifikimin e faktorit ushtarak dhe koordinimin e të gjitha grupeve nën ombrellën dhe komandën e shtabit suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, konkretisht me marrëveshjen e Osllos të mbajtur më 22-23 maj të vitit 1998 në të cilin takim isha prezent edhe unë, jo në cilësinë e negociatorit, por në takim pune me kolonel Ahmet Krasniqin, ministrin e parë të luftës të emëruar nga ana e qeverisë Bukoshi dhe zëvendësit të tij Agim Mehmetit.
Pasojat e mosunifikimit të faktorit ushtarak pas marrëveshjes së Osllos i bartim edhe sot e asaj dite, mendohej se me unifikimin e faktorit ushtarak më lehtë ishte të unifikohej faktori politikë.
Presidenti Rugova pas lufte luajti rolin e presidentit unifikues të popullit dhe spektrit politik nëpërmes ekipit të unitetit në bisedimet që pasuan në Rambuje dhe Vjenë e Paris për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës shtet i pavarur dhe demokratik, ky unitet i presidentit Rugova u tregua edhe gjatë luftës në bisedimet e Rambujes në shkurt të vitit 1999 ku për hir të unitetit hoqi dorë nga pozita e kryesuesit të delegacionit shqiptar në bisedime me Serbinë të përgatitura nga SHBA-të dhe bashkësia ndërkombëtare.