
Banda e Rilindjes frikë nga publikimi i filmimeve me dashnore në hotelin e Balilit dhe zyrat e shtetit, vendos dënimin me burg kush publikon pamjet intime të shukrinjve të tjerë, atentat ndaj lirisë së mediave
Edi Rama, përmes ushtarëve të tij në Komisionin e Ligjeve, ka vendosur të kthejë në shtëpi publike administratën shtetërore, në të cilën janë strehuar dhe paguhen me paratë e shqiptarëve dashnoret e ministrave, deputetëve dhe drejtorëve, familjarët e pushtetarëve dhe lukunia e militantëve që mbledhin vota.
Në ndryshimet e fundit në Kodin Penal, të cilat u kthyen mbrapsht nga Presidenti si antikushtetuese, Rama ka futur një nen që dënon me burg këdo që përgjon dhe filmon pushtetarët me dashnoret në zyrat e shtetit apo në çdo ambient tjetër. Me miratimin e këtij neni, ministrat dhe drejtorët do të përdorin pa pasur frikë zyrat e shtetit si motele dhe hotele, duke i argëtuar me mikeshat e tyre, që i mbajnë në punë. Kushto që i filmon ata apo që publikon pamjet filmike e pret burgu. Ndryshimet synojnë të krijojnë një mbrojtje për të gjitha aferat seksuale që konsumohen në zyrat e shtetit.
Ndryshimet në Kodin Penal zgjidhin edhe një makth të ministrave dhe deputetëve, të cilët janë filmuar me dashnore në hotelin e Klemend Balilit në Sarandë. Ky hotel është frekuentuar nga një pjesë e madhe e pushtetarëve. Pamjet filmike të momenteve intime janë shpërndarë në disa duar, por ende nuk janë publikuar. Për të ndaluar publikimin e këtyre pamjeve, Rama ka përdorur Parlamentin për të miratuar një ndryshim në Kodin Penal, që dënon me burg kushdo që publikon pamje të tilla. Pra, me ndryshimet në Kodin Penal, Rama ka zgjidhur një hall të madh të shumë ministrave, deputetëve dhe drejtorëve, të cilët rrinin në ankth për shkak të mundësisë së publikimit të filmimeve në hotelin e Balilit. Por, ky ndryshim është një goditje e rëndë ndaj lirisë së mediave. Ishin pikërisht këto përgjime që fundosën Shukri Xhelilin. Tashmë kushdo të filmon shukrinjtë e tjerë do të dënohet me burg.
Ndryshimi parashikon: “Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi ose regjistrimi i fjalëve, fiksimi ose regjistrimi figurave, si dhe ruajtja për publikim i të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit, pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi me çdo mjet ose formë të komunikimit publik apo mënyrë tjetër i të dhënave të marra në mënyrën e përcaktuar në paragrafin e parë të këtij neni, dënohet me burgim deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet ndaj personave të mitur, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik apo nga personi që disponon këto të dhëna për shkak të detyrës shtetërore apo shërbimit publik, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet”./Pamfleti