Kategori
Uncategorized

Një ministër i Jashtëm që nuk mund të jetë fytyra dhe zëri i Shqipërisë në botë.

Tirana Times/ Editorial

Kandidati për ministër për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, djali 28 vjeçar nga Kosova, i cili ka tri diploma Bachelor dhe dy Master, nuk mund ta përfaqësojë Shqipërinë në botë. Ai nuk mund të jetë fytyra e Shqipërisë në takimet, konferencat, samitet dhe konsultimet ku Shqipëria merr pjesë në arenën globale. Gent Cakaj nuk mund të jetë zëri i Shqipërisë në negociatat delikate dhe komplekse me fqinjët, vendet e rajonit apo fuqitë globale. Është e gabuar të vendoset ky person në krye të përpjekjeve të vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Ai thjesht nuk është një ministër, i cili mund të përfaqësojë vendin tonë në mënyrën e duhur në të gjitha zhvillimet dhe ngjarjet e politikës së jashtme nëpër botë.

Në mbështetje të kësaj, duhet të tregojmë edhe arsyet.

E para dhe më kryesorja, figura e Ministrit të Punëve të Jashtme duhet të ketë të përvetësuara gjuhën, kulturën, shqetësimet, aspiratat dhe njohuritë arkivore të diplomacisë së vendit. Në këtë kontekst, theksi i natyrshëm i Cakajt, mungesa e perceptuar e lidhjes reale me çështjet e politikës së jashtme shqiptare dhe mungesa relative e përvojës, janë një problem i vërtetë. Ai mund të ketë ndjekur disa nivele arsimimi dhe mund të ketë lexuar të gjithë librat përkatës, por është ende shumë i papërshtatshëm. Kjo vjen për shkak se vendet kanë zgjedhur të kenë në krye të politikës së tyre të jashtme një figurë që mund të përmbledhë më së miri të gjithë vendin në një fytyrë dhe një zë. Cakaj nuk është ai person. Ai mund të jetë i shkëlqyeshëm, por në këtë fushë, është ende amator.

Këtë vit, Shqipëria do të mbajë kryesinë e një prej organizatave më të rëndësishme në botë, OSBE-së. Shqipëria do të festojë 10 vjetorin e anëtarësimit në NATO. Gjithashtu, do të intensifikojë lobimin në BE, për të arritur një vendim pozitiv në Këshillin Europian në qershor, për hapjen e negociatave të pranimit. Shqipëria duhet të rifillojë bisedimet në pritje me Greqinë, si dhe të ndjekë axhendën ambicioze të Kryeministrit lidhur me dinamikat e Shengen-it në vendet fqinj.

Duke pasur parasysh përpjekjet e këtij viti dhe peshën simbolike dhe reale të të gjitha këtyre zhvillimeve, pritej që kryeministri të linte në krye të politikës së jashtme ministrin në detyrë ose të caktonte një figurë me një formim më të përshtatshëm. Për më tepër, do të ishte mirë që kjo figurë të gjeneronte një lloj konsensusi edhe nga ana e opozitës, meqë përfaqëson të gjithë vendin në arenën ndërkombëtare.

Shmangia e gjithë kësaj përgjegjësie dhe paraqitja me këto kurth prestigjitatori, për të tronditur dhe frikësuar shqiptarët, duke zgjedhur një djalë të zakonshëm dhe anonim por gjithsesi të talentuar, me njohuri të kufizuara për Shqipërinë dhe me një mungesë totale të legjitimitetit, që nuk është as anëtar i Partisë Socialiste, është akti më i keq i spektaklit politik.

Kryeministri tha se ai i përçmon dhe mëshiron të gjithë ata që janë kundër këtij emërimi, me arsyetimin se Cakaj është nga Kosova. Kjo është një goditje e ulët, si struci që fsheh kokën në rërë. Problemet dhe mangësitë e Cakajt nuk e kanë zanafillën vetëm tek origjina e tij, të cilat gjithsesi luajnë një rol. Për më tepër, do të ishte një pengesë shtesë për Cakajn, nëse mediat komentojnë se është një person që qëndron prapa një plani potencial për korrigjimin e kufijve, si një mënyrë për të arritur një zgjidhje mes Serbisë dhe Kosovës.

Përpjekjet për të emëruar një ministër të Jashtëm vetëm që të mos ketë asnjë kundërshtim ndaj ndonjë plani që është akoma i errët, kontradiktor dhe i diskutueshëm dhe për të cilin fuqitë e mëdha akoma nuk kanë një konsensus ose një agjendë konkrete, është një tjetër hap fals i udhëheqësit të qeverisë.

Shqipëria është në një moment delikat ku ndërthuren efektet e tranzicionit dhe aspiratat për anëtarësim në BE, me të gjitha sfidat komplekse të politikës së jashtme që ajo përfshin dhe që kërkojnë përsosmëri, përvojë, baza të forta njohurish, lidership, komunikim dhe aftësi prezantimi. Dhe nëse shikoni disa video të performancës së z. Cakaj, kupton se me emerimin e tij do te kishim kryer nje akt bumerangu.

Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës ka marrë vendimin e duhur dhe me arsyetimin e duhur dhe serioz për të refuzuar emërimin e tij. Tani duhet të shpresojmë se Parlamenti do të tregojë të njëjtën përgjegjshmëri dhe të mos reagojë në mënyrë jo të mirëmenduar, duke rrëzuar këtë dekret ashtu siç ka bërë në të kaluarën. Kjo është thirrja e fundit për reflektim për Kryeministrin që të gjejë një ministër që të meritojë të jetë fytyra dhe zëri i Shqipërisë në botë.

*Perktheu: Loneta Progni

Lini një koment