Nga Red Varaku/
Dështimi spektakolar i Ramës
Protesta e studentëve nuk është gjë tjetër veçse maja e ajsbergut e zemërimit që po shpërthen në çdo cep të Shqipërisë. Është reflektim një i një problemi më të thellë se nevojat ekonomike. Më të thellë se nevoja për konvikte dhe tualete më të mira. Është një situatë që duket sikur do të rrëzojë jo vetëm Edi Ramën, por të gjithë strukturën e sistemit.
Shqipëria po zgjohet. Është një zgjim i madh. Është zgjim i intekektualëve, artistëve, punëtorëve, fermerëve dhe së fundmi si kurorë kjo e studentëve, të cilët janë ngritur për pakënaqësi të akumuluara gjatë këtyre 28 vjetëve.
Kjo pakënaqësi nuk është sipërfaqësore siç përpiqet që ta trajtojë Kryeministri. Reformat e fundit të ndërmarra nga Rama shërbyen si shkëndijë për t’i dhënë më pas zjarr zemërimit të madh.
Të gjithë e kuptojnë që kjo është një lëvizje që ngrihet kundër një status quo ekonomike, sociale dhe politike që shqiptarët nuk e tolerojnë dot më.
Gjendja e ekonomike e shqiptarëve është alarmante. Varfëria po rritet me hapa galopante, po ashtu edhe numri i njerëzve që jetojnë nën minimumin jetik. Shteti shqiptar, i cili me Ramën është bërë shumë burokratik, nuk arrin t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve.
Rama nuk po arrin të kuptojë këtë pakënaqësi ndaj i trajton me përbuzje si rebelë.
Kjo Shqipëri larg ish-bllokut dhe luksit të Tiranës është gati të shpërthejë ndoshta edhe situata të përshkallëzohet në veprime të dhunshme ashtu si në Paris. Sepse shenjat flasin për një situatë shpërthyese të zemërimit mbarë popullor.
Është një miks proteste, revolte dhe vandalizmi që mund ta çojë vendin drejt kaosit dhe qeverinë drejt kapitullimit.
Jemi përballë një situate që nuk mund të zgjidhet as nga qeveria as nga policia. Sistemi ka kaluar i gjithi në krizë përballë një populli që tashmë e ka kuptuar fuqinë dhe forcën e tij edhe duket nuk do të tolerojë më asgjë.
Rama sa vjen edhe po bëhet më i dobët përballë zemërimit në rritje të qytetarëve. Ai nuk është më një kryeministër legjitim dhe po paguan për blerjen masive të votave, vjedhjet dhe kriminalizimin që i bëri shtetit shqiptar.
Ai po tregon që është i paaftë të kuptojë realitetin e shoqërisë shqiptare. Ai nuk e ka më nën kontroll më territorin dhe është kthyer në një njeri që nuk e do më askush as majtas dhe as djathtas. Ai konsiderohet shkaktari kryesor i kësaj krize dhe problemi kryesor që po pengon Shqipërinë drejt integrimit Evropian . Ai duhet të largohet dhe t’i lërë vendin një qeverie teknike, e cila më pas do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme .
Ai duhet t’i hapë rrugë vullnetit të shqiptarëve para se të jetë shumë vonë dhe njerëzit të derdhen rrugëve dhe shesheve dhe ta përmbysin me dhunë këtë çetë zullumqarësh dhe të përdalash që vazhdojnë të rendin pas këtij të marri, që e ka kthyer Shqipërinë në një arenë çakejsh.
Vendimi popullor është afër dhe do t’i godasë pa mëshirë nëse nuk heqin dorë dhe vazhdojnë me përbuzjen, arrogancën dhe prepotencën që po demostrojnë këto ditë të shenjta Dhjetori.