- Në foto shihen gjatë momentit të ngrënies në Vuçidol, në bazën ku ishte vendosur Shtabi për Dukagjin, për të krijuar brigadat e para të UÇK-së së FARK-ut. Nga e majta: Tahir Zemaj, Hasan Zukaj, Saim Tahiraj, Muharrem Tafa, Sali Çekaj, Zenun Idrizi.
Ishte muaji maj 1998, kur oficerë të lartë dhe veprimtarë të shumtë shqiptarë, të rreshtuar brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, kishin kaluar në organizim të hapur të luftës kundër forcave të Millosheviçit, shkruan Gazeta SHQIPTARI. Në kujtim të këtij organizimi dhe të vrasjes së kolonelit Tahir Zemaj, i graduar nga major në kolonel nga Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi, bashkëpunëtori ynë, njëri prej veprimtarëve më të shquar shqiptarë në Zvicër, dhe ish udhëheqës i grupeve të armatosura në diasporë, Saim Tahiraj, na ka sjellë këtë foto dëshmi të luftës.
Nga e majta: Tahir Zemaj, Hasan Zukaj, Saim Tahiraj, Muharrem Tafa, Sali Çekaj, Zenun Idrizi.
Nga të gjithë në foto, disa tashmë janë të vdekur. I pari nga ta është mbytur në luftë me 1998 Muharrem Tafa polic nga Shqipëria, duke rënë me xhip në lumin Valbona, së bashku me babain e Leonora Jakupit, i cili është dekoruar si hero i Kosovës, por askush nuk është kujtuar ta dekoroj e nderoj heroin nga Shqipëria, që ndihmoi me mish e me shpirt organizimin e luftës së Kosovës duke vënë në dispozicion gjithçka që kishte, objektin e shkollës, që tashmë ishte pronë e familjes së tij, por edhe duke marrë pjesë në vetë organizim, furnizime dhe në hyrje daljet Kosovës-Shqipëri.
Sali Çekaj do të vritet në rrethana edhe më të paqarta, gati një vit më pas, me 19 prill 1999 në Betejën e Koshares, duke qenë edhe njëri prej organizuesve dhe planifikuesve të saj. Sali Çekaj ishte edhe udhëheqësi i parë i tri grupeve guerile, të stërvitura në Shqipëri, ku në grupin e dytë ishte edhe Adem Jashari. Marrëveshja për stërvitje në Shqipëri, ishte bërë ndërmjet udhëheqësve të Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë, dhe se me këto grupe do të vazhdonte të komandonte Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës.
Ndërsa, 6 vjet më pas (nga koha kur është bërë fotoja) në një atentat me sulm tipik terrorist, me 4 janar 2004 është vrarë koloneli Tahir Zemaj, së bashku të birin Enisin dhe me veprimtarin e LDK-së Hasan Zemaj.
Si rrëfen për gazetën SHQIPTARI Saim Tahiraj, bashkëpunëtori i ngushtë i heroit Sali Çekaj, kjo foto, dëshmi, e siguruar vetëm pak ditë më parë, është bërë në shkollën e Vuçidolit, ku ishte stacionuar Shtabi për Zonën e Dukagjinit, në krye me kolonel Tahir Zemajn, dhe anëtar i Shtabit ishte Sali Çekaj. Vendosja në Vuçidol ishte bërë me urdhër të kolonelit Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës. Kjo ishte parapërgatitja e fundit për themelimin e Brigadave, 131, 133 dhe 134, të cilat do ta jepnin betimin në Papaj të Shqipërisë, po gjatë muajit maj 1998, ceremoni kjo e dëshmuar edhe me videoincizime, themelimi i së cilës do ti paraprijë hyrjes së brigadës në Kosovë.
120 ushtarët e parë që janë sjellë për betim në Papaj, janë futur nga Xajë Qela, Bekë Osmani, Ismet Çeku dhe Saim Tahiraj, ndërsa Rrustem Bruqi me të tjerë kishte mbetur në organizimin e mëtejshëm në Kosovë, dhe pas hyrjes së këtyre ushtarëve, do të themeloheshin tri brigadat, 131, 133 dhe 134, të cilat do ta fitojnë betejën e Loxhës, dhe do ta bëjnë historinë me fitoren në betejën e Koshares.
Po nga takimet në këtë shkollë të Shtabit, do të rezultojë marrëveshja, që Saim Tahiraj me veprimtarë të tjerë, të hynin në Kosovë dhe të mobilizonin ushtarët për t’i nxjerrë në Shqipëri, me të cilët do të formohet brigada 131 dhe bërthamat për dy brigadat tjera, 133 dhe 134.
Një histori sa e bukur dhe e trishtë nëpërmjet një fotoje, të rrallë! Krenohu me ushtrinë tuaj, themeluesit e vërtetë të ushtrisë së vërtetë, të drejtuar nga i jashtëzakonshmi Ahmet Krasniqi! Gazeta SHQIPTARI
