Kryeministrja serbe i ka dërgue dy letra homologut shqiptar, Edi Rama, ku i kërkon me përdorë atë që ajo e quen “ndikimin e tij në Prishtinë”, në mënyrë që Kosova me i zbatue marrëveshjet ndërkombëtare, ndër të cilat me heqë dorë nga ushtria dhe taksa 100%.
Letra e parë mban datën 16 Nandor dhe vjen e shkrueme me nji gjuhë, të cilën random diplomacia serbe e përdor në kulmin e propagandës antishqiptare në seancat e Këshillit të Sigurimit dhe ma gjeanë. Kryeministrja serbe ankohet për atë që e quen shtypje dhe krime kundër popullit të saj, që vazhdojnë papushim dhe kërcënojnë të përshkallëzohen ma tej, raporton TCH.
“Po iua kërkoj meqenëse keni njohur të ashtuquajturën ‘Republikë të Kosovës’ si një shtet të pavarur, në mënyrë që ju të përdorni ndikimin tuaj ndaj Prishtinës, që t’iu bindet marrëveshjeve dhe ligjeve ndërkombëtare. Në rast se, në kundërshti me ndikimin tuaj, ata vazhdojnë të shkelin marrëveshjet dhe paktet ndërkombëtare, ju kërkoj të rishikoni pozicionin tuaj në mbështetje të Pavarësisë”, shkruhet në letrën e parë të Brnabic, 16 Nandor 2018.
Gjashtë ditë ma vonë, pa marrë nji përgjigje për letrën me tone patetike, ku shqiptarët dhe qeveria në Kosovë fajësohen për fakte të pavërteta, kryeministrja serbe i drejtohet serish Ramës me nji letër të dytë.
Në këtë letër, Brnabic, me tone ma të zbutuna dhe argumente ekonomike, flet për pasojat e taksës ndaj mallnave serbe dhe damin, që simbas saj po i bahet klimës së biznisit në Ballkanin Perëndimor. Ajo i kërkon sërish Ramës me përdorë ndikimin dhe besimin që kanë instucionet e Kosovës te ai, për heqjen e këtyne masave dhe i kujton faktin se Serbia nuk ka me marrë masa reciproke.
Ma në fund, përgjigjja i vjen dy javë ma vonë, në nji letër ku kryeministri shqiptar i kujton homologes serbe krimet e shtetit të saj në Kosovë, njohjet dhe përparimet e Kosovës mbas luftës.
“E dashur kolege. Është thjesht e pamundur për mua që të kuptoj thirrjen tuaj ‘që të rishikojmë pozicionin tonë në mbështetje të Pavarësisë’… Qëndrimi i Shqipërisë është se Kosova është shtet i pavarur dhe vend sovran, që i merr vet, në mënyrë të pavarur vendimet e saj, të cilat Serbia dhe të tjerët duhet t’i respektojnë, si reflektim i vullnetit sovran të popullit të Kosovës nëpërmjet udhëheqësve të zgjedhur në mënyrë demokratike”, thuhet në përgjigjen e Ramës, me 3 Dhetor.
Rama i kujton Brnabicit angazhimet e tij, së bashku me presidentin e saj Aleksandar Vuçiç, dhe se kanë ra dakord të arrijnë pajtimin përmes bashkëpunimit rajonal, gja që ju – thotë kryeministri, – e keni shkelë me pengesat që po i nxirrni Kosovës për anëtaresimet në organizatat ndërkombëtare, si INTERPOL apo UNESCO.
“Shqipëria e ka mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Por, nuk mund të mos dëshmojmë se nën maskën e dialogut, Serbia ka ndërmarrë pengesa dhe akte armiqësore kundër Kosovës, të cilat janë të dëmshme për shpirtin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal, gjë që nuk është e denjë për një shtet kandidat për në BE. Ne besojmë se ndjekja e rrugës së dialogut, me sinqeritet dhe realizëm, do të jetë e vetmja alternativë e sukssesshme për të arritur zgjidhje të detyrueshme dhe të qëndrueshme për të dyja palët, si dhe paqen e stabilitetin në rajon”, thuhet ma tej në përgjigjen e Ramës./TCH
