Kategori
Uncategorized

Dëshmitari i krimit makabër.

Fundi tragjik i inxhinierit Zuber, si e goditi roja me shqelm pas koke

nga Petro Marko/

Me Zuberin shkëmbenim ndonjë fjalë: ai, i shtrirë përdhe; unë, i varur.

Ai murmuriste gjithë ditën dhe, pasi e pyesja se ç’murmuriste, thoshte: -“Tani jam duke bërë një leksion për shkaqet pse disa zona janë të pasura me naftë, si ato të Lindjes së Mesme… Tani jam duke u lutur, – ai ishte katolik dhe lutej”.

E ngacmova dhe i thashë: -“Si ka mundësi që një intelektual si ju të besojë?” –“Unë u besoj ideve që jetojnë dhe do të jetojnë për mijëra vjet.

Ti i beson marksizëm-leninizmit… por a do të jetojë qindra ose mijëra vjet kjo ideologji?

Feja ka një funksion shumë human dhe universal, ajo ka shumë vlerë për njeriun, se e bën më njerëzor, e bën më guximtar ndaj së ligës dhe i zbut plagët e shpirtit. Ja tani, kur unë i falem Krishtit, i them: edhe unë do të duroj dhe do të qëndroj si ti. Se ti na dhe shembullin për të buzëqeshur edhe para vdekjes.

Pse njerëzimi beson? Se ka nevojë për burim shprese, për këtë burim humanizmi, për këtë ilaç qetësues, sidomos në rastet si ky yni, në të cilin ndodhemi tani.”

Hynë në birucë dy hetues: njëri e ngriti Zuberin dhe e nxori jashtë birucës, tjetri ndenji me mua dhe më tha: -“Pa pyete këtë armik a ka flori toka shqiptare.

Ai ka bërë hartën gjeologjike, por nuk ka shënuar gjëkundi se ku ka flori…” Unë qesha me vete dhe i thashë hetuesit kallp: -“Po të kishte flori, për kë e ka fshehur? Po të ishte për italianët, do ta kishte shënuar. Po të ishte për gjermanët, do ta kishte shënuar. Për kë e ka fshehur?” –“Këta agjentë… janë djallëzorë… Po ti pyete, se nuk ka mundësi që të mos ketë flori gjithë kjo tokë”. Përsëri unë qesha hidhur me vete dhe i premtova se do ta kryeja këtë “detyrë patriotike”, se kështu më tha ai: “është detyrë patriotike kjo që po të ngarkojmë!”

Kur u kthye përsëri në birucë Zuberi, u shtri dhe qeshte. –“Pse qesh?” – i thashë. –“Më shtrëngojnë të them pse nuk kam shënuar zonat ku ka flori toka shqiptare. Dhe unë u thashë se nuk ka. Ata më shkelmuan dhe më shanë “agjent i shitur”. –“Me të vërtetë, a ka flori Shqipëria?” –“Po të kishte, unë patjetër që do ta kisha shënuar, si të gjitha mineralet e rralla. Në të vërtetë, ka në disa zona, por duhet njëzet herë më shumë flori për ta nxjerrë atë sasi. Këta janë injorantë. Unë, kur kam bërë hartën gjeologjike, e kam bërë si gjeolog dhe jo si agjent ose spiun. Ç’janë këto që po dëgjojmë?!” Dhe përsëri mendimet dhe fantazia jonë morën drejtime të ndryshme. Burgu gjëmonte nga ulërimat.

Përnatë merrnin e pushkatonin intelektualë të shquar, specialistë. “A e di? – më tha një ditë Zuberi. – Këtu, ja Enveri, ja Koçi janë agjentë të huaj, besoj të Jugosllavisë. Se nuk lanë intelektualë të gjallë, me qëllim që ata të sjellin të tyret.” U hap dera. Hyri brenda një polic trupmadh dhe i bërtiti Zuberit: -“Ç’punë bën ti?” –“Gjeolog!” – u përgjigja unë. –“Mbylle gojën ti, se s’të pyeti njeri!” –“Gjeologu zbulon pasuritë e nëntokës!” – u përgjigj i frikësuar Zuberi, se e vuri re shprehjen e kriminelit. Roja i këputi me sa fuqi që pati, një shkelm prapa veshit duke i thënë: -“Tani shko e zbulo pasuritë e nëntokës”. – Mbylli derën dhe u largua. Kisha mbyllur sytë dhe çudi se si nuk më pushoi zemra.

Me frikë, hapa sytë dhe pashë Zuberin të shtrirë, me duar e me këmbë të hapura dhe me një curril gjaku që i buronte nga goja. Bëra të lëvizja, t’i vija në ndihmë, por isha i varur në dritare. M’u errën sytë. M’u err mendja. Desha të bërtisja, që të më dëgjonte gjithë bota:

Krim! Krim universal! Zuberin e vranë! Vranë kulturën, vranë shkencën, vranë jetën. U hap përsëri dera. Hyri ai polici që e goditi, bashkë me dy të tjerë. E panë. -“Ngordhi qeni!” – tha ai që e goditi. E kapën nga këmbët, e hoqën zvarrë, e nxorën jashtë dhe mbyllën derën, duke më lënë mua në birucë.

Lini një koment