Kategori
Uncategorized

Maqedonia, pasi mori investitorët e huaj, tani po tërheq edhe bizneset shqiptare

Maqedonia u rendit e para në rajon dhe e dhjeta në botë për klimën e të bërit biznes në raportin e fundit të Bankës Botërore “Doing Business 2019”. Ky certifikimin e ka bërë vendin fqinjë të suksesshëm në këtë dekadë për thithjen e investimeve të huaja. Shumë kompani të huaja që fillimisht kanë pasur interes të zhvillojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, por me pas kanë zgjedhur Maqedoninë për shkak të lehtësirave dhe taksave të ulta.

Por dy vitet e fundit edhe bizneset shqiptare kanë parë me interes të investojnë në Maqedoni sidomos në linjat e prodhimit.

Kompania Sagen në shtator të këtij viti nisi investimin Maqedoni për ndërtimin e një fabrike që do të prodhojë ilaçe. Sipas të dhënave nga projekti atje do të prodhohen tretje infuzive dhe ilaçe gjenerike, pjesa më e madhe e të cilave do të jenë për eksport. Projekti i kompanisë shqiptare në Maqedoni është 20 milionë euro dhe synon të punësojë rreth 300 persona.

Grupi më i madh në Shqipëri, Balfin, njoftoi se do të investojë 100 milionë euro këtë vit në një projekt që kushton gjithsej rreth 180 milionë euro, në zhvillimin e një zone shumëfunksionale në periferi të Shkupit në Maqedoni.

Kompania Agna Group gjithashtu ka lajmëruar për zhvillimin e një linje prodhimi për biskotat në Maqedoni, e cila është projektuar të jetë më e madhja në Rajon.

Maqedonia sipas raportit të Bankës Botërorë të “Doing Business 2019”, renditet në të 10 kriteret kryesore shumë para Shqipërisë.

Shqipëria u rendit e 13 në botë për lejet e ndërtimit ndërsa Shqipëria në vendin 151 të në botë.

Maqedonia u rendit në vendit e 57 për aksesin në energji, Shqipëria në vendin e 140-të.

Në lehtësitë e pagesës së taksave Shqipëria u rendit e 122-ta e në botë, ndërsa Maqedonia e 31 në botë.

Barra fiskale në Maqedoni është më e ulëta në rajon dhe në Shqipëri më e larta. Sipërmarrjet shqiptare paguajnë në total taksa dhe kontribute që janë sa 37.3% e fitimeve të tyre, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore “Të bësh biznes 2019”. Ky nivel është më i larti në rajon edhe në krahasim me Serbinë, që ka nivele taksash të ngjashme me ne. Bizneset serbe paguajnë taksa e kontribute sa 36.6% të fitimeve. Maqedonia është shteti me barrën më të ulët të taksave për bizneset, me vetëm 13.3% të fitimeve (bizneset në Maqedoni paguajnë vetëm tatimfitimin dhe taksat bashkiake). Më pas renditet Kosova, që e ka këtë tregues 15.2%, Mali i Zi 22% dhe Bosnja me 23.7%.
Maqedonia e ka normën e tatim fitimit 10%, ndërsa në Shqipëri është 15%. (Lexo edhe: Tabelat e Bankës Botërore: Bizneset shqiptare paguajnë më shumë taksa në rajon, në raport me fitimet ).

Banka e Shqipërisë raportoi se stoku i investimeve shqiptare jashtë vendit në fund të 2017-s arriti në 1.2 miliardë euro. Kjo shumë është e barabartë me 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe është sa 19% e stokut të Investimeve të Huaja Direkte në vendin tonë. Por ekspertët e Bankës së Shqipërisë pohojnë se shuma prej 1.2 miliardë eurosh që shqiptarët kanë investuar jashtë përfshin brenda saj banesat e blera jashtë, të cilat klasifikohen si një formë investimi.

Në Maqedoni, ka një mbizotërim të prodhuesve të automjeteve, me kompanitë e huaja perëndimore dhe amerikane, që kanë investuar ndjeshëm vitet e fundit, të tërhequr nga lehtësitë fiskale, që shteti maqedonas u ka ofruar investitorëve përmes zonave të lira ekonomike, duke ndikuar në rritjen e punësimit dhe eksporteve në vend. Investimet e tyre janë të vogla në vlerë absolute, duke u luhatur në 20-30 milionë euro, por efekti në punësim ka qenë i konsiderueshëm. Tre prej tyre ndodhen në renditjen e10  më të mëdhenjve, sipas qarkullimit vjetor

Johnson Matthey DOOEL, prodhuesi maqedonas i katalizatorëve dhe pjesëve të makinave, vijon të jetë më i madhi i Maqedonisë, me të ardhura 1.5 miliardë euro në 2017-n, teksa ka rreth 800 të punësuar. Ky subjekt është dhe eksportuesi më i madh në Maqedoni, teksa të ardhurat e tij janë sa 75% e gjithë eksporteve shqiptare (që ishin rreth 2 miliardë euro në 2017-n, sipas INSTAT). Pak vite më parë, kjo kompani shfaqi interes dhe për Shqipërinë, por më pas vendosi të hapë fabrikën e dytë në Maqedoni!

KROMBERG & SHUBERT MAKEDONIJA DOOEL Bitola, me aktivitet në prodhimin e sistemeve elektrike për automjetet, kishte të ardhura prej 150 milionë eurosh dhe renditej në vend të shtatë në 2017-n. Kompania ka mbi 4300 të punësuar. Qeveria maqedonase nënshkroi një kontratë me kompaninë gjermane Kromberg & Schubert në dhjetor të vitit 2011 dhe dy vjet më vonë, në tetor 2013, ata hapën një fabrikë për prodhimin e kabllove të makinave, të vendosura në zonën industriale Zhabeni, pranë Manastirit. Investimi ishte rreth 20-26 milionë euro. Qeveria maqedonase e ka përshkruar fabrikën Kromberg & Schubert në Zhabeni si investimin më të madh, sa i përket numrit të punonjësve, në historinë e Maqedonisë vitet e fundit.

Fabrika e re e autobusëve të Van Hool në Shkup, e përuruar në vitin 2014, renditet në vendin e 10, me të ardhura prej 135 milionë eurosh tre vjet pas hapjes së aktivitetit. Një porosi e madhe nga tregu amerikan për 500 autobusë nxiti prodhuesin belg të autobusëve të investonte 25 milionë euro në Maqedoni. CEO Filip Van Hool e ka shpjeguar kështu zgjedhjen e Maqedonisë, në momentin që vendosën të bënin investimin: “Van Hool dëshiron të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në tregun amerikan. Nga fillimi ishte e qartë se ne nuk mund të ndërtonim 300 autobusë standardë në Belgjikë: kosto ishte e shtrenjtë, mbi të gjitha për shkak të pagave të larta për ndërtimin e autobusëve të standardeve bashkëkohore. Pas një analize të detajuar të disa mundësive, vendosëm të ndërtojmë një fabrikë të re në Maqedoni. Vendi, megjithëse nuk është anëtar i BE-së, është megjithatë shumë i orientuar drejt Europës. Klima e favorshme e investimeve, së bashku me kushtet e punës dhe aftësitë e fuqisë punëtore të motivuar, na nxitën që të bëjmë një investim prej 25 milionë eurosh në Maqedoni”, ka pohuar ai në momentin e përurimit. Sot, fabrika ka rreth 400 të punësuar.
Zhvillimi i industrisë së automjeteve ka nxitur eksportet e vendit. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve në Maqedoni ishin gati sa 50% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2016-n, referuar të dhënave të Bankës Botërore, ndërsa në Shqipëri, ky tregues është gjysma, rreth 27%.

Në kontrast të plotê, punëdhënësi më i madh në Shqipëri deri tani është nje kompani e lojërave të fatit, ITSGA, me rreth 3 mijë të punësuar!

Kategori
Uncategorized

Mit apo ‘Mafie’ e ambasadorëve në Tiranë?! 

Por ka ardhur koha që të zhvishen nga ky mit i rremë dhe të zbulohet  realiteti, sado i hidhur për një pjesë të tyre.

Nëse këta diplomatë paguhen me rroga të majme nga taksapaguesit dhe qeveritë e vendeve nga vijnë; për të qenë gardianë të shtetit ligjor dhe të  demokracisë sonë të brishtë; për tu treguar shqiptarëve dhe qeverive të tyre krimin dhe korrupsionin që na ka kapur për fyti, atëherë te cila “bordero” paraqiten për të heshtur dhe mbuluar realitetin?!

Mit apo 'Mafie' e ambasadorëve në Tiranë?!

Ka ardhur koha që të thuhet e vërteta dhe miti i tyre kaq shumë i dashuruar nga shqiptarët edhe pa 28 vitesh, të vihet nën prozhektorët e të vërtetës.

Nga Poli Hoxha   

Që në kohën e izolimit të egër që shpalli si strategji (anti) kombëtare regjimi i Enver Hoxhës, shqiptarët nisën fshehtas të gatuajnë një mit për të gjithçka që ekzistonte matanë klonit. Shtet ligjor, ekonomi tregu, liri mendimi e biznesi, drejtësi me peshore pa hile e sy të lidhur, që nuk mban anë, korrupsion zero e të tjera vlera madhore si këto; përbënin ëndrrën e madhe që i bëri shqiptarët të ngazëllenin në ekstazë, kur erdhi më në fund pluralizmi dhe demokracia.

U hapën dogana e ambasada; mbërritën biznesmenë e diplomatë të ftohtë akull dhe më në fund ky mit kishte rastin, që të vihej në provë. Fillimisht kur shqiptarët kalonin në Kakavijë e Kapshticë, hynin për një vizë nëpër ambasadat në Tiranë, dridheshin përpara policëve dhe konsujve me uniforma e kostume të rënda, sepse me ata “nuk bëhej shaka”.

Por nuk kaloi shumë kohë dhe shpërthyen kolonat e taksive dhe avionëve dëngas me refugjatë të pajisur me viza false, që kalonin pa problem. Lindi mafia e vizave zyrtare me kokën brenda në ambasada dhe puna shkoi deri aty, sa që edhe Alfred Shkurti  me emrin që i kishin vënë prindërit bleu një të tillë, si piktor nga italianët dhe ja mbathi kur ishte personi më i kërkuar në vend.

Pakkujt i kujtohet, por edhe ambasada më e “egër”, ajo gjermane, u shndërrua në një market shitje-blerje vizash, sa që qeveria e tyre u detyrua në vitin 2004 ta shkrinte fare personelin e asaj kohe dhe një prej drejtuesve të saj nën hetim kur u kthye në atdhe, “nga turpi” vrau veten.

Turp  e krim andej, por “biznes”, politikë e diplomaci këtu në Shqipëri!

Shumë diplomatë të huaj europianë dhe amerikanë që kanë shërbyer në Shqipëri tregojnë nëpër intervista e kujtimet e tyre, se kur i sillnin me shërbim në Tiranë e konsideronin këtë fazë të karrierës së tyre, si “fundi i botës”, internim dhe se do të preferonin, që më mirë të punonin diku në Afrikë apo Azinë e largët.

Vijnë të ngrysur e të dëshpëruar dhe ikin “me lot në sy”, pasi nuk ja kanë arritur në kancelaritë e vendeve të tyre ta shtyjnë shërbimin (mundësisht pafundësisht) në këtë vend problematik gjithmonë në tranzicion.

Çfarë metamorfoze ju ndodh vallë këtyre të huajve, ambasadorëve e grave të tyre në veçanti, që njësoj si mizat e uritura nuk duan të largohen “gjallë në botë” nga mjalti ku kanë rënë, edhe pse duket qartë se po mbyten në glukozën e tij kanceroze?!

Kur nuk flasin për drogën që bën namin dhe kthehet në biznes i drejtuar nga një ndërmarrje shtetërore siç ndodhi në 2016-2017; për paratë e botës së errët që pastrohen me tonelata në ekonomi e koncesione pa asnjë logjikë të ekonomisë së tregut; për “Xhuxhin”,  “Lalën”, Taon” e një vargan të gjatë të rilindasve që as nuk denjojnë ti fshehin lidhjet me krimin e organizuar; për oligarkët që kanë futur në thes qeverinë me gjithë pasuritë publike të vendit, për tregun e zi të votës; për Reformën në Drejtësi që ka degraduar… për çfarë ishin e janë këtu?!

Nuk po shohim të bëjnë, as atë që bënin ata pak homologë të tyre në kohën e Enver Hoxhës; shkëmbime kulturore e artistike mes vendeve e popujve; këngë e valle!

Nëse të gjitha këto janë “punë të brendshme”, siç u tha artistëve që mbrojnë Teatrin Kombëtar dhe pronën publike poshtë tij, ambasadori i ri i BE-së, Luigi Soreca, pak ditë më parë,  atëherë me çfarë merren realisht këta zotërinj?

Çfarë rruge u ka shtruar Lu e Vlahutin që rrota funksionon vaj për qeverinë, ndërkohë që shumica e shqiptarët e ngrysin dhe e gdhijnë me valixhe të bëra gati, për tu arratisur drejt vendeve nga ata vijnë në Tiranë, por që vetë për qamet, se duan të kthehen më?!

Ka ardhur koha që të thuhet e vërteta dhe miti i tyre kaq shumë i dashuruar nga shqiptarët edhe pa 28 vitesh, të vihet nën prozhektorët e të vërtetës.

Përse Shqipëria nga një vend ku dikur këta diplomatë vinin me zor dhe të mërzitur është shndërruar së fundmi, në një oaz të lakmuar për të cilin bëjnë çdo gjë në kancelaritë e tyre, për ta kapur dhe mos e lëshuar më?!

U shërbejnë vendeve të tyre, SHBA-së dhe BE-së për të mbrojtur në Shqipëri thelbin e ekzistencës së demokracisë dhe shtetit ligjor, apo rrugës drejt “mjaltit” i kanë tradhtuar këto kolona ekzistenciale, që mbajnë në këmbë shoqëritë dhe shtetet nga vijnë?!

Nëse qeveritë e tyre thonë me të madhe, se gjatë këtyre viteve të Rilindjes në pushtet, krimi i organizuar ka kapur me shpejtësi shtetin dhe ekonominë; se klanet shqiptare të drogës janë kthyer në rrezik edhe për ata vetë; se Shqipëria është kthyer në bazë të krimit të organizuar ku pastrohen miliarda; që ju prish terezinë e sigurinë edhe vendeve si Gjermania, Holanda, Belgjika, Italia, atëherë çfarë arsye madhore i detyron këta ambasadorë të kyçin gojën dhe madje, edhe të dalin në mbrojtje të hapur apo “diplomatike” ndaj kësaj organizate në pushtet e cila as vetë nuk e fsheh më, për kë e për çfarë punon?!

Kemi 28 vite që nanuritemi nën tingujt e ëmbël të mitit të ambasadorëve dhe ngopemi me përrallën, që e shoqëron; “mirë që janë ata, se kushedi se sa keq e më keq do të ishim me këta politikanë dhe qeveritarë që kemi ne”!

Por ka ardhur koha që të zhvishen nga ky mit i rremë dhe të zbulohet  realiteti, sado i hidhur për një pjesë të tyre.

Nëse këta diplomatë paguhen me rroga të majme nga taksapaguesit dhe qeveritë e vendeve nga vijnë; për të qenë gardianë të shtetit ligjor dhe të  demokracisë sonë të brishtë; për tu treguar shqiptarëve dhe qeverive të tyre krimin dhe korrupsionin që na ka kapur për fyti, atëherë te cila “bordero” paraqiten për të heshtur dhe mbuluar realitetin?!

 Prandaj pyetja shtrohet; Këtu në Tiranë, tani pas 28 vitesh, kemi mit apo “mafie” të disa ambasadorëve?!