Kategori
Uncategorized

Ka pisllëqe andej dhe këndej kufirit që gjaku i derdhur në Bularat nuk lan dot

Gentian Gaba/

Për fat të mirë, baruti i “fuçisë ballkanike”, i lagur nga proceset integruese në të cilat jemi pjesë dhe krijojnë detyrime reciproke midis Shqipërisë dhe Greqisë, nuk merr dot flakë si në kohët kur u themelua urrejtja atavike që ndizet në kësi rastesh. Por, mund të përdoret nga politikanët e dy vendeve, të cilët, gjejnë tek nacionalizmi strehën e fundit për hallet e tyre të brendshme.

Për shembull, nëse ngjarja e Bularatit nuk do të monopolizonte debatin publik, kryefjala në edicionet qendrore të lajmeve, faqet e para të gazetave dhe energjia negative e banorëve të rrjeteve sociale do të përqëndroheshin tek dorëheqja plotë enigmë e Ministrit të Brendshëm; te dy ish-deputetët socialist që janë ende në burg, ose tek Supermeni që Partia Socialiste ka në krye të Bashkisë të Durrësit dhe marrëdhëniet e tij të dokumentuara me botën e krimit. E nëse Tirana qan, sigurisht Athina nuk qesh.

Qeveria greke është në një moment të vështirë pas largimit të Ministrit të Punëve të Jashtme Kotzias; fondeve të tij sekrete, andrallat e marrëveshjeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë, presioneve të ekstremistit të djathtë Kamenos dhe skandaleve milionëshe të së kaluarës. Për këto arsye, një ngjarje si ajo e Bularatit, dhe fryrja e saj përtej dimensionit që realisht ka, nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të spostuar vëmendjen tek “armiku i jashtëm”; dhe për të fituar kuota politike nëpërmjet nacionalizmit, i cili, në këto troje, është përherë një “evergreen”.

Megjithatë, përtej përpjekjeve për ta kthyer një marrëzi në një krizë, pisllëqet andej dhe këndej kufirit nuk lahen dot nga gjaku i derdhur në Bularat.

Të paktën, jo përgjithmonë.

Lini një koment