Poezi popullore e mbledhur nga Arshi Pipa. Vlerësuar me superlativa nga përmbledhësi, si një nga perlat e poezisë popullore.
Genti Labi/
Shemo refuzoi te shkonte ushtar, se donte te ishte i lire, dhe u arratis. Per nente vjet brodhi neper Ballkan duke vjedhur e plackitur te pasurit, duke ndihmuar te varferit. Dikur e mori malli, u kthye ne Gjirokaster per te pare gruan, qe e kishte rrembyer qysh fare te re dhe femijet e vet. E tradhetoi kushuriri, e kapen dhe e ekzekutuan. La amanet qe e shoqja te martohet. Ajo tha: Kurre nuk do martohem. Do ia kushtoj jeten kujtimit te tij dhe do rris djalin qe t’ia marre hakun.
Gjirokastër ishe zonjë,
Gjirokastër mbetç belonjë
Kape vrave një shqiponjë
le pa këngë nji milonjë!
Në Stamboll një lajm gëzimi
thonë u zu Shemo Brahimi!
Qysh u zu? Ku zihet trimi!?
Nëntë vjet në mal firar
se nuk desh të vejë ushtarë…
-S’vete tha, nuk ia kam ngenë!
Dhe nënt vjetë e brodhi dhenë
Rumelinë edhe Morenë.
Qysh e futën pra në lak,
mos u lodh a mos u mplak?
U mërzit nga çeta vallë,
mos i shkrep i ra një mall
për një stan për një kope,
për një stan në Valare
Për fëmijë, për gruan e re
u kandis se do ta falne!
Jo mor jo, s’u mplak hajduti,
as u lodh as falje luti
po s’mendoi se do ta shesë
kushëriri me të pabesë,
faqeziu i shtroi gosti
me mish të pjekur e raki
e kallzoi në qeveri.
Në bodrumet e kalasë
vjen Hysni Pashai t’i flasë
Ia lëroni ca litarët…
Fol hajdut trego të vrarët
se ke djegur e plaçkitur
se ke shtypur e neveritur
ligjet, forcën e Sulltanit
kundër dinit dhe vatanit,
vilajetit i kalle datën,
të kam ndjekur: ditën natën
dimër verë që nga prapa,
Shemo, më në fund të kapa!
O Pasha, që flet mbi fron
s’jam ashtu si më gjykon
me koshadhe me xhandarë
më ke ndjekur, të kam vrarë,
për haraç të marrë armikut
për grabitjen e çiflikut
të një beu t’një agai
mirë vërtet se paskam faj,
Po le të më thotë njeri
se rrëmbeva dhën e dhi
nga një bujk nga një bari!
Unë i dhashë varfanjakut
Zoti e di e më ardhtë hakut
edhe çupa kam martuar
pleqë bonjakë kam ndihmuar
Ah pse s’thashë peqe lepe
për nizam e për xhelepe
për një mbret në vend të tij
që s’më di dhe as e di
Jam hajdut, pëlqej më mirë
të rroj malesh ujk i lirë
se sa balo me zinxhirë!
Shemo! Nesër që me natë
të këtillë ligjëratë
bëja lakut edhe rrapit
Ah s’i pres mëshirë kasapit!
Amanet Pasha një gjë
porosi Lules i lë
të martonet. E grabita
kur ish foshnjë. Vetë e rrita
është e re njeri nuk ka,
fëmijët t’i jepen tim vëlla
Gjirokastra male e brigje
qan një grua qan me ligje:
Se të njoha korba, kurrë
Lulja jote s’merr më burrë!
Do rris djemtë t’u kall zjarrë
hakën tënde për të marrë!
Pasuri oxhak nuk dua
do të bredh krua më krua
të dëgjoj këngët e tua.