Lerini retorikat, por shiheni të vërtetën në sy.
Fëmijë pa bukë, pa ujë, pa drita….
Kjo familje përbehet nga 4 anëtarë, kryefamiljari Kujtim Prengzi, gruaja Valbona dhe dy fëmijët e vegjël, përkatësisht katër dhe dy vjeç.
55-vjeçari së bashku me familjen e tij jeton në fshatin Dojan, shumë pranë Bajram Currit ne Tropojë. Burrë e grua marrin një asistencë qesharake me një shumë prej 40 mijë lekësh në muaj, shumë kjo që nuk del për ilaçe, jo më për jetesë.
Ajo që e bën akoma më të trishtë këtë histori është fakti që kjo familje nuk ka shtëpi, por jeton në banesën e dikujt tjetër që nga momenti në moment mund t’i nxjerrë në rrugë. Ata ndihen të braktisur nga shteti dhe nga të gjithë, janë lënë në mëshirë të fatit, në mes të rrugës me dy fëmijë të vegjël.

Ambienti i shtëpisë ku ata jetojnë është plotësisht i amortizuar, pa tavane, pa sova, me çati të dëmtuar që shiu e dëbora depërtojnë lehtësisht.
OSHEE dhe Ujësjellësi i ka dhënë goditjen e fundit, pasi familja Prengzi nuk ka energji elektrike dhe as ujë të pijshëm, ndriçimi bëhet me fenerë, tamam si në mesjetë.
Ajo që të këput shpirtin është shikimi i këtyre fëmijëve, ata kërkojnë ushqim, veshmbathje, edukim e shumë nevoja të tjera, por fatkeqësisht varfëria u ka mohuar gjithçka.

Kujtimi bashkë me Valbonën ka trokitur në disa dyer për të gjetur punë, pak shpresë për t’ju dhënë jetë fëmijëve të tyre, por kjo derë u është përplasur në fytyrë. Ata sot kanë nevojë për ndihmën tonë, këta fëmijë nuk duan luks, por pak shpresë, pak jetë që të mund të shohin dritë në këtë tunel të errët që nuk po u ofron asnjë dalje.