Kategori
Uncategorized

Në 10 vite, trafiku i kanabisit arriti rekord në 2014-n dhe 2017-n

Në grafikun e publikuar nga autoritetet italiane rezulton se sasia e drogës së kapur përgjatë 10 viteve të fundit në këtë shtet ka njohur një rritje të jashtëzakonshme pas vitit 2013-të.

4

Shpërndarje

Që kur ka marrë drejtimin e Qeverisë, kryeministri Edi Rama pretendon se trafiku i kanabisit nga Shqipëria në drejtim të Italisë ka pësuar gjithnjë rënie dhe nuk krahasohet me trafikun që kryhej përpara vitit 2013-të. Megjithatë, të njëjtën gjë nuk thotë raporti i Drejtorisë Qendrore të Shërbimit të Antidrogës në Itali, të cilin e kundërshtoi sot Ministria e Brendshme e Shqipërisë.

“Siç është pranuar, 2016 ishte një vit problematik për shumë arsye, që janë bërë pjesë e analizës së punës së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit dhe nuk rezultoi efikas në parandalimin e kultivimit të kanabisit. Por gjithsesi nuk mund të krahasohet me përmasat shqetësuese të fenomenit përpara 2013, e evidentuar në raportet GdF”, thuhej në deklaratën e ministrisë shqiptare.

Në grafikun e publikuar nga autoritetet italiane rezulton se sasia e drogës së kapur përgjatë 10 viteve të fundit në këtë shtet ka njohur një rritje të jashtëzakonshme pas vitit 2013-të.

Viti 2014-të ka arritur nivelin më të lartë me 154 ton drogë të kapur në Itali dhe ku pjesën më të madhe e zënë marijuana dhe hashashi. Në vitet pasardhëse, sasia e drogës së sekuestruar ka zbritur duke arritur në vitin 2016-të në 70 ton, përafërsisht sa në vitin 2013-të, për t’u rritur sërish në 2017-ën me 114 ton drogë të sekuestruar, nga këto, 108 ton janë marijuanë dhe hashash.

Në raport thuhej qartë se rritja e trafikut të marijuanës dhe kanabisit lidhej drejtpërdrejtë me rritjen e kultivimit të kësaj droge në Shqipëri, por Ministria e Brendshme e vendit tonë nuk e komentoi këtë fakt.

Raporti thekson: “Në vitet e fundit, në Itali, importet e marijuanës kanë regjistruar një rritje të ndjeshme, duke prekur, në vitin 2017, rekordin historik të sekuestrove  (mbi 90 ton). Ecuria e sekuestrove në shtetin tonë është e lidhur me kultivimin e kanabisit në Shqipëri, rajon nga i cili vjen pjesa më e madhe e sasive të destinuara për tregun italian dhe europian, sikurse dëshmohet nga sekuestrimi i 8 tonelatave në zonën e Marche vitin e shkuar, ndalesa më e madhe e realizuar e cila do të përfundonte në Europën Veriore. Klanet shqiptare, për më tepër, kanë demonstruar kapacitete progresive në menaxhimin e prodhimit dhe trafikimit, duke përdorur fara me përmbajtje të lartë THC si dhe metoda të fshehjes së palantacioneve dhe të transportit të lëndës narkotike drejt brigjeve italiane në një evolucion të vazhdueshëm. Në këto vite, Italia ka mbështetur Shqipërinë në aksionin e saj veprues kundër këtij fenomeni kriminal, duke e furnizuar me mbështetje ajrore dhe teknologjike në aktivitetin e zbulimit të plantacioneve të kanabisit dhe zhdukjen e mëvonshme.”

Një tjetër fakt i rëndësishëm është gjithashtu kapja e sasisë më të madhe të kanabisit në rajonet italiane të detit Adriatik dhe që ndodhen përballë Shqipërisë.

Shqiptarët janë gjithashtu në krye të listës sa i përket numrit të shtetasve të huaj që janë arrestuar për trafikun e marijuanës në Itali.

Shqipëria dhe shqiptarët përmenden 87 herë në raportin e antidrogës italiane, ndërsa Greqia dhe grekët vetëm 10 herë.

Ky raport hedh poshtë në mënyrë përfundimtare pretendimet e Ramës, por edhe të dy ministrave të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj, se trafiku i kanabisit drejt Italisë ka qenë më i lartë përpara 2013-ës, kur në pushtet ishte Partia Demokratike. /Politiko.al

Lini një koment