Alfred Lela
Adriatik Llalla i paraqiti sot, me anë të avokatit, një adresë Komisionit të Aplelimit. I shkruar në turqisht dokumenti paraqiste shfajësimin e mosparaqitjes dhe ia kalonte të gjitha kredencialet e përfaqësimit të ish-kryeprokurorit, mbrojtësit të tij ligjor.
Letra jepte të paktën një prej adresave të mundshme të z. Llalla i cili besohej se ndodhej në Gjermani pranë familjes. A është në Turqi apo në Gjermani, ka pak rëndësi. Ajo që vlen është se ish-kryeprkurori i Shqipërisë përballet me sistemin pjesë e të cilit ka qenë nga një vend i huaj, përmes avokatit. Në terma lufte ai është një MIA (missing in action).
Me një tjetër dosje dhe histori pas supeve, u largua drejt një vendi të huaj edhe Agron (Geron) Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm në detyrë. Ai rezultonte i dënuar me mbi 7 vjet për një vepër penale të kryer para 15 vitesh, një shpatë Damokleu që ka ndenjur mbi kryet e zyrtarti të lartë të Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj që prej vitit 2002. Opozita kërkon këputjen e fijes që e mban dhe ‘prerjen’ e kokës së ministrit të Brendshëm. Ky i fundit lëshoi të vëllanë para se të linte postin, gjë që e detyroi Xhafajn Jr. të priste një biletë ‘one ëay’ drejt burgut duke u dorëzuar kështu në dyert e një ‘gabimi’ që i vëllai minister ia faturonte kohës, vendit dhe moshës së gabuar.
Agron Xhafaj është rast romanesk më shumë se polices; ai është thuajse një personazh romani. Në kuptimin se, në kohën kur i duhej të ishte në Itali për të shlyer një dënim, ndodhej në Shqipëri dhe, kur i duhej të gjendje në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë , u shpërngul në Itali.
Ka diçka që nuk shkon në këtë zhvendosje.
Albert Veliu, i njohur si ‘Dëshmitari X’, sipas medias ka kërkuar azil politik në Kosovë pasi është ndaluar, me anë të një procedure ende të paqartë, nga Prokuroria e Kosovës. Republika e vogël me shumicë shqiptare po konsumon ende shijen e keqe të arrestimit të shtatë shtetasve turq të dyshuar si të lidhur me Gulenin, të cilët i janë dorëzuar kundërshtarit të tij Presidentit Erdogan. Ka dyshime se edhe Albert Veliu është parë si ‘gulenist’ dhe është ndaluar për llogari të ‘Erdoganit të Tiranës’, kryeministrit Rama. ‘Dëshmitari X’ ka folur publikisht për presione, shantazhe dhe kërcënime, pas publikimit të audio-përgjimit ku përfshihej, sipas tij, vëllai i ministrit të Brendshëm Xhafaj.
Një ngjarje me dy dëshmitarë kryesorë, që të dy në duart e drejtësisë së vendeve të tjera.
Saimir Tahiri, ish-ministri i Brendshëm socialist, i dyshuar si i përfshirë në trafikun e drogës, si facilitator i veprimtarisë së kushërinjve të tij, Habilajve, ndodhet në Tiranë dhe ka fituar nga Gjykata e Apelit, statusin e të dyshuarit që hetohet në gjendje të lire, duke i shpëtuar arrestit shtëpiak. Nuk ndodhen këtu megjithatë tre vektorë që lidhen drejtpërdrejt me ‘çështjen Tahiri’. Antarët e ‘bandës Habilaj’ gjendennë Itali, financieri i tyre Nazer Seiti u ekstradua në mënyrë emergjente dhe të dyshimtë po në Itali, ndërsa ish-oficeri i Policisë, Dritan Zagani, i pari që foli për gjëra që sot janë bërë publike, por atë kohë ishin të errëta ka fituar azil politik në Zvicër.
Labirinti është më i errët se katakombet poshtë Romës antike.
Të gjithë këta persoanzhe, brenda e jashtë, janë një shpurë fantazmagorike që mund të konsiderohen ‘azilantë të drejtësisë’. Një kategori e re që e shpik Shqipëria e tranzicionit, pas dy të shumë njohurve ‘azilantë ekonomikë’ dhe ‘politikë’.
Çfarë nuk shkon me këtë pamje e gjen secili më vete.