Kategori
Uncategorized
  • Për zhbllokimin e një karvani me ngarkesë armësh, pas tre ditësh izolimi e kërcënimi, është dashur të paguhen 25.000 marka kesh (në dorë). Përndryshe, malli – armë konfiskohej, grabitej dhe shitej e përshitej.
  • SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRA.
  • Tri gënjeshtrat e Fatos Klosit

Fatos Klosi ishte pedagog në Universitetin e Tiranës. Edhepse si familje nuk ishin të besuarit e Partisë (po e shkruaj më të madhe, sepse Atdheu shkruhej me të vogël – në atë kohë), një xhaxha i Klosit ka qenë i dënuar, por, Klosi ka qenë i privilegjuar i Partisë, përndryshe, do të kishte shkuar mësues në Mallakastër. Ne, që i kemi jetuar dekadat në Shqipërinë e monstrumit Hoxhë, kemi parë gjuetinë e Partisë, pikërisht, në familjet e damkosura. Duket e pabesueshme, por edhe njëri nga djemtë e ministrit të brendshëm, të pushkatuar, Koçi Xoxe, ishte i pajisur me revole nga Sigurimi dhe shërbente si informator sekret. I kësaj kategorie ka qenë edhe Fatos Klosi. Dhe, këtë e kanë ditur edhe Mejdani e Nano, kur Kosin e emëruan në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).

Gënjeshtra e parë e Klosit:

“40 milionë euro, të marra nga Fondi Shtetëror i Kosovës (3 %-shi), i kemi blerë armë për UÇK-në”, – gënjen Klosi, madje, qëllimshëm, për të kamufluar vjedhjen galopante të parave nga LPK-ja, sabotuese e luftës, në koordinim me Tiranën zyrtare të kohës. Klosi me LPK-në staliniste të Mërgatës, mund të kenë blerë pak armë për biznes, si “snajperë”, për të vrarë oficerët e FARK-ut dhe kuadrot e LDK-së. Por, kurrë për luftën. Edhe armatimi që merrej nga shqiptarët e Sanxhakut, zona e Malit të Zi, është paguar ekstra, veçmas nga mërgimtarët. Dhe, kjo blerje ka qenë e kufizuar, kryesisht, me bartje jo me kafshë, por me krah, përmes kufijve bjeshkorë. Për blerjet nga Serbia, i dinë Klosi ato pisllëqe.

E vërteta:

Firma jonë, unë me nipat nga motra, nga Cerca e Istogut, Hasan dhe Ismet Rexhaj, fabrika e Blojës “Etniku”, në Mamurras të Kurbinit, ka qenë e autorizuar për bartjen, transportin e armatimeve, për në Malësinë e Gjakovës dhe të Prizrenit. Armatimi ka qenë i destinuar për luftëtarët në frontet e luftës, pavarësisht faktorëve ushtarakë, të ndarë nga politika, por, që i bashkonte lufta. Me përjashtim të “komandantëve të Rognerit” dhe bandave të tyre në Shqipëri dhe Kosovë, të organizuara në “UÇK-në” e SHIK-ut, të cilat përndiqnin dhe vrisnin ushtarakët dhe veprimtarët e LDK-së të Ibrahim Rugovës, duke sabotuar luftën, sipas projektit serbo-sllav.

Firma jonë kishte vënë në dispozicion të luftës 4 (katër) kamionë, tre me 40 tonazh dhe një kamion i mesëm. Por, për shkak të rrugëve të Bangadeshit të Enver Hoxhës (siç thoshte miku im burgaxhi-Kadri (Os)Mani), ngarkesa reduktohej. Ishin të angazhuar 18 punëtorë, kryesisht, kosovarë të Mbretërisë si dhe nipërit e familjes time. Transporti udhëhiqej nga studenti në diplomim në Universitetin e Tiranës, ushtar i Koshares, Hasan Rexhaj, i cili, tashmë, nuk jeton dhe vëllai i tij, drejtor i Fabrikës “Etniku”, Ismet Rexhaj.

Armët silleshin nga magazinat shqiptare, dominonte armatimi i rëndë, të reja, të mbështjella në plastmase, najllona special, të trashë, të papërdorura. Deri ke Fabrika, transporti bëhej me makina të tjera dhe përgjatë natës. Ngarkesa bartej në kamionët tonë, të licencuar dhe sipër armëve hidheshin pak thasë me miell dhe hime (krune), për maskim. Asnjëherë nuk e kemi kuptuar pse duhej kaluar miqësisht, natyrisht, me qerasje, herë të lehta e herë të rënda, policinë e Kurbinit, të Lezhës, të Mirditës, të Pukës, për të arritur tek ajo e Tropojës apo e Kukësit?!

Policia zyrtare e Tropojës, në bashkëpunim me LPK-në staliniste të Rognerit, kanë qenë shumë aktiv në maltretimin e bartësve të ndihmave për refugjatët dhe sidomos të armatimit. Për zhbllokimin e një karvani me ngarkesë armësh, pas tre ditësh izolimi e kërcënimi, është dashur të paguhen 25.000 marka kesh (në dorë). Përndryshe, malli – armë konfiskohej, grabitej dhe shitej e përshitej. Përveç meje, personalisht, që kam marrë mirënjohje të bollshme, askush nuk i ka kujtuar me asgjë transportuesit dhe punonjësit, në shërbim të luftës, përveç asaj page që kanë marrë nga Fabrika, edhepse e mbyllur.

Shefat që i dorëzonin armatimin dhe dokumentacionin përkatës, ishin ish-kuadro të Partisë Demokratike, nga familje të njohura të Tropojës dhe të Kukësit, në mes tyre Buçpapaj, Elezi… Njëri nga shefat dorëzoi 16 armë të veçanta, të dhuruara për atë, nga magazina, reparti i tunelit ushtarak, nga ku ishte tërhequr ngarkesa. E lutëm për një shpërblim, duke i konsideruar se ato ishin dhuratë personale për atë, duke i dhënë një shumë paushalle në dorë, por, të shoqëruar me një dokument të vulosur. Ai u ndje i fyer dhe fort i emocionuar, shpërtheu: “Kosova sa është e juaja, aq është edhe e imja. Unë po bëj detyrën si bir i saj”. Nuk pranoi as të darkojë, piu vetëm një kafe.

Ironia e madhe për shërbimin tonë:

1) Kemi realizuar bartjen e armatimit;
2) Kemi transportuar ushqime dhe materiale të ndryshme për refugjatët (ikanakët) e Kosovës në Veriun shqiptar;
3) Kemi mbyllur dhe dështuar biznesin tonë, duke e kthyer Fabrikën dhe magazinat përcjellëse në pikë pritjeje të ikanakëve;
4) Jemi marrë me strehimin e mijëra refugjatëve dhe ushqimin e tyre, që nga Fushë Kruja e deri në Lezhë e Shëngjin.

Dhe, megjithatë, organet përkatëse të kohës, që kishin financa të bollshme, nuk i shlyen obligimet financiare karshi Firmës tonë! Për rrjedhojë, unë dhe familja ime, për 18 vjet radhazi, vazhdojmë të shlyejmë borxhet e marra gjatë luftës. Them familja, sepse unë gëzoj një pension prej 228 euro në muaj. Një kërkesë e bërë pas luftës, organeve kompetente, për shlyerjen e borxhit të mbetur, të stivuar, në shërbim të luftës, përgjigja ka qenë kanunore: “Kur ngrihet sofra, troshat i fshinë i zoti i shtëpisë!” Megjithatë, hallall Kosovës! Thonë se liria nuk ka çmim. Dhe, kjo i mbulon të gjitha. Por, hajnia zyrtare meriton ndëshkim. Përndryshe, krimi vrastar i “komandantëve të Rognerit” dhe hajnia e shfrenuar zyrtare e tyre, relativizojnë edhe lirinë tonë, duke e bërë përrallë dimri.

Gënjeshtra e dytë e Klosit:

Fatos Klosi gënjen, mohon ekzekutimin zyrtar të ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqit, të organizuar pikërisht nga ai dhe “komandantët” kriminalë të Rognerit. Në mungesë të fakteve, ai belbëzon dhe ngatërron Dr. Berishën dhe të tjerët, edhepse e ka pranuar, madje, publikisht, se nuk e duronte kolonel Krasniqin në Tiranë. Lideri i të djathtës shqiptare, Dr. Prof. Sali Berisha ngulmon se shefi i SHISH-it, Fatos Klosi “organizoi këtë vrasje, që ka turpëruar shtetin shqiptar të asaj kohe. T`ia vrasësh Kosovës në luftë, ministrin e Mbrojtjes, është skandal që Shqipëria do ta këtë për turp”, – deklaroi botërisht ai.

Në vrasjet e shqiptarëve të Kosovës, që nga Ali Ukaj, Ilir Konushevci, Kolonel Ahmet Krasniqi, Sadri Ramqaj, Rushit Elezi (kuksian, kontraktor i kampeve ushtrimore në Kolsh dhe Kalimash, në periferi të Kukësit, Qazim Jakupi e Muharrem Tafa (ky i fundit tropojan, kontraktor i kampit ushtrimor në Papaj, Tropojë, mik i heroit Sali Çekaj), zhdukja, vrasja e ushtarakëve, pas pushtimit të dhunshëm, nga banditët e LPK-së të Rognerit, të ushtrimoreve të FARK-ut në Kolsh e Kalimash, denoncimi i Mujë Krasniqit me 42 luftëtarë tek komanda serbe, organizimi i burgjeve rurale të “UÇK-së”, në Cahan të Kukësit dhe gjetkë, pa mëdyshje, pjesë aktive e këtyre krimeve është kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, me bandën e “komandantëve” të Rognerit. / VIJON

Lini një koment