Nga Tarikati Bektashi.
Imami Ali Riza ishte i biri i Imamit të shtatë dhe sipas të dhënave u lind në vitin 148/765 dhe vdiq më 203/817. Imami i tetë e arriti imamllëkun pas vdekjes së babait, përmes Urdhrit Hyjnor dhe dekretit të stërgjyshve të tij. Periudha e imamllëkut të tij përputhet me halifatin e Harunit dhe të bijve të tij Aminit dhe Mamunit. Pas vdekjes të të atit, Mamuni ra në konflikt me të vëllain Aminin gjë që shpuri në luftëra të përgjakshme dhe në fund në vrasjen e Aminit, pas së cilës Mamuni u bë halif. Deri në atë ditë politika e halifatit abasid ndaj shiitëve kishte qenë duke u bërë gjithnjë më e ashpër dhe më brutale. Nuk kalonte shumë e dikush nga përkrahësit e Aliut (‘alavis) ngrinte krye duke shkaktuar luftëra të përgjakshme dhe kryengritje të cilat i
shkaktonin vështirësi dhe pasoja të mëdha halifatit.
Vazhdimi i një gjendjeje të tillë ishte i rrezikshëm për strukturën e halifatit dhe ishte kërcënim serioz i tij. Mamuni mendoi për të gjetur një zgjidhje tjetër të këtyre vështirësive, të cilat politika shtatëdhjetëvjeçare e paraardhësve abasidë nuk kishte qenë në gjendje të zgjidhte. Për ta përmbushur këtë qëllim ai e zgjodhi Imamin e tetë si zëvendës të tij, duke shpresuar në këtë mënyrë për t’i kapërcyar dy vështirësi: para së gjithash t’i pengonte pasardhësit e Pejgamberit të ngrihnin krye kundër qeverisë meqenëse ata do të përziheshin vetë në qeveri, dhe së dyti, të shkaktonte që njerëzit të humbnin besimin e tyre shpirtëror dhe lidhjen e brendshme me imamët. Kjo do të përmbushej duke i bërë imamët të tërhiqeshin pas çështjeve botërore dhe politikës së vetë halifatit, e cila gjithmonë ishte konsideruar nga shiitët se ishte e ligë dhe e ndyer. Në këtë mënyrë, organizimi i tyre fetar do të dërrmohej dhe ata nuk do të paraqitnin më kurrfarë rreziku për halifatin. Pa dyshim, pas përmbushjes së këtyre qëllimeve, heqja e imamit nuk do të paraqiste kurrfarë vështirësie për abasidët.
Për ta vënë këtë vendim në veprim, Mamuni e luti Imamin të vinte nga Medina në Marv. Posa kishte arritur aty, Mamuni i ofroi atij së pari halifatin dhe pastaj trashëgimin e halifatit. Imami kërkoi falje dhe e refuzoi propozimin, por më në fund qe shtyrë të pranonte trashëgiminë, me kusht që ai nuk do të përzihej në çështjet qeveritare ose në caktimin dhe në shkarkimin e përfaqësuesve të qeverisë.
Kjo ngjarje ndodhi në vitin 200/814. Por së shpejti Mamuni e kuptoi se kishte bërë një gabim, sepse shiizmi përhapej shpejt, u shtua lidhja e popullatës me Imamin dhe Imamit iu bë një pritje mahnitëse nga njerëzit e madje edhe nga armata dhe përfaqësuesit e qeverisë. Mamuni u përpoq të gjente zgjidhje për këtë vështirësi dhe organizoi që të helmohej dhe të martirizohej Imami. Pas vdekjes Imami u varros në qytetin Tus të Iranit, i cili tani quhet Mashhad.
Mamuni i kushtoi interesim të madh përkthimit të veprave mbi shkencat intelektuale në gjuhën arabe. Ai organizoi tubime në të cilat shkollarët e religjioneve dhe sekteve të ndryshme tuboheshin dhe zhvillonin biseda shkencore dhe shkollare. Edhe Imami i tetë merrte pjesë në këto tubime dhe merrte pjesë në bisedat me shkollarët e religjioneve të tjera.