Ditën e djeshme, HEC Devolli nxori lajmin se “tuneli i gjatë i Moglicës përfundoi pa vonesa.”
Përfundoi më në fund ai tuneli famëkeq brenda të cilit u gjetën shkëmbinj azbesti. Po po, Azbesti, ai të cilin e gjithë bota e ka klasifikuar si “material kancerogjen i klasit të parë”, sepse hyn fare kollaj në mushkëritë e atyre fatkeqëve që bien në kontakt me të, dhe ua shfaq kancerin pas 10 a 20 vjetësh e ua merr jetën brenda 2-3 muajsh.
E tani që punimet përfunduan duket se kjo histori morri rrugën e harresës.
Askush nuk do të flasë më për të. Për ata puntorë fatkeqë që punuan aty. Për ato inerte që nuk dihet ku përfunduan. Asnjë informacion.
Fundja fundit populli ska asgjë në dorë pasi ata që vendosin janë pushtetarët. Ajo çfarë ka në dorë qytetari është vetëm vota.
Kryeministri i ftoi investitorët e huaj para disa vjetësh të investonin në Shqipëri, “Ua hapi syrin” ,- thotë populli.
E ky investitor “me syrin e hapur” bën çtë dojë me puntorin e vet.
Puntorët në tunelin e Hec-it të Moglicës ishin ata që patën fatin e keq të përballeshin me këtë problem. Unë personalisht kam qënë aty ditën kur puntorët ishin tmerruar për zbulimin e materialeve të Azbestit në një pjesë të tunelit dhe kishin braktisur punimet për t’ju kërkuar llogari drejtuesve. Kërkonin llogari për fatin e jetës së tyre.
Por, pas asaj dite gjithçka iu kthye normalitetit. Kompania i dërgoi për të bërë grafi të mushkërive në Gramsh, e ndërsa të gjithë e dinë se fibrat e Azbestit janë aq të imëta, saqë në mushkëri nuk munden të shihen me një grafi të thjeshtë.
Më vonë doli tek-tuk një lajm se kompania po fillonte studimet për problemin, histori kjo që u mbyll me kaq, pa asnjë informacion shtesë deri më sot.
Ndërsa vjen këto ditë një lajm dhe të thërret : “Hej mik përfundoi tuneli i Moglicës pa asnjë vonesë.” Dhe ti e kupton se në Shqipëri jeta vlen sa një grusht me para.
Më poshtë një reportazh i asaj dite, në Moglicë, kur puntorët kishin lënë punimet pasi morrën vesh për Azbestin.
Reportazh :
Të punosh në HEC-in e Moglicës, jetë apo vdekje ?
Nëntor, një mjegull e dendur kishte zaptuar vendin prej dy ditësh. Por gjithsesi kjo nuk më pengonte të nisja udhëtimin tim drejt Moglicës. Fshatit që vitet e demokracisë e zhdukën në harresë.
Projekti i ndërtimit të Hidrocentralit të lumit Devoll aty, më nxiti të nisem për të parë ndryshimet.
Dita nisi rreth orës shtatë në mëngjes. U nisëm me një shokun tim me makinë nga Korça drejt qytetit të Maliqit e kur arritëm në Maliq, morrëm rrugën drejt Lozhanit. Lumi Devoll ishte udhërefyesi jonë, rrjedha e të cilit ecte krah me rrugën.
Deri pa arritur në komunën e Lozhanit, rruga ishte me gropa, baltë dhe vërehej lehtas mungesa e sinjalistikës rrugore.
Në një pjesë të saj kishte rrëshkitur dheu dhe tabelat rrugore që tregojnë rrezikun i zvëndësonin disa gurë që e rrethonin gropën e krijuar.
Pasi lamë Lozhanin filloi të dukej një tjetër rrugë, jo një tjetër drejtim, por një tjetër asfalt.
Makina ishte veshur e gjitha me baltë. “Eh rrugët e shtetit tonë” –thotë shoku im:- “si na e katandisën makinën, ska lavazh që e merr në dorëzim, ka lezet këtej nga këto që ka bërë norvegjezi ska pikë balte në asfaltin e ri.”
Ndërtimi i Hidrocentralit i kishte shtrirë tentakulat e tij transformuese që tej larg Moglicës. Rrugët ishin të reja të pajisuara me sinjalistikë të rregullt dhe kthesat shoqëroheshin nga pasqyrat qe rinin roje për t’u shërbyer udhëtarëve e t’ju tregonin pjesën tjetër të këthesës të rrugës.
Në brigjet e lumit gjendeshin të vendosura tubo gjigande. Më andej mijëra pllaka betoni dhe disa makineri të mëdha qe i prodhonin.

Arritëm në fshat, Moglicë. Kafenetë ishin të stërmbushura nga puntorët që kishin ardhur për të marrë kafe. Të tjerë për të ngrënë mëngjes. E të tjerë për ndonjë luajtur ndonjë lloto.
Kjo ishte një bingo për banorët e vendas. E kujt nga ata do ia kishte marrë mëndja se pronat e tyre do i kishin shndëruar në restorante dhe kafene që nuk u shterojnë klientët ?
Deri tani po shihnim vetëm gjëra të mira, zhvillim, infrastrukturë e re, gjallëri etj.

Hyjme tek zona ku ponohej për ndërtimin e traut të digës e teksa futemi në kantier na afrohet nje djalosh që si duket ishte roja, : “Po ju ç’doni këtu e dini që nuk lejohen makinat private dhe njerëz të paautorizuar ? Se keni parë tabelën?” –na flet me zë të lartë.
“Iç po shikojmë”,- iu përgjigja unë, : “por pa merak, qetësohu se do ikim !”
Largohemi nga aty me urdherin e tij dhe marrim rrugë për të parë çbëhej nga tuneli 11 kilometërsh që po ndërtohej për të kaluar ujin.
Rrugës për tek hyrja e tunelit shohim kampin e puntorëve. Kishte nga e githë Shqipëria, madje dhe të huaj. Flinin, hanin dhe punonin në kete vend. Larg familjeve .
Atë ditë ata i kishin braktisur punimet dhe ishin mbledhur në një “kryengritje” ku po diskutonin me drejtuesit për një problem që ishte shfaqur këto ditët e fundit. Bëhej fjalë për një lloj shkëmbi të quajtur Azbest, i cili ishte zbuluar në atë fazë të punimeve brenda tunelit. Një lloj shkëmbi ky, i gjendur në thellësitë e tokës, shumë i dëmshëm për shëndetin e njeriut.

(Foto/ Pjesa me të kuqe, vendi ku ishin mbledhur puntorët për të diskutuar me drejtuesit për problemin.)
Mes puntorëve të tjerë ishin dhe dy të njohurit e mi, të cilët ma shpjeguan gjithë këtë mesele që më shtangu në vend. Njëri prej tyre, një djalë pak i hequr në fytyrë, rreth të njëzetepestave-puntor i thjeshte në tunel – filloi po më tregonte : “Ditët e fundit flitet se në këtë fazë të punës në tunel kemi hasur një lloj shkëmbi që quhet Azbest. Thonë se po re në kontakt me të, mushkëria e përthith shumë shpejt, e të shfaqen sëmundje kanceroze. Na ka ikur truri. Thonë se maksimumi 3 vjet jetë ka njeriu po e thithi mushkëria këtë substancë. Jemi gjysma e puntorëve që duam të largohemi.”
E pyeta për masat që kishte marrë kompania dhe tha se do i çonin në Gramsh të bënin analizat nëse ishin prekur apo jo.
Mbeta i shtangur nga ajo që dëgjova dhe për me tepër i habitur nga mungesa e transparencës së asaj çka zhvillohej në atë vend.
Djemtë treguan se ata (drejtuesit) nuk duan të dalë informacioni jashtë.
“Edhe disa ditë më parë kanë qënë njady televizione, por i kanë kthyer mbrapsht e nuk i lanë të futeshin,”- vazhdoi tjetri.
Me aq u mbyll biseda me ata. Kishte kaluar dreka dhe ne duhej të ktheheshim për në shtëpi Morëm rrjedhën e Devollit mbrapsht nga erdhëm. Ndërkohë që unë po largohesha ata djem do të riktheheshin sërisht të nesërmen brenda tunelit.
Por, tani kishin hapur një luftë të re me të ashtuquajturin Azbest.
I ktheheshin punës duke dyshuar për jetën . Me afro 15 mijë lekë në ditë ata mund të kenë blerë mirëqënien apo fundin e tyre ? Një fund që shpresojmë që kurrë te mos jetë i vërtetë. Të ikë me ujërat e lumit.
Nga Denis Manoku
/360grade.al/
Ndajeni këtë me të tjerët:
- Klikoni për ta shtypur (Hapet në një dritare të re) Shtype
- Klikoni që të ndahet me të tjerët përmes Pocket-i (Hapet në një dritare të re) Pocket
- Klikoni që të ndahet me të tjerët përmes Reddit-it (Hapet në një dritare të re) Reddit
- Klikoni që të ndahet me të tjerët përmes Tumblr-it (Hapet në një dritare të re) Tumblr
- Klikoni që ta ndani me të tjerët në Facebook (Hapet në një dritare të re) Facebook
- Klikoni për ta ndarë me të tjerët në WhatsApp (Hapet në një dritare të re) WhatsApp
- Klikoni që t’i dërgoni një lidhje një shoku me email (Hapet në një dritare të re) Email
- Më

