Kategori
Uncategorized

Masakra e Cërrikut, Gardisti i mbijetuar zbardh skemën kur iu dogjën të gjallë kolegët.

Laureta Rryçi

Petrit Gjoka, për rreth dy orë, rrëfeu dje me mllef para Gjykatës së Krimeve të Rënda duke thënë se nuk do t’i harronte kurrë fytyrat e Roland Xhepexhiut dhe Met Bozit. Petrit Gjoka, nga Fani i Mirditës, aktualisht banues në Kamzë, i tregoi kolegjit penal të Krimeve të Rënda tmerrin që kaloi së bashku me kolegët e forcave speciale, të Gardës së Republikës në Cërrik teksa kishin shkuar për të vënë rregullin dhe grumbulluar armët që ishin përhapur në të gjithë popullsinë. Gardisti që mbijetoi ditën e ngjarjes përshkroi plagosjen e tij, plagosjen e shokëve, vrasjen e disa prej tyre dhe djegien gjallë brenda blindave. Dëshmitari ishte më shumë se i irrituar kur përmendi emrat e dy prej të pandehurve, Roland Xhepexhiu dhe Met Bozi.

Dëshmia
“Në vitin 1997 kam qenë i punësuar në Gardën e Republikës. Isha efektiv i forcave speciale të vendosura në Akademinë e Rendit në Sauk. Mbaj mend që punë kam nisur në shkurt të atij viti. Operacioni i parë ishte më 22 maj. Më urdhëruan për t’u nisur drejt Elbasanit. Bashkë me disa kolegë u nisëm mbrëmjen e 22 majit dhe fillimisht u sistemuam në hotel. Të nesërmen, më 23 maj, në mëngjes, u mblodhëm në Komisariatin e qytetit. Unë kisha shef Arjan Çengën. Na thanë se do të niseshim për në Cërrik sepse kishte ardhur informacioni se grupe të armatosura po terrorizonin popullsinë dhe i vidhnin, ndërkohë që komisariati kishte dalë jashtë kontrollit. Po kështu, na u dha urdhër që të grumbullonim sa më shumë armë. Kemi ikur me transportier (autoblinda). Ishin katër të tilla dhe një makinë e blinduar e Komisariatit të Elbasanit. Kemi qenë rreth 30–35 veta. Aty kam njohur Besnik Sulën, Sali Martinin dhe atë shkodranin që u gjet i vdekur pas tri ditësh në një kanal, në dalje të Cërrikut. Emrin nuk ia mbaj mend. Ishte dhe një tjetër nga Mirdita, që vdiq në transportier. Unë mbaj mend Luan Prengën se kam qenë me të në autoblind. Ne kemi pasur armë të vogla brezi dhe automatik. Por asnjë nga ne nuk qëlloi. U nisëm në Cërrik dhe rrugës, para se të futeshim, bëmë një ndalesë. Kontrolluam disa makina dhe pothuaj në të gjitha kemi gjetur rreth 50-60 automatikë. Më pas shkuam edhe në Papër, se na lajmëruan që ishte një bazë me armë. I morëm të gjitha armët dhe u larguam. Teksa po ktheheshim në hyrje të Cërrikut nga Papri pamë një djalë që kishte një automatik në dorë dhe po qëllonte drejt nesh. Ishte i veshur me bluzë të kuqe. Tre nga shokët tanë zbritën, e morën dhe e futën në transportier. Emrin nuk ia mësova asnjëherë. Ne u futëm në Cërrik, më pas u nisëm drejt sheshit për të shkuar në komisariat me qëllim vendosjen e rregullit sepse nuk funksiononte asgjë. Unë isha te autoblinda e dytë. Para nesh ishte një tjetër blindë që u qëllua dhe më pas ai u tërhoq duke dalë ne të parët”.

Përplasja
“Kur mbërritëm në shesh u përballëm me një breshëri armësh të ndryshme. Më kujtohet që drejt nesh qëllohej me automatik, granata, kundërtanke. Nuk shihej asgjë në ajër përveç plumbave. Të shtënat vinin nga tërë anët e pallateve dhe nga tarracat. Në atë moment u ndal blinda jonë. Një predhë antitanku ra te zinxhirët e blindës dhe e ndau më dysh. I thashë shefit Arjan Prenga se do të dilja. Dola, por u gjenda mes predhave. Isha larg blindës rreth 100 metra. Shefi, mbaj mend që më tha ‘mos dil se të vrasin’. Dola dhe vura re që para meje ishte një mensë punëtorësh. Zura pozicion në një kënd. Në atë moment pashë edhe Arjan Çengën te këmbët e mia. Pashë me sytë e mi Sali Martinin me bluzën e bardhë që ishte ngjyrosur me gjak. Ai mbante një pistoletë në dorë, por asnjëherë nuk qëlloi. Ai erdhi afër meje dhe u rrëzua.
Përjetova ditën e tmerrit. Ata vetëm qëllonin dhe ne nuk dinim si të qëndronim dhe përse e bënin këtë gjë. Sali Martini ishte i gjithi i larë në gjak. Në minutat e fundit të jetës, teksa jepte shpirt, ai më tha: ‘Amanet, m’u ço fjalë robve të shtëpisë se jam i vdekur’. Këto fjalë nuk do të më hiqen kurrë nga mendja. Por fill pas këtij çasti, në mes të sheshit, rreth 50 metra larg blindës, pashë Besnik Sulën. Pa u afruar te tanku atë e kapi plumbi. Unë i bërtita duke i thirrur: ‘Besnik, largohu!’. Por atij i hidhej trupi në hava nga plumbat. Bërtiste teksa i dilte shpirti në mes të sheshit. Dy kolegë të tjerë mbetën të djegur gjallë brenda në blindë, pas goditjes së dytë që ai mori në serbator. Kjo predhë i vuri flakën blindës duke djegur të gjallë dy shokët e tjerë. Ne kthyem kokat dhe pamë që nga lart në një shtëpi po thërriste një grua dhe një djalë. Ata na thoshin ‘kujdes se do t’ju vrasin’ dhe ne u kërkuam ndihmë. Ata s’na ndihmonin dot, pasi kishin frikë mos i vrisnin. Mbaj mend që pranë meje ishte dhe Agron Berisha i plagosur. Unë e mësova më vonë se Agron Berisha ishte shef i Komisariatit të Elbasanit. Mora Berishën dhe e futa në transportier. U mundova të merrja Luan Prengën, që ishte i plagosur në lulishte, rreth 30 metra larg. Unë u hodha nga rrjeta e telit që ishte vendosur dhe në atë moment më kapi një predhë në kofshën e djathtë, nga prapa, duke më dalë përpara. Kofsha ishte komplet e copëtuar. Për momentin nuk e kuptova që u plagosa. Rashë në tokë dhe me ndihmën e automatikut doja të ngrihesha në këmbë, por pashë që gishtat e këmbës m’u kthyen mbrapsht. Aty kuptova që isha plagosur. Rashë dhe eca zvarrë duke u mbështetur në një mur. Ndeza dy cigare për 5 minuta. Familjarët që ndodheshin lart më thoshin ‘kujdes se të vranë’. Isha në cep të pallatit. Pashë një djalë që me armë në dorë kontrollonte të plagosurit dhe viktimat nëpër xhepa. Të shtënat, që zgjatën 30-40 minuta, pushuan. Unë hoqa rrobat e forcave speciale dhe isha me tuta sportive. Policia u tërhoq e gjitha dhe aty mbetëm vetëm ne të plagosurit. Në cep të pallatit qëndrova 20 deri 30 minuta. U thashë familjarëve që më shihnin: ‘Hajde më merrni’. Por gruaja dhe djali i ri më thanë se kishin frikë mos i vrisnin”.

“S’i harroj kurrë torturat që më ka bërë Roland Xhepexhiu”
Mes vuajtjeve pas plagosjes, Petrit Gjoka tregoi edhe momentet e tmerrit kur u mor peng së bashku me Luan Prengën dhe u torturuan për të treguar se kush i urdhëroi. “Pasi pushuan të shtënat, rreth meje erdhën 20-30 persona, të gjithë të armatosur. Na qëllonin me automatikë mua dhe Luanin. Një djalë i bëshëm tha: ‘Mos i qëlloni se është i mbaruar’. Por ata vazhdonin edhe pse grindeshin mes tyre. Djali i shëndoshë thoshte përsëri ‘mos e prekni me dorë’. Aty kam fiksuar dhe nuk më hiqet nga mendja Roland Xhepexhiu. Për momentin emrin s’ia dija, por fytyrën ia fiksova mirë. Ai më ka qëlluar me qytë automatiku dhe më ka lënë sakat edhe sot. Më ka thyer kockën e legenit. Më kanë tërhequr zvarrë edhe pse gruaja dhe djali i ri erdhën dhe nuk donin që ata të më vrisnin. Ata më morën, por të tjerët më goditnin. Personi i shëndoshë përsëriste fjalën të mos më godisnin. Më morën zvarrë dhe më çuan në një familje. Gruaja e familjes ku më futën bërtiste: ‘Unë nuk i lëshoj këta të dy nëse nuk më kthejnë vëllanë’. Më duket se djali që ne shoqëruam kur u futëm në Cërrik ishte vëllai i kësaj gruaje. Por, të them të drejtën, ajo më hapi divanin, shtroi çarçafë dhe më solli jastëk. Aty isha unë dhe Luan Prenga, dy pengjet e kapur nga grupi pasi u plagosëm. Emrin e të zotit të shtëpisë ku na futën nuk e mora vesh asnjëherë. Ata në thanë mos kini problem. Aty ishin dy burra dhe 4-5 gra. Ndërkohë që në dritare rrinin të gjithë të armatosurit duke kërkuar të na vrisnin. Filluan të na shajnë nga familja. Fjalët më të rënda dhe banalet që ekzistojnë. Mbaj mend një trup të shkurtër dhe me një rrip në kokë e një dorë të fashuar. Ai këmbëngulte gjatë gjithë kohës dhe thoshte se do të na vriste që të dyve. Por, të zotët e shtëpisë nuk i lanë të futeshin brenda. Erdhi një burrë i shkurtër, me flokë të shkurtër, pothuaj tullac. Ai filloi të na pyeste. Më tha çfarë pune bëja dhe i thashë që jam polic. Më pas më pyeti përse kisha ardhur dhe i thashë që kam ardhur për bukën e gojës. Me mua nuk u morën shumë në pyetje pasi isha në gjendje të rëndë, por më shumë pyetën Luanin që kishte marrë predha nga këmbët. E pyetën se ku punonte dhe ai i tha: ‘Jam kapter magazinier në Gardë’. Burri tullac i tha: ‘Si ore kapter! Ç’deshe këtu ti?’. Më pas i ka gjuajtur me qyt automatiku. Luani ra nga karrigia. Personi që bënte pyetje kishte në dorë radio policie. Kjo radio ishte e Arjan Cengës, shefit të vrarë. Personi në fjalë është Met Bozi dhe unë fytyrën e tij nuk e harroj asnjëherë. Me radion në dorë ai kontrollonte gjithë lëvizjet e policisë. Në këtë moment kaluan dy helikopterë të NATO-s. Ata thanë: ‘Na rrethuan. Hajde të largohemi’”.

Albania
5 Maj 2010

Lini një koment